- Partia Lëvizja Socialiste për Integrim www.lsi.al -
Written by Gazetari    Sunday, 06 June 2010 19:09    PDF Print E-mail
Lugina e Preshevës voton për këshillat e pakicave

Shqiptarët e Luginës së Preshevës, aderuesit e dy partive politike - të PVD-së dhe UDSH-së, të dielën votuan për formimin e Këshillit Nacional. Në tri komunat e Luginës së Preshevës (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) që në orën 07:00 kanë qenë të hapura 49 vendvotime, në të cilët rreth 27.521 shqiptarë, të regjistruar në listën zgjedhore, do të mund të votojnë, për të zgjedhur Këshillin Kombëtar të tyre. Partia për Veprim Demokratik (PVD) dhe Unioni Demokratik Shqiptar (UDSH), këto dy subjekte politike në Luginë, kanë ftuar popullatën shqiptare që të dilet sa më masivisht në zgjedhjet e djeshme, për formimin e Këshillit Nacional, ndërsa partitë tjera si: PDSH, BDL, LPD, PDK dhe LKSH kanë apeluar te popullata shqiptare t`i bojkotojnë këto zgjedhje.
Sipas kryetarit të Komisionit Qendror Zgjedhor për Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafa, zgjedhjet për këtë organ po zhvillohen pa ndonjë problem të theksuar, dhe se “ndonëse në to marrim pjesë për herë të parë”, shpreson se do të përfundojnë pa probleme.
Mustafa bëri të ditur se në Komunën e Bujanocit me të drejtë vote janë 15.234 votues, dhe janë të hapura gjithsej 26 vendvotime, ndërsa në Preshevë nga 12.287 votues, janë të hapura 23 vendvotime, ndërkaq në komunën e Medvegjës është hapur vetëm një vendvotim, për zgjedhjet e Këshillit Nacional për shqiptarët dhe romët.
Sipas Mustafës, deri në orën 16:00 në këto zgjedhje kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre të votojnë për Këshillin Nacional rreth 30 për qind e qytetarëve shqiptarë të Luginës.
Në orët e paradites të drejtën qytetare e kanë shfrytëzuar liderët e dy partive pjesëmarrëse në zgjedhje. Sipas tyre, Këshilli Nacional i Shqiptarëve garanton me ligj të drejtën në arsim, kulturë, informim, në përdorimin e simboleve kombëtare dhe të drejtën e përdorimit të lirë të dygjuhësisë.
Vendvotimet do të jenë të hapura deri në orën 20:00, ndërsa rezultatet e para preliminare, pritet të jepen rreth orës 23:00, ndërsa ato përfundimtare priten të shpallen më 9 qershor.
Këshillat kombëtare iu mundësojnë pakicave që të kenë kompetenca në pesë sfera, që përbëjnë korpusin e të drejtave elementare, siç është e drejta në arsim, kulturë, informim, në përdorimin e lirë të simboleve kombëtare dhe në përdorim të dygjuhësisë.