- Partia Lëvizja Socialiste për Integrim www.lsi.al -
Written by Gazetari    Monday, 16 August 2010 08:09    PDF Print E-mail
Ilir Meta në Berat, 150 anëtarësime të reja, Aleancat për vende të reja pune, më të rëndësishmet për LSI-në më 23 qershor

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim, Klajda Gjosha, si dhe nga deputeti i LSI-së për Qarkun Berat, Nasip Naço, ka marrë pjesë dje në aktivin e LGI-së në qytetin e Beratit. Në këtë aktivitet mjaft entuziast, ku merrnin pjesë qindra gra dhe vajza anëtare dhe simpatizante të Lëvizjes Socialiste për Integrim, janë anëtarësuar rishtas në LSI edhe 150 anëtare të tjera, një pjesë të të cilave Lideri i LSI-së u dha dokumentet e anëtarësisë. Në fjalën e tij, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, duke vlerësuar punën e mirë të bërë nga strukturat e LGI në Berat, deklaroi se rezultati i LSI-së më 23 qershor do të jetë i jashtëzakonshëm. Ai vlerësoi punën e mirë të bërë nga deputeti i LSI-së për Qarkun e Beratit, Nasip Naço, në ndihmë të biznesit vendas. Lideri i SI-së u shpreh se angazhimi i LSI-së është punësimi. Ai u shpreh se “ne dhe aleancën më të rëndësishme edhe për 23 qershorin gjykojmë aleancën me të gjithë sipërmarrësit dhe sipërmarrëset e Shqipërisë që synojnë të hapin vende të reja pune, sepse rritja e punësimit është lufta më e sigurt që ne i bëjmë varfërisë, është përpjekja më e sigurt që ne të realizojmë për të fuqizuar gruan shqiptare, vajzën shqiptare, familjen shqiptare dhe ne jemi të vendosur për të ecur në këtë drejtim”. Ai deklaroi se politika, për fat të keq, humbet shumë kohë me konflikte tërësisht të padenja, të cilat nuk mund ta përmirësojnë jetën tuaj dhe të gjithë qytetarëve tanë. Ai deklaroi se LSI do të kontribuojë që Berati të jetë në qendër të vëmendjes dhe të ketë infrastrukturë më të mirë.

Fjala e plotë

Të dashura motra dhe nëna të Beratit, është kënaqësi e veçantë për mua të marr pjesë sot në këtë eveniment të jashtëzakonshëm. Asnjëherë kjo sallë nuk ka qenë kaq me jetë, kaq me ngrohtësi, kaq kuptimplotë sa ç’është sot. Dhe kjo është falë punës suaj, angazhimit tuaj, solidaritetit tuaj, mbështetjes që i jepni njëra-tjetrës dhe shpresave më të mëdha që keni për veten tuaj, por sidomos për fëmijët tuaj, për familjet tuaja, për Beratin dhe për gjithë vendin tonë. Ndaj, një falënderim i veçantë i takon të gjitha aktivisteve dhe drejtuesve të Lëvizjes së Gruas për Integrim, atyre që folën dhe që dhanë shumë mendime dhe ide, por edhe të gjitha ju të tjerave, sepse vërtet është bërë një punë e madje, është bërë një punë, e cila na jep një besim të plotë se rezultati i LSI-së më 23 qershor do të jetë i jashtëzakonshëm dhe përkrahjen tuaj të jashtëzakonshme, ne do t’ua kthejmë në një mbështetje shumë më të madhe për ju, për të gjithë komunitetin e Beratit, për të gjithë rrethin, për të gjithë qarkun, sepse është një popull i jashtëzakonshëm populli i këtij qarku, një popull punëdashës. Kudo ku janë beratasit, dallohen si njerëz që e ndërtojnë të ardhmen me sakrifica, me djersë, me dinjitet dhe kjo në radhë të parë është meritë e nënave të Beratit, që i rrisin fëmijët, pikërisht me këto ndjenja, me këto virtyte. Ne sot përpara se të vinim këtu kemi qenë në disa aktivitete të biznesit fason. Unë nuk kisha qenë më parë dhe u gëzova shumë kur pashë investime të reja, kur pashë me dhjetëra dhe me qindra gra dhe vajza, të cilat po punojnë, kur pashë plane për t’i zgjeruar këto aktivitete. Dua të falënderoj në mënyrë të veçantë deputetin tuaj, z. Nasip Naço, për vëmendjen dhe përkujdesjen e tij, sepse dëgjova edhe nga sipërmarrësit falënderime për angazhimet dhe për përkrahjen konkrete që ai u kishte dhënë për të pasur ato lehtësira që u krijon mundësinë për të zgjeruar aktivitetet e tyre. Nuk ka gjë më të rëndësishme për të gjithë ne, për politikanët, për të gjithë shoqërinë tonë sesa të fusim edhe një njeri në punë, sidomos ku bëhet fjalë për një grua, sepse, siç e tha Klajda, të fusësh një grua në punë do të thotë t’i kthesh buzëqeshjen përherë një familjeje të tërë. Ndaj dhe angazhimi i LSI është punësimi, ndaj dhe LSI-a do të jetë edhe më e angazhuar që me politika konkrete, me veprime konkrete t’i shërbejë rritjes së punësimit. Ndaj dhe ne aleancën më të rëndësishme edhe për 23 qershorin gjykojmë aleancën me të gjithë sipërmarrësit dhe sipërmarrëset e Shqipërisë, që synojnë të hapin vende të reja pune, sepse rritja e punësimit është lufta më e sigurt që ne i bëjmë varfërisë, është përpjekja më e sigurt që ne të realizojmë për të fuqizuar gruan shqiptare, vajzën shqiptare, familjen shqiptare dhe ne jemi të vendosur për të ecur në këtë drejtim. Politika, për fat të keq, humbet shumë kohë me konflikte tërësisht të padenja, të cilat nuk mund ta përmirësojnë jetën tuaj dhe të gjithë qytetarëve tanë. Ndërkohë që, është mjaft e rëndësishme që politika debatin ta përqendrojë tek ekonomia, ta përqendrojë te punësimi dhe jo tek e kaluara, sepse me atë le të merren historianët. Po edhe te beteja për të kaluarën, prapë Berati në rregull del, se shumica e nënshkruesve të aktit të Pavarësisë janë nga Qarku i Beratit. Besoj se e dini të gjithë ju këtë. Por ne duam të ecim më shpejt, ndaj dhe i gjithë përqendrimi ynë është tek e ardhmja. Është tek iniciativat për të hapur vende të reja pune. Ndaj dhe programi i LGI-së është i përqendruar këtu dhe gëzon mbështetjen tonë të plotë. Ne duam që Berati të jetë në qendër të vëmendjes dhe të jetë më shumë nesër sesa është sot. Ne këtë e kemi treguar me veprime konkrete, me politika konkrete dhe me qëndrime konkrete. Ju e dini shumë mirë qëndrimin tonë përpara se të votohej buxheti i këtij viti në Parlament, një qëndrim i cili e kushtëzoi votën pikërisht vetëm nëse do të jepeshin investimet e duhura për të rehabilituar rrugën Lushnjë-Berat, e cila ende vazhdon të jetë në një gjendje mjaft problematike dhe vetëm duke financuar edhe rrugën e re që do të lidhë Lushnjen me Beratin. Dhe kjo nuk ka të bëjë me asnjë aspekt krahinalist, përkundrazi ka të bëjë me faktin se ky popull nuk mund të neglizhohet, sepse nuk ka një numër shumë të madh deputetësh. Pra, sepse nuk ka 30 apo 16 deputetë, apo 14. Dhe aq më keq sepse duan t’ia ulin edhe numrin e deputetëve aktualë. Sepse është në popull i mrekullueshëm, është një popull shembullor, është një popull që si rrallëkush tjetër, i paguan të gjitha detyrimet shtetit, që nga dritat dhe çdo gjë tjetër. Dhe prandaj nuk duhet abuzuar me këtë përgjegjshmëri, përkundrazi kjo i duhet kthyer me vëmendjen e merituar, me përkrahjen e merituar dhe me investimet e merituara. Dhe ne këtë do ta bëjmë akoma më shumë në të ardhmen. Klajda me të vërtetë ndihet shumë e emocionuar, sepse ka një pjesë nga Berati, po ne që çdo gjë e kemi nga Berati, ju e kuptoni se si ndihemi. Ndaj është më mirë të kalojmë në pjesën e fundit, sepse do të kemi raste përsëri që të takohemi dhe të bisedojmë së bashku, sikurse kemi bërë vazhdimisht t’i ftojmë të gjitha anëtaret e reja të Lëvizjes Socialiste për Integrim të Beratit që janë bashkuar me ne falë punës që ka bërë LGI-a e Beratit. Unë ju uroj nga zemra të gjitha për anëtarësimin në LSI dhe do t’ua delegojmë këtë të drejtë shokëve këtu të Beratit që t’u japin të gjithave dokumentin e ri. Ju uroj mbarësi e suksese. Më 23 qershor LSI do t’i japë një shpresë të madhe të gjitha vajzave e grave në të gjithë Beratin e në të gjithë Shqipërinë, që do të kenë vendin që meritojnë pas 23 qershorit, në mënyrë që edhe Shqipëria të ketë vendin që meriton në Bashkimin Europian. Rrofshin vajzat dhe nënat e Beratit. Fitore!

Somarjo

Angazhimi i LSI është punësimi, ndaj dhe LSI-a do të jetë edhe më e angazhuar që me politika konkrete, me veprime konkrete t’i shërbejë rritjes së punësimit. Ndaj dhe ne aleancën më të rëndësishme edhe për 23 qershorin gjykojmë aleancën me të gjithë sipërmarrësit dhe sipërmarrëset e Shqipërisë, që synojnë të hapin vende të reja pune

Somarjo

Politika, për fat të keq, humbet shumë kohë me konflikte tërësisht të padenja, të cilat nuk mund ta përmirësojnë jetën tuaj dhe të gjithë qytetarëve tanë. Ndërkohë që, është mjaft e rëndësishme që politika debatin ta përqendrojë tek ekonomia, ta përqendrojë te punësimi dhe jo tek e kaluara, sepse me atë le të merren historianët.

Last Updated ( Saturday, 16 February 2013 10:05 )