- Partia Lëvizja Socialiste për Integrim www.lsi.al -
Nderkombetare
Written by Gazeta Integrimi    Wednesday, 27 January 2010 16:20    PDF Print E-mail
Kosova pret udhërrëfyesin për vizat

Prishtina zyrtare pret që Komisioni Evropian t'ia dorëzojë Kosovës udhërrëfyesin për procesin e liberalizimit të vizave. Në prag të takimit të nesërm në Prishtinë, ndërmjet Komisionit Evropian dhe Qeverisë së Kosovës, grupi punues për liberalizimin e vizave ka diskutuar prioritetet në zbatimin e kritereve teknike, për përgatitjen e Kosovës për këtë proces. Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, i cili kryeson këtë grup punues, tha se koha e përfshirjes së Kosovës në liberalizimin e vizave mbetet e ndërlidhur me dinamikën e plotësimit të kritereve teknike. Nëse Kosova përmbush me sukses kriteret teknike, Pajaziti tha se viti i ardhshëm do të mund të llogaritej si vit potencial për përfshirje në këtë proces. "Nëse themi se viti aktual do të jetë vit i përmbushjes së kritereve, atëherë jemi me shpresë të madhe se viti 2011 do të jetë vendimtar për procesin. Por, ajo që dua të them, është se jemi të gatshëm të përfshihemi në këtë proces dhe këtë e kërkojmë me ngulm nga BE-ja", tha ministri i Brendshëm kosovar.
Ministri Zenun Pajaziti pranoi se para Kosovës ka edhe shumë sfida, të cilat duhet tejkaluar në këtë proces. Ai kërkoi edhe mbështetjen ndërkombëtare, sidomos në çështjet e menaxhimit të kufirit në pjesën veriore, duke e parë këtë si një prej sfidave kryesore.
"Për ne ka sfida. Ato sfida kanë të bëjnë me procese të ndryshme, vështirësi politike. Ju e dini që në menaxhimin e kufirit, ne po punojmë që dy vjet. Kemi adoptuar legjislacionin, institucionet përkatëse, kemi angazhim jashtëzakonisht të madh". "Kemi pastaj edhe veprimet në përputhje me reduktimet e trupave të KFOR-it. Gjithçka po bëjmë, por ka disa pengesa që nuk varen prej nesh, sidomos në raport me fqinjët tanë". "Jam i sigurt që këtë proces do ta tejkalojmë, jo vetëm me angazhimin tonë, por edhe me mbështetjen ndërkombëtare", theksoi Pajaziti. Ndërsa teknikisht Kosova zotohet se deri në fund të vitit do t'i plotësojë kriteret e parapara, përfshirë edhe pasaportat biometrike, marrëveshjet për migrimin e deri te menaxhimi i kufijve, mbeten edhe pengesat politike që shkaktohen nga mosnjohja e Kosovës prej të gjitha vendeve anëtare të BE-së.
Asdren Gashi, drejtor për BE dhe NATO në Ministrinë e Punëve të Jashtme, tha se pa njohjen e Kosovës nga pesë vendet e mbetura të BE-së, procesi i nënshkrimit të marrëveshjeve politike me Brukselin bëhet shumë i ndërlikuar. "Përderisa nuk kemi njohje nga pesë vendet anëtare të BE-së, normalisht që nuk mund ta fillojmë një proces paraanëtarësues. Për momentin, ne po diskutojmë me Bashkimin Evropian, duke filluar nga nesër, për aspektet teknike të plotësimit të kushteve". "Kurse, në aspektin politik, besoj se do të jetë një fazë e dytë kur do të fillojnë diskutimet", tha Gashi. Në pamundësi të marrjes së udhërrëfyesit nga Brukseli, siç kanë vepruar vendet tjera që tashmë janë pjesë e "Shengenit të Bardhë", Kosova ka adoptuar një dokument të njëanshëm, por i cili është i ngjashëm me përmbajtjen e dokumenteve që kishin para vetes vendet tjera të rajonit. Në takimin e nesërm me përfaqësuesit e Komisionit Evropian, Prishtina pret që Brukseli t'ia dorëzojë edhe Kosovës një udhërrëfyes valid, i cili do t'i parashihte të gjitha kriteret që duhet plotësuar deri në përmbushjen e plotë të kushteve për "Shengenin e Bardhë".

 
Written by Gazeta Integrimi    Wednesday, 27 January 2010 16:20    PDF Print E-mail
Haiti, Afganistani, Somalia - Temat e takimit të ministrave të Jashtëm të BE

Haiti, Afganistani, Somalia - njëra zonë katastrofash dy të tjerat qendra konfliktesh ku BE do të ofrojë ndihmë. Për mjetet financiare dhe rrugët e ndihmës diskutuan në Bruksel ministrat e jashtëm të BE-së. Bashkimi Evropian do të dërgojë në Haitin e shkatërruar nga tërmeti rreth 300 forca sigurie nga "Xhandarmëria Evropiane". Policët ushtarakë do të ndihmojnë në sigurimin e ndarjes së ndihmave. Në fakt duhet të bëjnë shumë më tepër se kaq. Komisari për çështjet e zhvillimit të BE-së, Karel De Gucht, ishte vetë në Haiti për të parë gjendjen në vend. "Strukturat shtetërore haitiane jo vetëm që janë shkatërruar, pra jo vetëm që janë rrënuar fizikisht, por në praktikë nuk funksionon as administrata."
Prandaj Bashkimi Evropian kërkon të japë ndihma të gjithanshme. Në dispozicion do të vihen edhe inxhinjerë, helikopterë, anije dhe spitale ushtarakë fushorë. Për të koordinuar punën mes njëri - tjetrit dhe me Kombet e Bashkuara, duhet të ngrihet një shtab pune në Bruksel dhe një në Haiti.
Afganistani
Ministrat e jashtëm të BE-së, diskutuan edhe për konferencën e Afganistanit që pritet të mbahet ditën e enjte në Londër, ku do të marrë pjesë edhe presidenti afgan, Hamid Karsai. Në pjesën më të madhe të vendeve evropiane është duke u rritur gjithnjë e më shumë presioni, për tërheqjen e trupave nga Afganistani. Por ministri suedez i Jashtëm, Carl Bildt, paralajmëroi për të bërë kujdes.  "Unë nuk do të synoja datën e tërheqjes. Ne duhet të përqendrohemi në kalimin nga një angazhim kryesisht ushtarak në një angazhim civil dhe politik. Por, çdo lloj diskutimi për strategjinë e tërheqjen nga Afganistani shkon në favor të talebanëve. Ministri i jashtëm gjerman, Guido Ëesterëelle përsëriti ndërkohë në Bruksel një propozim, i cili është kritikuar shumë në shtypin gjerman. "Duhet të shohim edhe si mund të riintegrojmë në shoqëri edhe ata që kanë shkuar tek talibanët për shembull për arsye ekonomike, duke marrë një rrugë të gabuar, duke u ofruar një perspektivë ekonomike, për shembull nëpërmjet një pune etj. Prandaj në Londër ne duhet të diskutojmë për krijimin e një fondi të tillë, për të nxitur riintegrimin." Kritikët thonë se kërkush nuk mund të garantojë se njerëz të tillë vërtet ushtrojnë dhunë për shkak të parave. Madje në rastin ekstrem, paratë do të shkonin për financimin e terrorizmit.
BE dërgon specialistë
për ngritjen e ushtrisë somaleze
Një shqetësim të vazhdueshëm për BE-në përbën Somalia. BE ka dërguar një mision marine në Oqeanin Indian për të luftuar piratët. Por problemet e një shteti në shpërbërje nuk mund të zgjidhen nga deti. Prandaj Bashkimi Evropian do të dërgojë deri në pranverë 100 specialistë që do të ndihmojnë për ngritjen e ushtrisë somaleze. Meqenëse gjendja në Somali është e rrezikshme, specializimi do të bëhet në Uganda. Por edhe sepse shumica e ushtarëve të misionit somalez të Unionit Afrikan vijnë nga Uganda.

 


Page 70 of 70