- Partia Lëvizja Socialiste për Integrim www.lsi.al -
Intervista
Written by Gazetari    Monday, 16 August 2010 08:09    PDF Print E-mail
Ilir Meta: Njohja e Kosovës nga Hondurasi do të pasohet me një zinxhir njohjesh të reja

Zv. Kryeministrit dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, uroi të gjithë qytetarët dhe autoritetet e Kosovës për njohjen e 70-të të realizuar dhe konfirmuar dje nga ministri i Jashtëm i Hondurasit, çka përbën një hap tepër pozitiv pas opinionit këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Në linjë telefonike për televizionin “Top Channel”, Meta shpreh bindjen se ky vendim do të ndiqet edhe nga një zinxhir njohjesh të tjera, të cilat forcojnë akoma më tej pozitën ndërkombëtare të Kosovës, pas Opinionit të dhënë nga GJND, por njëkohësisht janë një mesazh shumë i qartë edhe për politikën e Serbisë, për lidershipin e Serbisë, që të tërhiqen nga qëndrime dhe iniciativa të njëanshme, siç është praktikisht edhe rezoluta e paraqitur prej tyre në Asamblenë e Përgjithshme. Numri një i diplomacisë shqiptare shtoi se është e qartë se Kosova si shtet i pavarur ka gjithë legjitimitetin e duhur dhe e gjithë bota demokratike po shkon drejt konsolidimit dhe përfundimit të këtij procesi, i cili natyrisht do të jetë i lidhur me ditën kur Kosova do të ketë vendin e saj në OKB.

Çfarë domethënie ka kjo njohje e re, duke parë edhe faktin që pas dy javësh zhvillon punimet Asambleja e Kombeve të Bashkuara, e cila do të diskutojë edhe rezolutën serbe?

Jam shumë i kënaqur që nëpërmjet “Top Channel”, t’i uroj gjithë qytetarët e Kosovës dhe udhëheqësit e saj, për këtë njohje të re, por shumë kuptimplote bërë sot (dje) nga Hondurasi, e cila është jo vetëm e 70-a, por është edhe e para pas Opinionit Këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe që jam i sigurt që çel siparin edhe për shume njohje të tjera, që do vijojnë pikërisht pas studimit që vendet e interesuara, i kanë bërë këtij Opinioni tepër pozitiv për pavarësinë e Kosovës. Unë jam shumë i kënaqur që premtimin që bëri dje Presidenti i Hondurasit, z. Lobo, e konkretizoi në më pak se 24 orë, çka tregon qartë se, ashtu sikurse Hondurasi, edhe vende të tjera janë në një proces të afirmimit të njohjes për Kosovën, pas vendimit të GJND-së. Kuptohet që ky vendim i menjëhershëm i Hondurasit është një hap shumë i rëndësishëm psikologjik përpara, i cili jam shumë i bindur se do të pasohet nga njohje të tjera, pasi edhe gjatë takimeve që kam zhvilluar në vende të tjera të Amerikës Qendrore, por edhe në Parlamentin e Amerikës Qendrore, në Guatemalë, kam marrë siguri se Kosova, si shtet i ri, do të njihet në mënyrë të veçantë tani, pasi të gjitha vendet kanë studiuar Opinionin Këshillimor të GJND-së, ashtu sikurse kam marrë edhe garancinë për përkrahjen e çështjes së Kosovës për çdo debat të mundshëm, që do të mund të zhvillohet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Në këtë drejtim, unë jam shumë optimist, pas njohjes së sotme (djeshme) të formalizuar nga Hondurasi, që një proces zinxhir njohjesh do të vijojë në mënyrë të vazhdueshme, ashtu siç shpresoj se Serbia do t’i dëgjojë me përgjegjshmëri mesazhet nga Bashkimi Evropian dhe SHBA dhe të tërhiqet nga kjo iniciativë e njëanshme, e cila nuk i shërben absolutisht as forcimit të mëtejshëm të stabilitetit dhe paqes në rajonin tonë, por as perspektivës evropiane të vetë Serbisë. Kosova e pavarur është një realitet i pakthyeshëm, që po njihet dhe do të njihet nga shumë vende dhe e vetmja rrugë natyrisht mbetet dialogu për çështje të interesit të qytetarëve. Por, kurrsesi nuk mund të ketë dialog për statusin i cili nuk mund të negociohet, aq më tepër tani pas përforcimit që i ka bërë legjitimitetit të kësaj pavarësie Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Shqipëria është e angazhuar ta mbështesë Kosovën në OKB, çka u konfirmua edhe gjatë ditës së djeshme nga Kryeministri Berisha. Çfarë pritet të ndodhë nga sot deri në pritje të rezolutës në OKB ?

Pas përfundimit të kësaj vizite, unë do të jem në Nju-Jork dhe do të qëndroj atje kryesisht për këtë çështje deri në ditën që do të diskutohet dhe votohet projektrezoluta e propozuar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Ndërkohë, që Shqipëria ka qenë dhe mbetet e angazhuar, përmes gjithë instancave më të larta, në një komunikim intensiv me gjithë drejtuesit e të gjithë vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën, por edhe të atyre që e kanë njohur atë, në raport me sqarimin e fakteve negative që sjell kjo iniciativë e njëanshme, për fat të keq, e Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB. Dhe kjo punë do të vijojë me intensitet shumë të lartë edhe në ditët e ardhshme. Ne do të dëshironim, dhe unë personalisht do të dëshiroja që Serbia, lidershipi i saj të heqë dorë nga kjo iniciativë e njëanshme, sikurse është rezoluta e paraqitur në Asamblenë e Përgjithshme për Kosovën. Do të donim të kishim një reflektim konstruktiv nga ana e Serbisë pas vendimit të GJND-së, të kërkuar pikërisht nga vetë Serbia dhe në këtë mënyrë të shkohej mundësisht me një tekst të përbashkët në radhë të parë nga vendet e BE-së, por edhe nga SHBA, në mënyrë që të gjitha zhvillimet në të ardhmen dhe të gjitha energjitë të orientohen në mënyrë konstruktive jo vetëm për të ardhmen e Kosovës, por njëkohësisht edhe për të ardhmen e Serbisë, e cila duhet të jetë në BE. Dhe që të jetë e tillë, ajo duhet të dëgjojë më shumë mesazhet e dhëna në mënyrë të qartë dhe konstruktive nga Brukseli.

Vlerësimi për turin diplomatik

Meta: Fazë e re bashkëpunimi

me vendet e Amerikës Qendrore

Zv. Kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, gjithashtu shprehu kënaqësinë për atë ç’ka arritur gjatë turit diplomatik në vendet e Amerikës Qendrore, në kuadrin e forcimit të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe këtyre vendeve. “Ndërkohë që kuptohet se forcimi i bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe këtyre vendeve mendoj se ka hyrë në një fazë të re dhe shumë shpejt do të nënshkruajmë disa marrëveshje bilaterale me Hondurasin, me Salvadorin, me Guatemalën, por edhe me vendet e tjera të Amerikës Qendrore”, u shpreh Meta. Sipas tij, një takim shumë i rëndësishëm dhe pozitiv ka qenë ai në Parlamentin e Amerikës Qendrore, në Guatemala, ku Zv. Kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme mori konfirmimin për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të Shqipërisë me Amerikën Qendrore, në nivel qeveritar dhe parlamentar. “Njëkohësisht kemi marrë përkrahjen për kandidaturën e përhershme të Shqipërisë si vëzhguese në Organizatën e Shteteve Amerikane (OAS)”, përfundoi z. Meta.

Last Updated ( Saturday, 04 September 2010 11:52 )
 
Written by Gazetari    Wednesday, 30 June 2010 22:06    PDF Print E-mail
Meta: Statusi i Kosovës dhe kufijtë, të pakthyeshëm

 

 

 

Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, William Hague, i ka drejtuar një mesazh Zv. Kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Ilir Meta

Hague: Mbretëria e Bashkuar është e përkushtuar për anëtarësimin e Shqipërisë në BE

Pas mesazhit që Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, i ka dërguar Sekretarit të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, William Hague, për të uruar për detyrën e re, ky i fundit i është përgjigjur se Mbretëria e Bashkuar i kushton shumë rëndësi marrëdhënieve me Shqipërinë.

Kështu, Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, William Hague, i ka dërguar një letër falënderimi Zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Ilir Meta, në përgjigje të mesazhit të urimit me rastin e marrjes së detyrës së re. Hague ka theksuar se Britania e Madhe mbetet tërësisht e përkushtuar për rrugën drejt integrimit evropian të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Një gjë të tillë thekson Sekretari Hague e kanë diskutuar edhe në samitin e mbajtur në Sarajevë. Ai gjithashtu thekson se tashmë vendi ynë ka bërë një progres shumë të madh, gjithashtu shpreson që të vazhdohet më tej me reformat e nevojshme, por me të njëjtën energji dhe angazhim.

Një çështje tjetër, mbi të cilën Hague ka folur në këtë mesazh falënderimi ka qenë edhe situata politike në Shqipëri ende e pazgjidhur. Sipas tij, tashmë është bërë e ditur edhe nga të tjerë, që të gjendet një zgjidhje duhet që të gjitha palët politike në Shqipëri të përfshira në këtë debat duhet të tregojnë aftësitë e tyre për të punuar së bashku. Në këtë mënyrë Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar deklaron se një bashkëpunim i tillë do shërbente për ndërtimin e një vendi evropian të qëndrueshëm dhe të suksesshëm.

Mesazhi i plotë

Midis të tjerash, z. Hague shprehet:

“Sikurse diskutuam në Sarajevë, Mbretëria e Bashkuar i kushton rëndësi të madhe marrëdhënieve me Shqipërinë, dhe mbetet tërësisht e përkushtuar për anëtarësimin e saj në BE. Tashmë, është realizuar progres shumë i madh dhe shpresoj që të vazhdohet me reformat e nevojshme, me të njëjtën energji dhe angazhim. Siç jeni në dijeni, është e rëndësishme që të gjithë palët e debatit politik në Shqipëri të tregojnë aftësitë e tyre për të punuar së bashku, me qëllim ndërtimin e një vendi evropian modern, të qëndrueshëm dhe të suksesshëm”.

Meta: Të merren masa për zbatimin e Strategjisë së Riintegrimit për të riatdhesuarit

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm diskuton me ministrin e Punës Sociale dhe Çështjeve të Barabarta, Spiro Ksera

Zbatimit i Strategjisë për Riintegrimin e Shtetasve Shqiptarë të kthyer, ka qenë çështja kryesore mbi të cilën është diskutuar ditën e djeshme në takimin e zhvilluar me Zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, Ilir Meta dhe ministrit të Punës Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera. Të pranishëm në këtë takim kanë qenë dhe zyrtarë të tjerë rajonalë të këtij sektori. Në qendër të këtij takimi qëndronte diskutimi mbi angazhimin e strukturave përkatëse.

Sipas burimeve zyrtare, angazhimi i këtyre strukturave do të shërbente për të përmbushur një prej tre kërkesave më të rëndësishme për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian. Riintegrimi i të atdhesuarve, mbi bazën e të cilës është realizuar edhe strategjia që u diskutua mes dy ministrave.

Gjatë takimit Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme që ka marrja e masave për zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Riintegrimin e Shtetasve Shqiptarë të Kthyer dhe Planit të Veprimit. Megjithatë bëhet e ditur se tashmë ka nisur tashmë shpërndarja e dhjetëra mijëra fletëpalosjeve, që informojnë qytetarët shqiptarë për këtë proces.

Meta: Statusi i Kosovës dhe kufijtë e saj janë të pakthyeshme

Kosova tashmë është e pavarur, kufijtë janë të pakthyeshëm. Kjo ka qenë deklarata e bërë dje në një deklaratë për shtyp e Zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, Ilir Meta. Pas shumë e shumë fjalimeve të mbajtura nga disa zyrtarë të lartë serbë për këmbim apo ndryshim territoresh, ministri Meta deklaroi për mediat se statusi i Kosovës së Pavarur dhe kufijtë territorialë të saj janë tashmë një çështje e pakthyeshme.

Meta ka theksuar gjithashtu se vendi ynë e mbështet fuqishëm statusin e Kosovës së pavarur. “Shqipëria mbështet fuqishëm shtetin e pavarur e sovran të Kosovës dhe integritetin e tij territorial. Statusi i Kosovës dhe kufijtë e saj janë çështje të mbyllura përfundimisht dhe të pakthyeshme”, deklaroi ministri i Jashtëm.

Sipas Zëvendëskryeministrit Meta, idetë e shfaqura nëpër media apo të frymëzuara nga politika e shtetit serb, për ndarje të Kosovës apo shkëmbim territoresh përbëjnë një rrezik serioz për paqen, sigurinë dhe stabilitetin, jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë rajonin tonë e më gjerë. Meta bëri të ditur se rruga e integrimit euroatlantik të të dy vendeve do të bëhet vetëm duke respektuar kufijtë ekzistues.

“Rruga për realizimin e aspiratës sonë të përbashkët evropiane dhe euroatlantike kalon vetëm përmes respektimit të plotë të kufijve ekzistues, tërësisë territoriale të njëri-tjetrit, si dhe përmes forcimit të bashkëpunimit rajonal”, ka përfunduar fjalën e tij ministri i Jashtëm, Ilir Meta.

Last Updated ( Thursday, 01 July 2010 21:55 )
 
Written by Gazetari    Friday, 18 June 2010 18:42    PDF Print E-mail
Besjan Pesha: LSI, plan lokal për turizmin në Gjirokastër

Zv/sekretari i Përgjithshëm i LSI, Besian Pesha, i ka kërkuar kryetarit të Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime, të mos e betonizojnë qytetin e gurtë, pasi kjo forcë politike është gati të ofroj falas dy kompanisë serioze për të hartuar një master-plan për turizmin. Duke folur dje për mediat nga Gjirokastra, Pesha bëri të ditur se me angazhimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, ky qytet do të mund të përfitonte shumë projekte zhvilluese, veçanërisht në fushën e turizmit kulturor, që është edhe pika më e fortë.

“Me angazhimin e LSI, garantoj se Gjirokastra do të jetë përfituese e mjaft projekteve zhvilluese, sidomos në fushën e turizmit kulturor, ku është karakteristike për qytetin”, tha zv/sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, duke shtuar se me këtë master-plan qytetit pritet t’i rikthehet krenaria e dikurshme.

Projekti

Sipas tij, gjatë hartimit të projektit, që mendohet të startojë në fillim të muaj tetor, është parashikuar pjesëmarrja e komunitetit për të reflektuar në master-plani e ri të turizmit.

“Lëvizja Socialiste për Integrim do të marrë mendimet e grupeve të interesit dhe shoqërisë civile për t’u reflektuar në qeverisjen e ardhshme”, pohoi më tej Besian Pesha dje në Gjirokastër. Ndërkaq, zyrtari i LSI-së u shpreh se Bashkia e Gjirokastrës e ka privatizuar vendimmarrjen, duke përjashtuar kështu çdo projekt të taksapaguesve të saj. “Bashkia e Gjirokastrës pothuajse e ka privatizuar vendimmarrjen, duke përjashtuar në çdo projekt taksapaguesit, shtoi Pesha. Kryebashkiaku i Gjirokastrës e ka drejtuar këtë institucion në mënyrë kaotike, në bazë të interesave klienteliste dhe familjare", deklaroi në një prononcim për shtyp në Gjirokastër, zv/sekretari i Përgjithshëm i LSI-së.

Problemet e bashkisë

Ai shtoi më tej se LSI-ja nuk mund të lejojë më, që nën drejtimin e bashkisë nga Flamur Bime, çdo familje gjirokastrite ka pasur një dëm prej 3 mijë eurosh, vetëm se bashkia nuk është e aftë të thithë fonde investimesh. “LSI ka hartuar një strategji të re për rimëkëmbjen e Gjirokastrës, e cila në themel të saj do të ketë komunikimin me çdo qytetar gjirokastrit, tha Pesha. LSI-ja nuk mund të lejojë më që nën drejtimin e bashkisë nga Flamur Bime çdo familje gjirokastrite ka pasur një dëm prej 3 mijë eurosh, vetëm se Bashkia nuk është e aftë të thithë fonde investimesh”.

Gjatë fjalës së tij, Pesha tha se Bime, sipas tij, thith parat e taksapaguesve me anë të betonimit, që është duke i bërë çdo ditë qytetit të Gjirokastrës, çka rrezikon që ky qytet, nga më të veçantët në llojin e tij në Evropë, shumë shpejt të dalë edhe nga lista e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

Në fund të deklaratës së tij, zv/sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Besian Pesha, nuk ka harruar të përqendrohet edhe te projektet e punësimit dhe kjo, sipas tij, do të realizohet falë projekteve konkrete, të cilat kanë qenë në programin elektoral të LSI, të njohur ndryshe si “Plani për Veprim”, çka është dhe pika më dominante. Që pas përfshirjes në koalicionin qeverisës, LSI-ja ka mundur të vërë në jetë disa pika të rëndësishme të programit elektoral, sidomos në aspektin social. Kjo forcë politike ka treguar se di të mbajë premtimet, siç bëri pas zgjedhjeve të fundit të 28 qershorit, duke vënë në zbatim shumë prej tyre.

Last Updated ( Monday, 30 August 2010 08:43 )
 
  • «
  •  Start 
  •  Prev 
  •  1 
  •  2 
  •  3 
  •  4 
  •  5 
  •  6 
  •  7 
  •  8 
  •  9 
  •  10 
  •  Next 
  •  End 
  • »


Page 1 of 21