|
Nga ILIR META “Në marsin e këtij viti, unë vizitova Luginën e Preshevës, kjo ishte vizita e parë e një zyrtari të lartë shqiptar që prej vitit 1913. Pritja që m’u bë gjatë vizitës në Luginë nga qytetarët e saj, pra nga ju dhe prindërit tuaj, takimet me drejtuesit e komunave do të mbeten të paharruara për mua.
Gjatë vizitës në vendlindjen tuaj unë bëra një premtim, që 100 nxënësit më të dalluar në mësime nga Lugina e Preshevës të vizitojnë për një javë Shqipërinë në pushimet e verës. Sot, pas tre muajsh, kam kënaqësinë e veçantë që takohem me ju, djemtë dhe vajzat e zgjedhur nga shkollat e Luginës së Preshevës, në ambientet e MPJ të Shqipërisë. Pra, po takohem me të ardhmen e Luginës, me djemtë e vajzat që nesër do të kontribuojnë për zhvillimin e gjithanshëm të vendlindjes së tyre. Më gëzon fakti se nga rreth 100 nxënës e mësues nga shkolla të ndryshme të Luginës, rreth një e katërta prej jush janë serbe. Kjo është një shenjë e mirë, që dëshmon se gjërat kanë filluar të lëvizin për mirë. Pa frikë se gaboj prania juaj sot këtu mund të konsiderohet si një shpresë e madhe ndryshimi, për një Ballkan me vizion evropian, për një Ballkan të lëvizjes së lirë të njerëzve, kulturave dhe mallrave, një Ballkan pa viza, ku qytetarët e tij, pavarësisht nëse janë nënshtetas të Shqipërisë, Maqedonisë, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi etj., të lëvizin lirisht pa viza. Ky është vizioni ynë për Ballkanin, kjo është arsyeja që dy muaj me parë, më 13 prill 2010, Shqipëria vendosi heqjen e vizave për qytetarët e Serbisë. Ne jemi të bindur se ky vendim i Qeverisë tonë i shërben integrimit rajonal dhe integrimit të rajonit tonë në Bashkimin Evropian. Gjithashtu, shpreh bindjen se dhe Qeveria e Serbisë, që po punon për integrimin e saj në BE, do të ndërmarrë të njëjtin hap, dhe qytetarët e Shqipërisë të lëvizin pa viza në Serbi, siç lëvizin në Maqedoni, Kosovë dhe Malin e Zi. Vizioni i Shqipërisë për një Ballkan evropian, ku njerëzit lëvizin lirisht, pa viza, në respekt të ligjit, mbështetet në frymën evropiane të bashkëjetesës dhe mirëkuptimit mes qytetarëve, pavarësisht nga përkatësia etnike, të parimeve që udhëheqin fqinjësinë e mirë mes vende, për integrimin tonë në familjen e madhe evropiane. Në këtë frymë, Shqipëria është për Ballkanin të integruar në BE, ku shumë e rëndësishme është bashkëjetesa ndëretnike, stabiliteti, mirëkuptimi, integrimi dhe zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik i tij. Shqipëria ka dëshmuar vullnetin e saj se është e vendosur të japë maksimumin e saj të mundshëm në shërbim dhe interesin më të mirë të bashkëjetesës dhe integrimit të qytetarëve dhe në Luginën e Preshevës. Natyrisht, jo brenda një dite mund të ndodhin mrekulli, por jam i sigurt se kjo kohë e re dhe kjo politikë e re që ndjek Shqipëria dhe që kërkon dhe Bashkimi Evropian nga të gjithë vendet që duan të anëtarësohen në rajonin tonë, padyshim që do të sjellë një progres për Luginën e Preshevës. Jo më kot kushti që unë vendosa për të zgjedhur 100 fëmijët ishte ai i më të dalluarve në mësime, sepse ne duhet të motivojmë fëmijët të mësojnë sa më shumë, pasi vetëm kështu i shërbehet më mirë zhvillimit, bashkëjetesës demokratike, si dhe për të qenë nesër qytetarë të denjë të familjes evropiane. Gjej rastin t’ju kujtoj se Ballkani, pra dhe Lugina e Preshevës po bëhen shoqëri gjithnjë e më të hapura. Një numër jo i vogël studentësh nga Lugina studiojnë në universitetet e Shqipërisë. Ju jeni studentët e ardhshëm nga Lugina e Preshevës që do të kontribuoni në ndërtimin e mëtejshëm të një shoqërie te hapur e të begatë evropiane në vendlindjen tuaj. Një pjesë prej jush do të ndjekin rrugën e vëllezërve dhe motrave tuaja, për të vazhduar studimet në universitetet e Shqipërisë dhe ne jemi të gatshëm të presim edhe më shumë studentë nga Lugina e Preshevës për studime universitare e pasuniversitare. Gjej rastin gjithashtu, të përshëndes kurorëzimin me sukses të procesit të votimit të Krijimit të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Serbi, dëshmi e maturisë politike dhe përgjegjshmërisë qytetare të subjekteve politike shqiptare dhe të gjithë votuesve shqiptarë në Republikën e Serbisë, si një hap që i kontribuon edhe më tej një Presheve evropiane. Një hap i rëndësishëm për garantimin, në rrugë institucionale, të të drejtave themelore të shqiptarëve atje ku jetojnë në Serbi. Për të mos e zgjatur ju që po vizitoni për një javë Shqipërinë, besoj se do t’u tregoni prindërve dhe të afërmve tuaj për ato që shikuat dhe dëgjuat në Shqipëri, për vendet historike dhe plazhet e Shqipërisë. Por, pa dyshim, ju do të përcillni se Shqipëria mbështet fuqishëm dhe po punon për një Ballkan evropian, pra edhe për një Shqipëri, Kosovë dhe Serbi evropiane, ku të gjithë qytetarët e rajonit të lëvizin lirisht në vendet e njeri-tjetrit, pavarësisht nga përkatësia etnike dhe përfitojnë sa më shumë nga fryma evropiane e mirëkuptimit, bashkëpunimit dhe integrimit. Besoj shumë se Presheva do të jetë një model i shkëlqyer i kësaj bashkëjetese demokratike dhe evropiane dhe ne do të punojmë më shumë për këtë. Edhe një herë ju uroj t’i kaloni gëzuar ditët e pushimeve në Shqipëri dhe mirë u takofshim përsëri në Tiranë apo Preshevë”. *Fjala e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, dje gjatë takimit me një grup me nxënës të dalluar të Luginës së Preshevës
|