- Partia Lëvizja Socialiste për Integrim www.lsi.al -
Written by Gazetari    Thursday, 10 June 2010 18:39    PDF Print E-mail
Dhoma Amerikane e Tregtisë: Ngrini Gjykatën Administrative

Gjykata Administrative vazhdon të kërkohet me këmbëngulje nga përfaqësuesit e biznesit në vend. Kryetarja e Dhomës Amerikane të Tregtisë, Floreta Luli-Faber, i ka bërë thirrje klasës politike shqiptare që ta kalojnë sa më shpejt këtë projektligj pasi i jep zgjidhje shumë problemeve të rëndësishme të biznesit shqiptar. Duke folur për një stacion televiziv, Floreta Luli-Faber bëri edhe një herë apel opozitës, që të japë ndihmesën e saj dhe t’i bëjë një shërbim të rëndësishëm komunitetit të biznesit. “Kërkojmë edhe një herë miratimin e këtij projektligji nga ana e parlamentit. Kemi kërkuar gjatë gjithë kësaj kohe, pra që pas miratimin të projektligjit për Gjykatën Administrative në komisionet parlamentare, që të përfshihej në axhendën e punimeve të parlamentit. Sot jemi në një situatë të tillë, ku parlamenti ka nisur të funksionojë me fuqi të plota me rikthimin e opozitës dhe ka kaluar disa ligje të rëndësishme. Ne si komunitet biznesi shpresojmë shumë që të kemi marrë vëmendjen e duhur, që ky ligj jo vetëm të përfshihet në axhendë, por të marrë edhe aprovimin nga ligjvënësit. Miratimi i këtij ligji ka një bazë shumë të gjerë interesash”, deklaroi kryetarja e Dhomës Amerikane të Tregtisë, Floreta Luli-Faber.
Qëndrimi i Konfindustrias
Konfindustria vazhdon të qëndrojë në të njëjtin mendim për ngritjen e kësaj gjykate, pasi sipas kryetarit, Gjergj Buxhuku, mungesa e kësaj gjykatë nuk krijon shumë avantazh për investimet e huaja në Shqipëri. “Mënyra më e mirë për të ndalur çdo spekulim zgjedhor dhe me natyrë politike është miratimi i njëzëshëm nga deputetët e të gjitha ngjyrave i projektligjit të Gjykatave Administrative. Domosdoshmëria e 84 votave për të miratuar projektligjin në fjalë e bën, pa përjashtim të gjithë vendimmarrjen politike bashkëpjesëmarrëse në sukses dhe mënjanon çdo përpjekje për përfitime zgjedhore nga cilado parti e veçantë”, ka deklaruar Gjergj Buxhuku, administrator i Përgjithshëm i Konfindustrisë. Sipas tij, kërkesa e vendosur dhe e qartë e gjithë biznesit shqiptar për ndërtimin sa më të shpejtë të Gjykatave Administrative, si pjesë e munguar e domosdoshme e sistemit të drejtësisë, si dhe fushata zgjedhore në zhvillim e sipër, japin rastin më të mirë për partitë politike për të treguar se pushtetin nuk e kanë qëllim në vetvete, por e kërkojnë për ndërtimin e shtetit demokratik në shërbim të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm të vendit dhe mirëqenies së qytetarëve shqiptarë.
Përpjekjet e biznesit
Ndërkaq, Dhoma Amerikane e Tregtisë i ka çuar një letër parlamentit shqiptar, ku kërkon aprovimin sa më shpejt të ligjit për krijimin e Gjykatës Administrative, pasi në të kundërt Shqipëria përjashtohet nga ndihma prej miliona eurosh që ofron projekti i Sfidës së Mijëvjeçarit. Sipas përfaqësuesve të biznesit, ky projektligj plotëson një institucion të munguar dhe të domosdoshëm për sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Ai është një zgjidhje e mirë dhe një nismë që gëzon përkrahjen e komunitetit të biznesit, të përfaqësuar në një shkallë të gjerë nga shoqatat, palë në këtë deklaratë. Gjatë muajve të fundit, grupimi i disa bizneseve kanë kërkuar disa herë miratimin e këtij ligji nga Parlamenti. Në këtë iniciativë u bashkuan Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri, Shoqata e Ndërtuesve, Konfindustria, Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar, Shoqata Shqiptare e Turizmit, Shoqata e Grave Afariste dhe Profesioniste, Instituti i Kontabilistëve të Miratuar, si dhe Agjencia Rajonale për Zhvillim. Në mbështetje të miratimit të ligjit, organizatat e biznesit janë përfshirë intensivisht në disa tryeza bisedimesh me përfaqësues të opozitës dhe mazhorancës në nivel politik dhe ekspertësh, ku është vërejtur se përfaqësuesit e pozitës janë treguar të hapur për pranimin e vërejtjeve të opozitës dhe të biznesit. Projektligji për ngritjen e Gjykatës Administrative ka muaj që është çuar në parlament, por ka ngecur me bllokimin e votave të opozitës, pasi kërkon 84 të tilla.