|
Friday, 14 May 2010 17:49
|
|
|
|
|
|
Dita e parë e festivalit të Kanës, një ditë kushtuar filmit shqiptar
|
Vetëm një ditë pas çeljes së Festivalit të madh të Kanës, data 13 maj, i është kushtuar filmit shqiptar. Qendra Kombëtare Kinematografike është e pranishme në këtë festival me një pavijon të sajin. Delegacioni shqiptar, në përbërje të të cilit janë Artan Minarolli në cilësinë e kryetarit të QKK-së, aktori Bujar Lako dhe producentët apo përfaqësuesit e kompanive filmike SAE TRIMEX, “Onfilm production”,
“Erafilm production”, “Red helicopter films”, “Zig-Zak” film, “Artfilm P&D” dhe “Atrid film”, do të synojnë veçanërisht të vendosin kontakte që ndoshta mund të sigurojnë bashkëprodhime në të ardhmen. Përveç regjisorëve e aktorëve që shkelin tapetin e kuq për të promovuar premiera e për t’u bërë pjesë e garës së fortë për çmime, në festivale të mëdha, si ai i Kanës, ka një prani të madhe të producentëve ndërkombëtarë, të cilët piketojnë investimet e ardhshme në aktivitete të tilla. Pikërisht për këtë arsye, Qendra Kombëtare Kinematografike vendosi të prezantohet në këtë edicion të 63 me një pavijon të sajin, që mban nr. 138, i cili bën pjesë në ndarjen e Evropës Juglindore. Hapësira e këtij pavijoni do të shfrytëzohet për të prezantuar dhe promovuar prodhimet kinematografike shqiptare të katër viteve të fundit. Materialet prezantuese përbëhen nga një album me të gjitha prodhimet filmike që ka Qendra Kombëtare Kinematografike nga viti 2006 deri 2010, traleri i QKK-së dhe i të gjithë filmave të kësaj periudhe, një album i Evropës Juglindore ku Shqipëria ka vendin e saj, si dhe shumë postera, fletëpalosje dhe DVD të filmave në fjalë. Kinematografia shqiptare është gjithashtu pjesë e albumit kryesor të Festivalit të Kanës. “Pas pjesëmarrjes së suksesshme në Euroimage, në strukturat e SEE, si dhe përgatitjes së dosjes për anëtarësim në European Film Market (EFP), kjo iniciativë e fundit është ndërmarrë nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë për të promovuar filmin shqiptar në botë dhe të gjitha vlerat më të mira të artit kinematografik, për t’i dhënë një jehonë akoma më të madhe kulturës, traditës dhe historisë shqiptare”, ka theksuar drejtori i QKK-s, Artan Minarolli. Pavijoni shqiptar do të qëndrojë i hapur deri më datën 23 maj, që shënon edhe mbylljen e Festivalit të Kanës.
|