| Kryeqyteti shqiptar ka mbledhur prej ditësh teatrot kryesorë të rajonit, duke sjellë shfaqje të mrekullueshme me një kombinim dhe larmi këndvështrimesh. Shfaqja “Një përkujtim në kafe-teatër”, me tekst dhe regji të Haqif Mulliqit, është shfaqja e vetme nga Kosova, që merr pjesë në Festivalin Ballkanik të Teatrove Profesioniste. “6 personazhet e tij që kërkojnë autor”, e regjisorit Mehmet Xhelili, shfaqje e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, ka hapur të mërkurën mbrëma edicionin e parë të këtij festivali. “Një përkujtim...” do të ngjitet në skenë të dielën në mbrëmje. Dramaturgu dhe regjisori kosovar, Haqif Mulliqi, i cili njëherësh është edhe bashkorganizator dhe përzgjedhës i shfaqjeve pjesëmarrëse të këtij festivali, ka thënë se edicioni i parë i tij është menduar si një eveniment i rëndësishëm. “Në Tiranë ky festival ka mbledhur produksione teatrore të rajonit, të cilat kanë arritur sukses të caktuar në festivale të ndryshme dhe të cilat përfaqësojnë në mënyrë të denjë teatrin kombëtar të shtetit në fjalë”, ka thënë Mulliqi.
Për shfaqjen e tij, të cilën ai bashkë me drejtorin e këtij festivali, regjisorin Gëzim Kume, e kanë përzgjedhur të jetë pjesë e festivalit, ka thënë se ajo nuk ka mundur të ketë konkurrencë në kriteret e kërkuara, sepse, siç ka thënë ai, nuk ka ndonjë shfaqje nga Kosova, e cila ka lëvizur më shumë nëpër festivale sesa “Një përkujtim për kafe-teatër”, produksion i teatrit “Dodona”.
“Shfaqja ime ka arritur sukses, sepse ka qenë në konkurrencë në festivale të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, ndërsa prezantimi i saj në festival do të bëhet me kërkesën e drejtorit të festivalit, Gëzim Kame”, ka thënë Mulliqi, teksa ka kujtuar se “Një përkujtim ...” është fituese e edicionit të vitit të kaluar të Festivalit të Teatrit në Ferizajt, ndërsa ka marrë pjesë edhe në Festivalin Ndërkombëtar të Amanit në Jordani. “Kjo është një shfaqje që ka bërë jetën e saj dhe shpresoj që do të ketë një komunikim të mirë me publikun edhe në Tiranë”, ka thënë ai. Në “Një përkujtim...”, luajnë aktorët Ismet Azemi dhe Mentor Zymberaj. Teksa ka thënë se kjo shfaqje riciklon aspekte politike dhe sociale të pasluftës në Kosovë, Mulliqi ka sqaruar më shumë detaje rreth shfaqjes.
“Është një shfaqje e cila trajton problemin e veteranëve të luftës, të cilët nuk janë aq të socializuar pas përfundimit të luftës në Kosovë. Nuk u është krijuar hapësirë për t’u bërë pjesë e shoqërisë, kështu që personazhi përpiqet të artikulojë dëshpërimin e tij të madh. Ai kërkon viktimën e tij ekzekutuese”, ka thënë Mulliqi. Për Mulliqin, fakti që artistët kosovarë po prezantohen në këtë festival është një indikator që mundësitë për t’u integruar kulturalisht të dy shtetet dhe për të bashkëvepruar edhe në aktivitete të tilla janë gjithnjë e më të mëdha.
Edhe drejtori i këtij festivali, në një prononcim të shkurtër për “Kohën Ditore”, ka thënë se gjithçka po shkon sipas planit. “Është duke shkuar shumë mirë e gjithë rrjedha e festivalit”, ka thënë Kame.
Ajo që Mulliqi e ka vlerësuar të rëndësishme është fakti se institucionet në Shqipëri i kanë kushtuar rëndësi të posaçme këtij festivali. “Ai mbahet nën patronazhin e Zëvendëskryeministrit Ilir Meta. Ndërsa në mbrëmjen e parë kanë qenë prezent edhe Kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferraj”, ka thënë Mulliqi. Në edicionin e parë të këtij festivali, i cili nuk ka karakter garues, marrin pjesë teatri “Racho Stoyanov” i Bullgarisë, Teatri i Qytetit të Podgoricës së Malit të Zi, teatri “Zoran Radmiloviq” nga Serbia, teatri “Bitola” nga Maqedonia, teatri “Tuzëll” nga Bosnjë-Hercegovina dhe teatri “Blue-Plaque” i Athinës së Greqisë. Në sallën e Teatrit Kombëtar në Tiranë ka filluar i pari festival i teatrit profesionist nga vendet e Ballkanit. 8 trupa nga rajoni, do të konkurojnë mes tyre për trofetë e regjisorit, autorit dhe aktorit më të mirë. Salla e Teatrit Kombëtar në Tiranë e ka nisur shumë më herët se zakonisht sezonin artistik 2010 -2011. Dhe hapja ka qenë e veçantë, pasi për një javë rresht spektatorët do të jenë prezent në një festival premierë, ku trupa profesioniste nga 8 vende ballkanike, Shqipëria, Bullgaria, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia, Kosova, Bosnje-Hercegovina dhe Greqia, do të konkurrojnë mes tyre. Regjisori i njohur i skenës së teatrit shqiptare, Gëzim Kame, është drejtori i këtij Festivalit. Kame nuk e fsheh kënaqësinë se projekti i tij dhe nga stafi që e mbështet pas një kohe të gjatë tashmë është bërë realitet. Kështu hidhet baza për një evenimenti mjaft të rëndësishëm artistik rajonal, që do të krijojë padyshim traditën e vet në të ardhmen, thotë Kame. “Ideja është që siç thotë Sokrati ‘O njeri njih hundën tënde' edhe në këtu është mirë të njohim njeri-tjetrin, tërë këto lloj mentalitetesh, që ekzistojnë rreth e qark nesh. Duke njohur njeri-tjetrin, duke përkrahur njeri-tjetrin, dorë për dore mund të shkojmë drejt Evropës pastaj, pra më larg nga vetja”. Nadia Asenova shton se pjesa konkurruese e secilit nga pjesëmarrësit nuk shkon më shumë se 2 orë çdo mbrëmje. Ajo për të cilën jam e interesuar është diskutimi mes kolegëve dhe krijuesve nga trupat e tjera. “Sepse është shumë mirë kur ne shikojmë se çfarë bëjnë kolegët tanë. Si arrijnë të mbijetojnë me projektet teatrore në vendet e tyre, çfarë mund të bëjmë për të hyrë në marrëdhënie dy ose më shumëpalëshe, për të ndërtuar projekte të përbashkëta, të shkojmë dhe të vijmë te njeri-tjetri. Duke ndarë mendimet, duke bashkuar forcat do të jemi në gjendje dhe të gjejmë burime të nevojshme financiare për të garantuar ecurinë profesionale”.
Në ditën e tretë do të konkurrojnë aktorët e trupës së Podgoricës me dramën “Më shumë se terapi”, duke vijuar të nesërmen me shfaqjen teatrore “4 orë” nga Serbia. Në të njëjtën ditë do të jetë në një ambient tjetër të Teatrit Kombëtar të Tiranës, “Karriget”, që do të sillet në skenë nga teatri i dramës së Bitolës në Maqedoni. Të dielën në konkurrim do të jetë Teatri “Dodona” i Prishtinës me “Një përkujtim në kafe teatër”, të shkruar dhe nën regjinë e Aqif Mulliqit dhe pjesa “Hamsterët e vegjël dhe të mjerë”, me të cilën do të prezantohet trupa nga Tuzla e Bosnjë-Hercegovinës. E fundit në konkurim do të jetë “Ditari i një të çmenduri” me të cilën përfaqësohet Greqia.
Të martën e ardhshme pritet që të shpallen çmimet nga një juri ndërkombëtare. Do të shpallet regjisori më i mirë i Ballkanit, autori më i mirë, por dhe aktori e aktorja më e mirë për rolin kryesor, si dhe fituesit për interpretimin më të mirë në rolin mbështetës.
|