- Partia Lëvizja Socialiste për Integrim www.lsi.al -
Wednesday, 19 May 2010 16:52    PDF Print E-mail
Ne kemi nevojë për Evropën

Ivana Tomço
Epoka jonë më së shumti, na propozon vetëm një ideal suksesi, të bazuar mbi pasurimin dhe karrierën profesionale, që imponojnë realizimin e vetvetes nëpërmjet kritereve thjesht ekonomike. Gjendja e ankthit të shoqërisë sonë shpjegohet gjithashtu edhe me dallimin e madh që ekziston mes asaj që ne kemi pritur dhe realitetit që na ofrohet. Përparimet e gjithanshme shkencore, teknike, na kishin bërë të mendonim se po shkonim drejt një shoqërie gjithnjë e më harmonike, pa konflikte dhe që do ta kishim të thjeshtë të menaxhonim fatet tona. Kishim jetuar me iluzionin e një bote të pastër e të sterilizuar, ndërkohë që SIDA mbërriti dhe prishi  imazhin e seksualitetit - vendit të lirisë dhe shpërthimit të vetvetes. Sot, seksi duhet të jetë i mbrojtur, përndryshe, mund të të vrasë. Sot mund të marrim sëmundje të tmerrshme nëpër spitale - vendi ku shkojmë për t’u shëruar. Shkolla, tradicionalisht vendi i integrimit, sot është bërë hapësirë dhune dhe pasigurie. Përballë rrezikut të papunësisë, sëmundjeve, dhunës, luftërave, ne ndihemi të pambrojtur.
Por, a duhet të mendojmë se frika dhe ankthet janë diçka e paligjshme? Unë them: absolutisht jo. Ankthet janë gjithnjë të ligjshëm dhe janë rezultat i një sërë fenomenesh të sotëm, që, të radhitur njeri pas tjetrit, prodhojnë një klimë pasigurie kolektive dhe personale. Së pari, përgjegjës është zhvillimi dhe përmasat që ka marrë individualizmi. Ky faktor izolimi e ka bërë unin tonë aq të rëndësishëm dhe mbizotërues, saqë ai na detyron të përsosemi dhe të realizohemi në të gjitha planet: personal, profesional dhe afektiv për të mundur të dominojmë. Kjo është bërë tashmë një peshë e rëndë për të gjithë ne.
Përballë kësaj situate, disa fajësojnë veten. P.sh: të rinjtë që kërkojnë punë, mendojnë se janë vetë ata, totalisht përgjegjës për këtë situatë, ngaqë nuk kanë ditur të integrohen. Unë mendoj se ankthet dhe frika e sotme, nuk janë emocione që i ndeshim për herë të parë. Njeriu i sotëm, i ndodhur mes dëshirave të tij të shumta, të pakufishme dhe padrejtësive të imponuara nga të tjera qenie njerëzore, është jo vetëm i ekspozuar ndaj frikës dhe ankthit, por i dënuar të vuajë pasojat.
Disa nga problemet tona kanë dimension lokal, të tjerë kanë dimension botëror. Dhe këto nuk janë probleme abstrakte, apo teorike. Këto probleme janë në zemër të jetës sonë politike. Por, nuk mund të zgjidhen nga një vend i vetëm. Kur problemi është botëror, Evropa duhet të veprojë për të marrë pjesë në një dialog që projekton botën e së nesërmes.
Pra, ne kemi nevojë për Evropën e shekullit të 21-të për të zgjidhur problemet që nuk mund të zgjidhim vetë. Kemi nevojë për Evropën, pasi ajo i shërben interesave tona. Por, mund të shkoj edhe më larg. Ne kemi nevojë për të, pasi ajo mbart vlerat tona. Asnjëherë s'ka pasur në shoqërinë njerëzore, një strukturë ndërkombëtare, në të cilën një parlament shumëkombësh të ushtrojë një pushtet të tillë që ushtron Parlamenti Evropian. Paqja, liria dhe demokracia kanë vullnetin të afrojnë qytetarët. Pa dyshim, kemi një krizë besimi, një lloj ankthi ekzistencial përpara pasojave të globalizimit, të plakjes së popullsisë, brishtësisë së sistemit shoqëror.
A do të jemi në gjendje t'u bëjmë ballë këtyre sfidave?
Natyrisht, duke reaguar e duke investuar në ideale të mëdha kolektive, pasi këta faktorë shprese mund të premtojnë për një të ardhme më të mirë. Ne do të reagojmë dhe do të veprojmë pa pasur frikë nga asgjë. Ajo që ne duhet të luftojmë më shumë është frika jonë, ose më mirë, frikët tona, sidomos ato që i shpalosim pa u skuqur aspak para fëmijëve tanë. Një njeri që ka frikë, vdes 100 herë në ditë, ndërsa ai që nuk vuan nga kjo, vdes vetëm një herë. Të merresh me frikën, do të thotë të fillosh të vdesësh. Dhe ta bësh këtë hapur, para fëmijëve të tu, në televizion apo diku tjetër, do të thotë të vrasësh dëshirën e tyre për të shijuar botën.
Ja pse nuk jam dakord me ata që trumbetojnë parimin e famshëm të të ruajturit nga gjithçka: parim llahtarisës dhe vrasës, e kundërta e parimit të dëshirës, e cila e gjallëron shoqërinë. Ja pse ndjej neveri ndaj të gjithë panikndjellësve modernë, ndaj atyre që tentojnë të prishin imazhin e vendit tonë, ndaj frikësuesve të çdo lloji, të cilët duke vepruar në emër të kësaj apo asaj çështjeje, nuk bëjnë tjetër veçse shpërndajnë ankth dhe mosbesim ndaj jetës. Ndonjëherë, natyrisht, ata kanë të drejtë, por duhet të kenë parasysh se dëmi që i shkaktojnë tjetrit, shpesh është shkatërrues. Është gabim të trembësh, të tronditësh qenie të tjera njerëzore, të cilat, në një moment të caktuar, aspirojnë të kenë gëzim në zemrën e tyre. Askush nuk ka të drejtë të plagosë entuziazmin që ka tjetri për jetën.
Përse? Sepse në gjithçka, zgjidhjet e vërteta ekzistojnë dhe gjenden vetëm me dëshirë dhe vullnet. Si do të mundim t'i edukojmë fëmijët tanë që të mos kenë frikë, në një botë ku të rriturit shpalosin frikën e tyre pa iu dridhur qerpiku? Si t'i ndihmojmë të vegjlit të shërohen nga kjo sëmundje ngjitëse, e cila po ndal vrullin e brezit të ri? Fillimisht, duke detyruar më parë veten tonë të mos kemi frikë, fëmijët tanë perceptojnë dhe përvetësojnë më lehtë atë që ne jemi, pra, modelin tonë, sesa atë që ne iu themi atyre. Le të japim edhe ne shembullin tonë! Realiteti është më i gjerë sesa ne e mendojmë. Asgjë nuk është e parealizueshme, përveç asaj që ne e konsiderojmë si të tillë.  I parealizueshëm dhe i rrezikshëm është vetëm këndvështrimi ynë, nëse ne vërtet nuk duam ta ndryshojmë.