- Partia Lëvizja Socialiste për Integrim www.lsi.al -
Written by Gazetari    Thursday, 17 June 2010 19:16    PDF Print E-mail
Ilir Dashi: Urdhri i operacioneve plotëson kartelën e pacientit

Pas daljes së urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë, për marrjen e konsensusit nga pacienti apo familjarët për kryerjen e operacioneve, drejtori i QSUT-së, Ilir Dashi, ka pohuar se me këtë procedurë plotësohet kartela e pacientit. Aktualisht, kjo praktikë është zbatuar në QSUT, por vetëm për rastet e rënda. Me këtë urdhër parashikohet që edhe akuzat për mjekët dhe pacientët të marrin fund. “Mendoj se është një urdhër shumë pozitiv dhe i efektshëm për të rregulluar këto marrëdhënie pacient-mjek, për më tepër që krijon një konsensus shumë të mirë, lidhur me ekzaminimet invazive dhe ndërhyrjet kirurgjikale, ku nëpërmjet një deklarate të veçantë, ndryshe nga deri më tani, pacienti ose familjari bie dakord për tre gjëra kryesore: procedurën që do të ndodhë, trajtimin alternativ që ka lidhje me këtë dhe rreziqet apo komplikacionet, që mund të shoqërojnë procedurën. Deri tani, ka qenë e paplotë, e shënuar diku në kartelë, por, gjithsesi, e pamjaftueshme. Me këtë deklaratë-konsensus, që merret nga pacienti apo familjari, rregullohen të dyja marrëdhëniet. I rëndësishëm është fakti se mjeku mbrohet në mënyrën më pozitive nga çdolloj ankese e mëvonshme ose komplikimi, por edhe pacienti është i ndërgjegjshëm dhe shumë më i informuar për çfarë do të trajtohet dhe çfarë do të ndodhë me të”, ka nënvizuar Dashi. Ky urdhër ka mbërritur gjatë ditës së djeshme në Drejtorinë e QSUT-së, dhe duke filluar nga dita e premte do të nisë shpërndarja e tij në të gjitha pavijonet, ku kryen ndërhyrje kirurgjikale.