- Partia Lëvizja Socialiste për Integrim www.lsi.al -
Written by Gazetari    Sunday, 06 June 2010 19:13    PDF Print E-mail
Dialogu si sjellje demokratike

Nga Muhamet Basho
Prej mjaft kohësh, nga shtatori i vitit të kaluar dhe deri tani, opinioni publik i vendit është mbërthyer te ngërçi politik, që ka lindur nga kërkesa e Partisë Socialiste për transparencë të zgjedhjeve të qershorit të 2009-ës (kërkesa për hapjen e kutive të votimit) sepse ai proces zgjedhor është deformuar. Ky ngërç mund të zgjidhet vetëm mbi bazën e një dialogu të drejtë midis mazhorancës dhe opozitës. Përpjekje për dialog janë bërë, madje u organizua edhe një tryezë te Presidenti i Republikës, Topi. Dialogu nuk solli zgjidhje, prandaj partnerët tanë evropianë thirrën në një darkë pune dy drejtuesit e dy forcave kryesore politike në Strasburg, dhe u shtruan kërkesën që të gjejnë një zgjidhje ligjore e kushtetuese, përmes dialogut, për të bërë transparencën e kërkuar nga opozita socialiste. Deri tani dialogu nuk ka sjellë zgjidhje dhe kjo vjen nga që palët nuk janë në kërkim të urave që i bashkojnë, por ngrenë “armatura” për të fituar mbi njëra-tjetrën. Kjo qasje nuk është aspak mënyrë dhe model dialogu, prandaj duhet kapërcyer sa më parë.
Dialogu është bashkëbisedim, rrahje mendimesh për çështje të caktuara nga dy a më shumë aktorë, që futen në bisedim drejtpërdrejt. Ai vjen si një nevojë për të afruar pikëpamjet dhe qëndrimet për synime të përbashkëta. Dialogu është instrumenti më i mirë për të gjetur zgjidhje të pranueshme për çështje që palët nuk kanë të njëjtat mendime e qëndrime, kur problemi bëhet një “zonë” e askujt, kur aty nuk mund të ketë “akses” asnjë palë dhe prandaj lind nevoja për të biseduar si të gjenden rrugët për t’u afruar. Përmes bisedimeve kërkohen dhe gjenden zgjidhjet.
Palët që hyjnë në dialog janë entitete dinamike që duhet të ribëhen në mënyrë periodike. Kjo do të thotë se palët e kanë të nevojshme të vihen në kërkim të pikave ku mund të merren vesh për të dalë nga impaset, nga gjendjet “toksike” të mbarsura me mosmarrëveshje, me konflikte, me tensione; të dalin nga ajo situatë kur dhe njerëzit janë “abonuar” me ide fikse dhe përdorin sjelljet agresive si modalitete komunikimi, kur njëra ose të dy palët ushqejnë idenë se janë të pathyeshëm dhe të fortë në pozicionin e vet. Sot faktorët shoqërorë e psikologjikë janë të prirur të dobësojnë disa vlera të përbashkëta të bashkëjetesës, të mirëkuptimit dhe vlera të tjera si barazia, njerzillëku dhe solidariteti demokratik. Shoqëria jonë po ndeshet shumë shpesh me sublimimin e dështimeve personalë politike të liderëve, të cilët sulmojnë të tjerët me akuza dhe kanë synim eliminimin e kundërshtarit.
Dialogu do të ishte një terapi parandaluese sepse ai redukton stresin e qytetarëve, përmirëson klimën politike dhe shoqërore dhe zhbllokon pengesat artificiale që krijohen për të shpënë përpara proceset e zhvillimit.
Aktualisht politika është para një situate konfliktuale midis mazhorancës dhe opozitës, situatë e krijuar nga mospranimi i rezultatit të zgjedhjeve të qershorit të vitit të kaluar. Opozita pretendon që është dëmtuar nga vjedhja e votave dhe mbi këtë pretendim ka ndërtuar mekanizma psikologjikë të dialogut negativ që karakterizohet nga kritikat dhe akuzat sistematike ndaj çdo qëndrimi e veprimi të qeverisë dhe të mazhorancës; nga mospranimi i ofertave që bën qeveria për të përmirësuar komunikimin; me heshtje ose shmangie nga diskutimi i çështjeve për të cilat ka mosmarrëveshje.
Aktualisht të dy palët, pozita dhe opozita, nuk kanë qasje komunikimi të marrëdhënieve horizontale, me të cilat nënkuptohen dashuria, mirëkuptimi, delikatesa në sjellje. Ato janë kyçur në marrëdhënie vertikale, që do të thotë nisen nga pozitat e zotërimit, të epërsisë. Vetëm marrëdhëniet e bazuara mbi konceptin “unë” dhe “ti” të çojnë te dialogu dhe marrëveshja. Kur marrëdhëniet bazohen mbi konceptin “unë” dhe “diçka” kemi monolog. Ura lidhëse është përpjekja për të punuar së bashku për qëllime të përbashkëta. Në një farë mënyre në politikën e përditshme riprojektohet e shkuara në të ardhmen, merren modele që u ka ikur koha. Protestat, bllokimet e institucioneve, greva e urisë nga opozita, edhe pse janë instrumente demokratike, kur nuk janë të motivuara, kur nuk burojnë nga kauza të drejta, por bëhen me idenë të dukesh i fortë, i pathyeshëm, të shpien në agresivitet destruktiv, të bëjnë të papranueshëm.
Mosmarrëveshjet zgjidhen kur kërkohet origjina e konfliktit apo e gabimeve. Ngërçi politik është një alibi që ka ngritur kryetari i PS-së për të justifikuar humbjen personale në zgjedhjet e vitit të kaluar. Vërtet ai ka mundur ta “institucionalizojë” këtë pseudokauzë në Partinë Socialiste dhe tek aleatët e majtë e të djathtë që ka “rimorkiuar”, por shoqëria shqiptare kërkon të shqyrtohet me qetësi, me realizëm gjendja dhe të dialogohet për të gjetur rrugët për ta zgjidhur ngërçin politik.
Dialogu demokratik ndodh kur ke ndjenja demokratike. Ndjenja demokratike është aftësia për të dëgjuar tjetrin, për të kuptuar, për të pranuar se ai është në hapësirën e në kohën e vet, për të ditur të futësh delikatesë në marrëdhëniet me tjetrin. Kjo nuk po duket të ndodhë. Ndjenja demokratike mësohet duke dialoguar. Është koha kur duhet të “çmësojmë marrëzitë, zakonet frenuese dhe ndjenjën e zotërimit mbi të tjerët. Këtë duhet ta bëjmë nëpërmjet komunikimit të drejtë, duke zbuluar vlerat e vërteta. Të çrrënjosim nga e folura e përditshme marrëzitë e fshehura nga gjuha e sharjeve, predikimeve morale, nga urdhrat, fajësimet, frikësimet, joshjet, diagnozat dhe prognozat vulgare, nga sjelljet jonjerëzore.
Partia Socialiste me mospjesëmarrjen e deputetëve të saj për gjashtë muaj në Kuvend mori “notë” negative, harroi të bëjë dialog, ajo doli në rrugë dhe bëri një politikë të rrugës me protesta, politikë jashtë institucioneve dhe tani ka vështirësi të futet në dialog me mazhorancën, përdor modele komunikimi jodemokratike. Rama në rrugë ndjehet vetvetja, sepse ai aty flet, bën monolog, ndërsa në kuvend e ka të vështirë të dialogojë, të paraqis dhe të mbrojë vizionet, idetë dhe qëndrimet ndaj proceseve që zhvillohen dhe opozita ka mendimet apo qëndrimet e veta që i ballafaqon me mazhorancën në institucion.
Cilët janë ata faktorë që pengojnë dialogun pozitë-opozitë të shikojnë atë që është thelbësore në momentin e tanishëm? Në radhë të parë është “perceptimi selektiv” që PS-ja përdor në leximin e situatës. Zgjedhjet e kaluara ishin më të mirat që janë organizuar në vendin tonë. Ato u certifikuan nga institucionet ligjore të vendit dhe nga faktorët ndërkombëtarë. Pati të meta, por ato nuk ishin thelbësore. Të metat e procesit zgjedhor në zgjedhjet e kaluara duhen identifikuar dhe të punohet për t’i shmangur në zgjedhjet e ardhshme. Partia Socialiste nuk njeh asnjë të metë të vetën, asnjë gabim të sajin. Ajo akuzon qeverinë dhe mazhorancën për “deformim” të procesit zgjedhor dhe kërkon transparencë të plotë përmes hapjes së kutive të votimit, duke anashkaluar vendimet e ligjshme. Kjo rrugë nuk shpie në përmirësim të situatës politike e shoqërore, nuk ndihmon vetë zgjidhjen e ngërçit politik dhe krijimin e një atmosfere ku mosmarrëveshjen zgjidhen me dialog e në mirëkuptim në të mirë të qytetarëve dhe jo në interes të individëve apo të ndonjë grupi të caktuar.
“Nazet” që po i bëhen dialogut të kërkuar edhe me insistimin e partnerëve tanë evropianë, po tregojnë se politikanët tanë nuk e kanë mësuar demokracinë dhe thelbin e sjelljes demokratike-dialogun.
This e-mail address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it