|
||||
| Berisha: Paga mesatare do të bëhet 500 $ |
|
Kryeministri i vendit, Sali Berisha, u shpreh se rritja e rrogave dhe pensioneve do të vazhdojë dhe ky premtim, sipas kreu të qeverisë, do të bëhet realitet brenda tri javësh. Këtë deklaratë, kreu i ekzekutivit e bëri gjatë mbledhjes së Grupit parlamentar të Partisë Demokratike. “Më datë 1 korrik, 820 mijë familje shqiptare do të kenë në kontot e tyre një shtesë të rëndësishme, që tejkalon 2-7
herë inflacionin, i cili fatmirësisht po ulet; muajin e kaluar u ul me 1.2%”, tha Kryeministri, duke informuar deputetët e PD-së në mbledhjen e tyre të përjavshme. Berisha theksoi se rritja e rrogave dhe pensioneve është mundësuar nga performanca ekonomike dhe suksesi i padiskutueshëm i reformave. “Ata që menduan se rritja e vitit të shkuar ishte elektorale, do të dëshpërohen sivjet me rritjen e re, që është më e madhe sesa e vjetshmja”, theksoi kreu i qeverisë. Gjatë fjalës së tij në mbledhje, Berisha tha: “Ne po bëjmë një rritje rrogash e pensionesh, duke qenë vendi i vetëm që merr një vendim të tillë, por kemi arsye për ta bërë këtë, sepse jemi vendi me treguesit e perfomancës ekonomike më të mirë dhe kjo është plotësisht e mundshme”. Sipas tij, kjo rritje e re e rrogave e pensioneve i bën qytetarët shqiptarë të ndjehen më evropianë, pasi pagën mesatare, që 18 vjet më parë ishte 6 dollarë, e bëmë 500 dollarë. “Nuk ka një vend tjetër që në 20 vite të ketë pasur një rritje të tillë prej 80 herë e më shumë të pagës mesatare të punonjësve. Kjo rritje ka një specifikë, se pagën mesatare e gjetëm me 230 dollarë në vitin 2005 dhe e bëmë me rreth 500 dollarë në vitin 2010. Pra, ndjehemi të lehtësuar se u kemi faktuar shqiptarëve respektin për mundin, punën dhe përkushtimin e tyre", theksoi Kryeministri Berisha. “Ne, vijoi më tej ai, kemi bërë rritjen minimale të rrogave më të larta dhe rritjen maksimale të rrogave më të ulëta. Edhe këtë herë do të vazhdojmë me rritjen e rrogave më të ulëta, ndërsa të lartat thjesht do të indeksohen. Rrogat e ulëta do të njohin rritje të ndjeshme. Kjo është politika sociale e zemrës së dhimbsur dhe ne nuk heqim dorë nga këto parime”. Si do bëhet rritja e pagave Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Berisha informoi deputetët për rritjen e pagave dhe pensioneve, nga data 1 korrik, për 820 mijë qytetarë shqiptarë. Kryeministri u shpreh se po përmbushet programi i qeverisë për rritjen e pagave dhe pensioneve. Më tej, Kryeministri foli edhe për rritjen që Bashkia e Tiranës u ka bërë taksave për biznesin. Në fjalën e tij, kreu i ekzekutivit tha se programi i qeverisë për rritjen e rrogave dhe pensioneve për tre javët e ardhshme do të bëhet realitet. Berisha u shpreh se e gjithë kjo arritje vjen si rezultat i performancës ekonomike dhe rezultante e suksesit të reformave. Kështu, Kryeministri i vendit u shpreh: “Unë gjykoj se investimi në kapitalin njerëzor dhe ndjeshmëria ndaj kontributit të të moshuarve janë detyrime madhore të kësaj qeverie. Ndaj, ne bëjmë një rritje rrogash dhe pensionesh, siç theksova dhe në mbledhjen e qeverisë, realisht duke qenë vendi i vetëm që merr një vendim të tillë”. Berisha ka theksuar se programi i qeverisë do të zbatohet dhe po zbatohet pikë për pikë, sikundër dhe ishte parashikuar në buxhetin që ju votuat në Parlament jemi vendi i vetëm me treguesit e performancës ekonomike më të mirë dhe është plotësisht e mundshme. Ekonomia në rritje Po gjatë kësaj mbledhjeje, kreu i ekzekutivit tha se e gjithë kjo rritje e pagave dhe pensioneve vjen sepse ekonomia e vendit nuk është në nivele të ulëta, por ajo ka pësuar rritje. Sipas Berishës, ekonomia ka një start të admirueshëm dhe e gjithë kjo vihet re edhe nga ulja e inflacionit, i cili muajin e kaluar u ul me 1.2%. Për rritjen e ekonomisë, Berisha ka thënë se kjo do të vërtetohet shumë shpejt edhe nga një raport ndërkombëtar më të fundit për Shqipërinë, i institucionit më serioz në Evropë, i cili e bën ekonominë shqiptare dhe Shqipërinë si referencë për suksesin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të saj. Të gjithë këtë arritje, kreu i qeverisë e ka atribuuar si meritë të reformave që janë ndërmarrë nga qeveria, që janë votuar në Parlament dhe janë mbështetur nga Parlamenti. Kryeministri Berisha i ka cilësuar si të dhimbshme deklaratat e opozitës, të cilët nga mëngjesi në darkë flasin për borxhin me të njëjtën urrejtje siç flitej dikur për kapitalizmin dhe borxhin e tij. Megjithatë, ai ka shtuar, duke iu drejtuar dhe kryetarit të opozitës: “Unë dua t’u them qytetarëve shqiptarë se kjo qeveri e ka gjetur borxhin 72 për qind të Prodhimit të Brendshëm, ndërsa sot është 59 për qind. Në strukturën e tij është një nga borxhet më të mira që mund të ekzistojnë. Pjesa dërrmuese e tij, 60 për qind, është në lekë. Edhe pjesa tjetër është në kredi të buta, ose mjaft të favorshme nga institucionet ndërkombëtare. Ndaj, i them zotit Rama të lexojë pak më shumë, të thellohet pak te borxhi dhe struktura e tij”. |



