|
Written by Gazetari
Thursday, 03 June 2010 19:53
|
|
|
|
|
|
Hyseni: Bosnja do të njoh së shpejti Pavarësinë e Kosovës
|
Bosnja-Hercegovina së shpejti do ta njohë pavarësinë e Kosovës, ka deklaruar dje ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, pas konferencës së ministrave të BE-së dhe shteteve të rajonit në Sarajevë. "Nuk shoh arsye përse BeH të mos njohë pavarësinë (e Kosovës) dhe pres së shpejti që kjo edhe të ndodhë", theksoi Hyseni, duke shtuar se për këtë "të gjitha pengesat do të eliminohen".
"Edhe pse i kuptoj disa probleme të brendshme, nëse ekzistojnë në BeH, por jam i sigurt se do të vijë njohja dhe se për këtë shumë shpejt do të bisedohet", u tha Hyseni mediave të Sarajevës. Sipas Hysenit, "Kosova dhe BeH nuk kanë çështje dhe probleme të pazgjidhura dhe do të vijë koha për këtë", ka deklaruar shefi i diplomacisë kosovare në një intervistë për të përditshmen e Sarajevës "Dnevni avaz", e cila, për Skënder Hysenin, thotë se është një diplomat me përvojë të pasur dhe ish-këshilltar i liderit të Kosovës, Ibrahim Rugova, transmeton QIK-u. Hyseni, konferencën e Sarajevës e vlerësoi si një "takim të dobishëm" që u mbajt në "kohën e duhur për Ballkanin Perëndimor". "Në kohën e lodhjes me zgjerimin e BE-së kjo është një çështje kyçe - që të t'u thuhet të gjitha shteteve se Unioni nuk i ka mbyllur dyert për to", tha Hyseni, duke e cilësuar si lajm të mirë edhe heqjen e vizave për BeH dhe Shqipërinë, duke shtuar se edhe "Kosova së shpejti do të fillojë bisedimet" për vizat. "Kosova para dhjetë vitesh ishte larg nga pavarësia, ndërsa tani është një faktor i rëndësishëm rajonal", vlerësoi Hyseni. Në konstatimin për disa paralajmërime se shefi i diplomacisë serbe Jeremiç mund ta braktiste konferencën gjatë fjalës së Hysenit dhe nëse ajo ka ndodhur, ministri Hyseni mohoi ta ketë bërë këtë Jeremiç, duke shtuar se nuk dëshiron t'i komentojë paralajmërimet e tilla. "Ka mbetur në sallë, nuk e di, po mbase ka dëgjuar çfarë kam folur. Për këtë duhet ta pyesni atë", tha Hyseni.
|