|
||||
| Milena Ismaili: Asnjë dilemë për të ardhur në LRI |
|
Milena nuk kishte se si të devijonte nga rruga politike e familjes së saj. Të gjithë anëtarët e tjerë të familjes Ismaili ishin me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Prirjet e saj politike janë kushtëzuar mbase edhe nga viti kur ka lindur, 1990, që ka qenë viti i ndryshimeve të vrullshme politike dhe sociale.
Kështu, që në moshën 17-vjeçare, atëherë kur mund të kontribuonte dhe i duhet të zgjidhte, nuk e ka pasur të vështirë. Është anëtarësuar menjëherë në Lëvizjen Rinore për Integrim, ku ndihet si në shtëpinë e saj. “Këtu kam gjetur veten. Dhe ftoj çdo të ri që ka ide, që dëshiron të kontribuoj për veten dhe të tjerët të bashkohet me ne në LRI”, thotë Milena. Studentja e sociologjisë, në Universitetin e Tiranës, edhe pse mendon që në LRI bëhet jetë sociale, po aq sa politike, është e bindur që për të ky vendim shënon edhe fillimin e një karriere të gjatë politike. “Aktualisht jam pjesë e bordit të studentëve, dhe mendoj që është një fillim i mirë për një rrugë të gjatë, të një politikaneje”, tregon 20-vjeçarja. Sipas saj, të rinjtë shqiptarë janë deri-diku pasivë për t’u angazhuar në politikë. “Jo të gjithë mendojnë se politika mund të ofrojë diçka të dobishme për jetën e tyre. Por, nga përvoja ime them se gabohen”, thotë Milena, për të cilën edhe nëse nuk arrijnë të bëhen politikanë, aktivizimi në LRI është një përvojë shumë e mirë. “Çdo i ri që ka një aspiratë në jetë, që dëshiron të vrasë kohën nëpër kafene dhe lojërat e fatit, ka një mundësi të kalojë kohën duke mësuar gjëra të reja dhe interesante për jetën, të zgjerojë aftësitë dhe shoqërinë”, thotë Milena, e cila mendon që Lëvizja Rinore për Integrim, ndryshe nga forumet e partive të tjera, ka një energji dhe autonomi që e bëjnë atë më të kërkuarën nga të rinjtë. Studentja e sociologjisë mendon se aktivizimi i të rinjve në politikë, në mos do të “nxjerrë në pension” politikanët e vjetër të trashëguar që nga sistemi i kaluar, do të ushtrojë mbi ta një presion, në mënyrë që ata të jenë më të përgjegjshëm dhe të mendojnë më shumë për vendin.
Gjatë këtyre dy viteve të përvojës së saj politike, Milena ka qenë aktive jo thjesht si pjesëmarrëse, por edhe si një ndër organizatorët e aktiviteteve të zhvilluara nga Lëvizja Rinore për Integrim. Sidomos gjatë fushatës zgjedhore të vitit që lamë pas. Ajo është angazhuar shumë për mitingjet, takimet rinore, apo edhe për veprimtaritë ndihmëse. 20-vjeçarja mendon që dega që ka zgjedhur për t’u diplomuar ndërthuret shumë me politikën, pasi ajo është lidhur me problemet shoqërore, që janë të lidhura me efikasitetin e politikës. “Në qoftë se politika do të jetë më rezultative, më pranë njerëzve, atëherë problemet sociale që ka shoqëria do të jenë më të pakta dhe më të lehta për t’u zgjidhur”, argumenton studentja e sociologjisë, e cila sqaron se është politika, ajo që i bën këto probleme aktive ose pasive. Ndërsa lidhur me statusin e sociologes në shoqërinë tonë, Milena mendon se shoqëria shqiptare ende nuk është e përgatitur për të pranuar sociologen për amortizimin e problemeve të saj, edhe pse ka nevojë shumë pas këtyre traumave që ka kaluar në 20 vitet e fundit. Milena është e kënaqur me cilësinë dhe nivelin e departamentit ku ajo studion, dhe tregon se nuk ka pasur asnjë përvojë personale për korrupsionin në atë departament. “Nuk kam asnjë përvojë personale, por nuk jam në gjendje të them nëse ka apo jo korrupsion”, shprehet si një politikane Milena. Ndryshe nga bashkëmoshataret e saj, Milena është e interesuar për zhvillimet politike që ndodhin në vend, dhe dëgjon herë pas here lajmet, por kryesisht në televizion. Ndërsa kohën e lirë e kalon mes shokëve dhe shoqeve, kryesisht anëtarë të Lëvizjes Rinore për Integrim, duke diskutuar për problemet me të cilat ndeshet rinia shqiptare dhe rrugët e zgjidhjes së tyre. Ka vlerësimet maksimale për ecurinë e bashkëqeverisjes mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, dhe është e bindur që këtë vit do të ndodhë liberalizimi i vizave. “LSI është me fat që do të nënshkruajë këtë akt të shumëpritur për shqiptarët”, thotë Milena Ismaili. Telegrafisht
Filmi i fundit që keni parë: “Djemtë e këqij 2” Ku do të doje të jetoje: Në Gjermani Ku të pëlqen të kalosh pushimet: Jalë Çfarë është miqësia për ty: Gjithçka dhe asgjë Kur e konsideron një ditë të suksesshme: Kur arrij gjithçka që dua Kur e konsideron një ditë të dështuar: Kur është monotone Motoja juaj: Kur buzëqesh jeta, buzëqesh dhe ti, mos i vret mendjen nëse nuk të do njeri, sepse ditë më të mira do të vijnë, edhe pse të tjerët do t’i kenë zili Çfarë bën kur nxehesh: Nuk e kthej me vepra, por me fjalë Shprehja që përdor më shumë: Më mirë do të bëhet Ku e kalon kohën e lirë: Aktivitete të ndryshme
|
| Last Updated ( Monday, 22 March 2010 20:07 ) |



