|
||||
| SHBA-OKB për provën bërthamore të Koresë së Veriut |
|
Sekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kerri dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, thonë se prova bërthamore e Koresë së Veriut këtë javë nuk duhet të kalojë pa u ndëshkuar. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Skot Stërns, informon nga Departamenti i Shtetit. Ndërsa turmat në Fenian festuan atë që udhëheqësit e Koresë së Veriut e quajtën një provë të suksesshme bërthamore për vetëmbrojtjen e ligjshme, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, thotë se prova është një sfidë e drejtpërdrejtë për komunitetin ndërkombëtar. "Unë i kam bërë gjithnjë thirrje udhëheqjes së Penianit të heqë dorë nga programi i saj bërthamor dhe të përqendrohet në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për popullin korean, duke trajtuar nevojat e domosdoshme humanitare dhe gjendjen e të drejtave të njeriut në vend”. Para bisedimeve me zotin Ban, Sekretari i Shtetit, Xhon Kerri, tha se Koreja e Veriut është një kërcënim serioz për paqen në botë. "Prova e kësaj jave është një akt i rëndë provokues që kërkon një përgjigje të fortë, të shpejtë dhe të besueshme nga komuniteti ndërkombëtar”. Prova e tretë bërthamore e Koresë së Veriut në shkelje të një rezolute të Kombeve të Bashkuara u kritikua edhe nga Kina, e cila është aleatja më e madhe e Penianit. Sekretari Kerri tha se Kina mund të bëjë më shumë për të shkurajuar programin bërthamor të Koresë së Veriut. Por analisti i Institutit CATO, Xhastin Logan, thotë se Uashingtoni i ka dhënë Pekinit pak stimuj për të mbajtur një qëndrim më të rreptë ndaj Penianit. "Kinezët e dinë se janë një faktor me një farë rëndësie kur është fjala për Korenë e Veriut. Por, për mendimin tim, Uashingtoni nuk ka qenë i predispozuar të ndërmarrë hapa ambicioze në raport me çështjen e Koresë, për të kompensuar në fusha të tjera në raport me Kinën”. Sekretari Kerri dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, thonë se po punojnë me anëtarët e Këshillit të Sigurimit dhe aleatë të tjerë për të garantuar një përgjigje të përshtatshme ndaj provës bërthamore të Koresë së Veriut. Koreja e Veriut ka kërcënuar se do të ndërmarrë veprime të tjera më të forta nëse do të jetë e nevojshme për t’iu kundërvënë atij që e cilëson si qëndrim armiqësor të Shteteve të Bashkuara ndaj shtetit komunist.
Somarjo, Ban Ki Mun Unë i kam bërë gjithnjë thirrje udhëheqjes së Penianit të heqë dorë nga programi i saj bërthamor dhe të përqendrohet në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për popullin korean, duke trajtuar nevojat e domosdoshme humanitare dhe gjendjen e të drejtave të njeriut në vend |
| Last Updated ( Saturday, 16 February 2013 10:19 ) |



