- Partia Lëvizja Socialiste për Integrim www.lsi.al -
Politike - Gazeta Integrimi
Written by Gazetari    Saturday, 03 July 2010 07:48    PDF Print E-mail
Thaçi: Falënderoj rolin e diplomacisë shqiptare për njohjet e Kosovës

 

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka falënderuar rolin e diplomacisë dhe qeverisë shqiptare për angazhimin që kanë treguar në procesin për njohjen e Kosovës. Numri një i qeverisë kosovare e bëri këtë deklaratë dje, pas takimit me Kryeministrin Sali Berisha, gjatë vizitës së tij në Tiranë. Vlerësimi vjen edhe pas turit diplomatik të Zv. Kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Ilir Meta, në Lindjen e mesme dhe së fundmi në Amerikën Qendrore, ku kryediplomati shqiptar ka bërë lobin port njohjen e Kosovës. “Dëshiroj të falënderoj shumë shtetin shqiptar, Kryeministrin Berisha, diplomacinë shqiptare, për angazhimin që kanë treguar në procesin për njohjen e Kosovës. Prandaj edhe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së kemi besim të plotë, se për Kosovën do të ketë suksese të reja, ecje përpara, një angazhim të gjithanshëm dhe ndërkombëtar, për sukseset e reja të Republikës së Kosovës, por në të njëjtën kohë edhe njohjet për Kosovën do të vazhdojnë”, deklaroi Hashim Thaçi gjatë konferencës për shtyp. Më tej, Kryeministri i Kosovës foli edhe për takimin me Berishën dhe temat e diskutuara mes tyre. Ai tha se gjatë takimit u bisedua për zhvillimet në rajon, për bashkëpunimin bilateral mes Shqipërisë dhe Kosovës, në të gjitha sferat institucionale. “Biseduam për perspektivën euroatlantike të Shqipërisë por dhe Kosovës, për rrugën tonë të integrimit drejt BE, për implementimin e standardeve euroatlantike, kritereve demokratike, të domosdoshme për integrim dhe natyrisht, në këtë drejtim, përvoja e mirë e Shqipërisë mund të jetë e shfrytëzueshme, në kuptimin më pozitiv dhe më të mirë të mundshëm, edhe në shtetin e Kosovës, shtoi Thaçi. Me theks të veçantë ishte dhe biseda rreth përgatitjeve për Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, prandaj ishte një moment i një rëndësie të veçantë, ky takim mes Kryeministrit të Shqipërisë, zotit Sali Berisha dhe Kryeministrit të Kosovës. Ishte orientimi i përbashkët që këto angazhime të gjithanshme për paqen dhe stabilitetin, për bashkëpunimin rajonal, për një konsultim të nevojshëm dhe të domosdoshëm me të gjithë miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë, do të sjellin frymë të re, do të sjellin angazhime shtesë, progresiste për Kosovën, dhe rajonin”, tha Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Last Updated ( Saturday, 04 September 2010 11:50 )
 
Written by Gazetari    Friday, 18 June 2010 18:44    PDF Print E-mail
Presidenti Topi mesazh vendeve të OKB: Mos përkrahni rezolutën serbe

Në krah të Kosovës, Shqipëria lobon në vendet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të votuar kundër projektrezolutës serbe, e cila do të paraqitet në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të OKB, më 9 shtator. Presidenti shqiptar, Bamir Topi, u ka dërguar dje një mesazh të gjithë Kryetarëve të Shteteve, anëtare të OKB-së, ku nënvizon mospërkrahjen e rezolutës së Beogradit. Në mesazhin e kreut të lartë të shtetit shqiptar, rezoluta cilësohet “si e njëanshme, një përçapje që cenon mandatin e GJND-së dhe autoritetin e OKB-së, si edhe ndikon negativisht mbi paqen e stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe në të ardhmen evropiane të vetë Serbisë”, thuhet në njoftimin për shtyp të publikuar nga zyra e shtypit e presidencës shqiptare. Ndër të tjera, Presidenti Topi nënvizon në mesazh “rëndësinë e përkrahjes së pavarësisë së Kosovës dhe domosdoshmërinë e njohjes së saj nga vende të tjera, si vendimi i duhur pas mendimit këshillimor, qartësisht të nënvizuar, të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, më 22 korrik 2010, mbi pavarësinë e Kosovës, që e cilësoi Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës si të ligjshme e në mbështetje të së Drejtës Ndërkombëtare”. Kosova nuk ka të drejtën që të jetë e përfaqësuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, pasi nuk është bërë anëtare e saj. Shqipëria do të jetë një nga shtetet që do të kundërshtojë fuqishëm rezolutën serbe të paraqitur në OKB. Kundër kësaj rezolute janë SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania të cilat kanë ndërmarrë një presion diplomatik ndaj Serbisë që kjo e fundit të tërheqë projektrezolutën. Nga 192 vendet anëtare të OKB-së, Kosova njihet si shtet i pavarur nga 70 shtete. Këto ditë mediat e huaja shkruajnë se SHBA-ja, Franca, Britania e Madhe dhe Arabia Saudite kanë marrë premtimin e 65 vendeve se do të votojnë kundër kësaj rezolute. Ndërsa, Serbia ka arritur të marrë mbështetjen e 50 shteteve, të cilat kanë premtuar se do ta votojnë rezolutën serbe. Nga ana tjetër, një numër i madh vendesh kanë bërë të ditur se nuk do ta votojnë rezolutën, por as nuk do të jenë kundër.

Dy krerët e qeverive u takuan dje në Tiranë, pak ditë para mbledhjes së Asamblesë së Kombeve të Bashkuara

Pavarësia në OKB, Shqipëria e

Kosova koordinojnë diplomacinë

Kryeministri shqiptar Sali Berisha dhe ai kosovar, Hashim Thaçi, bashkërendim diplomatik për njohjet e reja

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka garantuar homologun Hashim Thaçi, se Kosova do ketë mbështetjen e autoriteteve shqiptare në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara dhe të vendeve të tjera, ku diplomacia e Tiranës zyrtare ka lobuar, dhe se pritet një kurs i gjerë vendesh për njohjen e shtetit të ri në Ballkan. Deklarata erdhi gjatë takimit që Kryeministri i Shqipërisë dhe ai i Kosovës zhvilluan dje, në mesditë, në Tiranë, në prag të mbledhjes së Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ku Kosova duhet të mbrojë legjitimitetin e pavarësisë së saj dhe të bindë vendet e tjera për njohjen. Gjatë një konference për shtyp në ambientet e Kryeministrisë, kreu i qeverisë Berisha deklaroi se pavarësia e Kosovës do të gjejë mbështetje edhe në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara. Berisha theksoi se vendimi i Gjykatës së Hagës për çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës e ka shndërruar në çështjen e zbatimit të ligjit ndërkombëtar. “Është një çështje shumë herë me e madhe se mes Shqipërisë e Kosovës. Siguroj se Shqipëria po bën të gjitha përpjekjet për të shtuar njohjet e Kosovës”, tha Kryeministri Berisha. Nga ana tjetër, Kryeministri Thaçi tha se bisedimet midis dy vendeve u përqendruan për perspektivën e përbashkët euroatlantike, për rrugën e integrimit drejt BE-së, për implementimin e standardeve euroatlantike, kritereve demokratike, të domosdoshme për integrim. Ai gjithashtu theksoi se përvoja e mirë e Shqipërisë mund të jetë e shfrytëzueshme, në kuptimin më pozitiv dhe më të mirë të mundshëm, edhe në shtetin e Kosovës. “Pjesa më e rëndësishme e bisedës ishte ajo për përgatitjet për Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku ne do të kemi mbështetjen e plotë të Shqipërisë dhe të gjitha vendeve në të cilat ka lobuar diplomacia e Tiranës”, u shpreh Thaçi. Sipas tij, orientimi i përbashkët që ka Shqipëria me Kosovën, për paqen dhe stabilitetin, për bashkëpunimin rajonal, për një konsultim të nevojshëm dhe të domosdoshëm me të gjithë miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë, do të sjellin frymë të re, do të sjellin angazhime shtesë, progresiste për Kosovën, dhe rajonin.

Axhenda e përbashkët

Kryeministri Berisha deklaroi se lidershipi politik i Kosovës është në krye të përpjekjeve për të siguruar njohje të reja. “Sigurisht që udhëheqja politike e Kosovës, Presidenti, Kryeministri, ministri i Jashtëm janë në krye të përpjekjeve, për të promovuar më tej, njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kësaj radhe në këtë sesion, në këtë samit të OKB-së, situata është tërësisht tjetër, sepse ligji ndërkombëtar, e drejta ndërkombëtare është ‘de jure’ dhe ‘de fakto’, në anën e Republikës së Kosovës, qytetarëve të Kosovës, të pavarësisë së Kosovës”. Berisha tha se udhëheqja politike në Shqipëri do të shfrytëzojë Samitin. “Zv. Kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, është në udhëtime konstante në vende mike, në vende të tjera, për të promovuar njohjen e pavarësisë së Kosovës”, u shpreh Berisha. Ai theksoi se edhe vendet anëtare të OKB-së kanë nevojë për kohën e tyre për të vendosur nëse do ta njohin apo jo Kosovën. “Samiti është një rast shumë i veçantë, ku ka mundësi takimesh më të shumta dhe mendoj se kjo është një klimë realisht pozitive, qartësisht pozitive. Natyrisht që edhe vendet anëtare të OKB-së kanë nevojë për kohën e tyre. Nuk jemi këtu në një ndeshje sporti që bëhet ‘Gol’ dhe pastaj ‘Urra’”. Nuk duhet ta konceptojmë në këtë mënyrë. Ky është një proces politik që kërkon shqyrtimin e duhur, miratimin, e të tjera me radhë, por në tërësi thelbi nuk mund të jetë tjetër, përveçse qartësisht pozitiv”, theksoi Kryeministri i Shqipërisë.

Nga ana e tij, Thaçi deklaroi se Kosova është duke u përgatitur maksimalisht edhe për të sjellë një meritë, OKB-së, Asamblesë së Përgjithshme, pas suksesit historik që u shënua në prezantimin e opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare për Republikën e Kosovës. “Asambleja e përgjithshme do të shënojë një kapitull të ri , të një suksesi të ri, atë të konsolidimit dhe forcimit të shtetit të Kosovës dhe hapjes së perspektivës për njohje të reja. Në këtë drejtim, jemi duke zhvilluar angazhime të shumanshme me të gjithë miqtë dhe partnerët tanë, prandaj kemi një ekip parapërgatitor në Nju-Jork. Së shpejti, në ditët e ardhshme do të jemi së bashku në Nju-Jork, Presidenti, Kryeministri, ministri i Jashtëm gjithashtu, në mënyrë që të prezantojmë Kosovën në të gjitha takimet e mundshme, prandaj ky proces do të shënojë vetëm ecje përpara në drejtim të forcimit, konsolidimit dhe njohjes së shtetit të Kosovës, nga më shumë shtete të botës”, deklaroi Hashim Thaçi.

Përpjekjet e Beogradit

Sa i përket pozicionit të Serbisë për rezolutën në OKB, Berisha tha se të gjitha përpjekjet që tenton të bëjë Beogradi për t’u përshtatur me realitetin e ri janë të mirëpritura. “Edhe përpjekja e qeverisë spanjolle për të ndihmuar që Beogradi të përshtatet me realitetin e ri ka vetëm vlerësim. Të gjitha format e dialogut, bashkëpunimit, përveçse statusi i pavarësisë dhe integriteti rajonal, të tjerat janë çështje që diskutohen, duhet të diskutohen”, deklaroi Kryeministri shqiptar. Ndërsa, Kryeministri i Kosovës, Thaçi, deklaroi: “Zgjidhja më e mirë do të ishte sikur Serbia ta tërhiqte këtë rezolutë, por në të njëjtën kohë jemi në kontakt të vazhdueshëm edhe me Brukselin dhe kjo çështje do të diskutohet edhe më tutje edhe në Bruksel në veçanti, por edhe në kryeqytete të tjera. Ajo që është me rëndësi edhe për Kosovën është uniteti i të gjitha vendeve të BE, për Kosovën, edhe për rajonin. Prandaj unë pres një frymë afirmative, në kuptimin më të mirë të mundshëm që të konsolidohet ky proces i suksesit të ri të Republikës së Kosovës. Nuk do të ketë në asnjë rrethanë, kthim pas, por me rëndësi është të hapet një perspektivë e bashkëpunimit mes dy shteteve të pavarura, pra Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, përfundoi Thaçi.

Last Updated ( Saturday, 04 September 2010 11:54 )
 
Written by Gazetari    Friday, 18 June 2010 18:41    PDF Print E-mail
Eurodeputetja Fajon: Parashikojmë që të votohet në shtator. Në seancë plenare do të kalojë në fund të shtatorit ose tetor

Deputetë të Parlamentit Evropian mendojnë se Shqipëria dhe Bosnja i kanë plotësuar kushtet teknike për heqjen e vizave të udhëtimit për në hapësirën Shengen. Sipas tyre, ka ardhur koha që edhe Kosova të përfshihet në procesin e liberalizimit të vizave. Punët po shkojnë mirë në këtë drejtim dhe Shqipëria, së bashku me Bosnjën, do të përfitojnë nga ky proces brenda pak kohësh. Të dyja vendet duket se i kanë plotësuar mirë dhe shpejt edhe detyrat e fundit, që ekspertët e Komisionit Evropian kishin identifikuar 3 muaj më parë, si pengesa të fundit për t’i hapur rrugën vendimit politik të Bashkimit Evropian për heqjen e vizave. Eurodeputetja sllovene, Tania Fajon, është shprehur të enjten se Shqipëria ka shënuar hapa të mira për sa u përket masave të riintegrimit, luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit, luftën kundër korrupsionit, e konsideruar si thembra e Akilit për integrimin e Shqipërisë. Si një hap pozitiv në këtë drejtim shihet fillimi i zbatimit të ligjit antimafia me sekuestrimin e disa pasurive gjatë muajve të fundit. Më 13 shtator, Komisioni i Çështjeve të Brendshme në KE do të kalojë për votim raportin e Tanja Fajon. Më pas, vendimi pritet të kalohet për miratim në fillim të tetorit, sipas të gjitha gjasave.

Asnjë amendim për raportin

Ndërkaq, të premten përfundoi edhe afati për amendime ndaj raportit të eurodeputetes sllovene, Tanja Fajon, për liberalizimin e vizave me Shqipërinë e Bosnjën. Falë konsensusit ndërpartiak në Parlamentin Evropian, drafti i Fajon nuk pësoi ndryshime, dhe në të kërkohet përshpejtim i procesit vendimmarrës për heqjen e vizave. “Uroj që shqiptarët të lëvizin lirshëm në BE në fund të këtij viti. Apelova që kjo gjë të ndodhë përpara Krishtlindjeve, e shpresoj të jetë kështu. Shqipëria është teknikisht e gatshme. Komisioni Evropian tregoi se do të ndjekë nga afër procesin dhe me tej, pra nuk mbyllet këtu, kështu që le të shohim. Për sa i takon impaktit të situatës politike, unë shpresoj që ajo nuk do të përkeqësohet në Shqipëri. Ne duam të shohim një vend politikisht të qëndrueshëm. Kjo mund të shkaktonte sigurisht dyshime te disa vende anëtare, nëse do të vërenin se situata politike është e paqëndrueshme”, tha Fajon. Sipas eurodeputetes sllovene, një sinjal paraprak se si do të jetë humori i vendeve anëtare do të mund të shihet në mbledhjen e Këshillit të këtij muaji. “Unë pres që e gjithë puna për përmbushjen e kritereve teknike të jetë plotësuar, që Shqipëria të ketë bërë gjithçka duhej, me qëllim që ne të vijojmë procedurën bashkë me Këshillin, e të shohim se si do të jetë humori dhe në Këshill që debaton në mes të shtatorit”, tha Fajon.

Vendimi i Këshillit i Ministrave

Këshilli i Ministrave të Brendshëm evropiane pritet të vendosë për liberalizimin e vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën në takimin e 8-9 nëntorit, siç parashikon axhenda paraprake e presidencës belge. “Në Parlament ne parashikojmë që Komiteti ta votojë në shtator dhe në seancë plenare shpresoj të kalojë në fund të shtatorit ose në tetor”, u shpreh Fajon për mediat. Ndërkaq, Komiteti i Jashtëm e kalon më 6 shtator raportin e eurodeputetes sllovene, ndërsa Komiteti për Çështjet e Brendshme, Lirisë dhe Drejtësisë ka gjasa ta votoje atë në fund të muajit, në varësi të dorëzimit të raportit përfundimtar me shkrim nga Komisioni. Liberalizimi i vizave afatshkurtra për personat e pajisur me pasaporta biometrike hyn në fuqi 20 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare evropiane të vendimit që merr më pas Këshilli i Ministrave të Brendshëm të BE-së.

Raporti për vizat në PE

“Shqipëria plotësoi kushtet, tani të

mendojmë për datën e liberalizimit”

Parlamenti Evropian i nisi punimet e sezonit të ri në Bruksel me diskutimet për procesin e liberalizimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën. Komiteti i Punëve të Brendshme dhe Drejtësisë diskutoi rreth raportit paraprak që do t’i paraqitet Këshillit dhe Parlamentit Evropian. Përfaqësuesja e KE-së, Hajke Bus, raportoi të dhënat e mbledhura nga ekspertet evropianë që vëzhguan Tiranën nga 12 deri më 15 korrik, si dhe nga raporti i qeverisë shqiptare, i paraqitur në Bruksel këtë javë. Ajo i vlerësoi në mënyrë pozitive këto vëzhgime, duke u ndalur në aspektet kryesore teknike të tilla si riintegrimi i qytetarëve shqiptarë të riatdhesuar, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Nga ana e saj, raportuesja për Shqipërinë, Tanja Fajon, u shpreh e kënaqur që më në fund nuk do të ketë më shtyrje për liberalizimin e vizave edhe për Shqipërinë e Bosnje- Hercegovinën, tani që kriteret teknike janë përmbushur me sukses. “Tashmë kur të gjitha kriteret teknike janë përmbushur nuk kemi arsye për shtyrje të mëtejshme. Duhet të fillojmë të flasim për datën e liberalizimit të vizave dhe të mbajmë premtimin e dhënë. Në këtë pikë, nuk mund të flasim më për kritere. Duhet të fillojmë të flasim për një datë konkrete, sikurse iu kemi premtuar qytetareve të të dy vendeve”, tha Fajon. Por çfarë mbetet deri në heqjen e vizave?! Ambasadorja e Shqipërisë në BE, Mimoza Halimi, shpjegon procedurën që do të ndiqet më pas nga institucionet evropiane. “Pritet miratimi i opinionit nga Komisioni i Politikës së Jashtme, pritet marrja e vendimit nga Komiteti i Çështjeve të Brendshme dhe të Drejtësisë, për ta vijuar më tej çështjen në vendimmarrjen përfundimtare në seancë plenare në Parlamentin Evropian. Këto janë procedura që ndjekin njëra-tjetrën hap pas hapi. Gjëja e parë është finalizimi i raportit të Komisionit dhe pastaj marrja e vendimit nga Komiteti i Çështjeve të Drejtësisë dhe Parlamenti Evropian”, tha Halimi. Ndërkohë, duke u nisur nga shqetësimi i disa europarlamentarëve se tani vetëm Kosova rrezikon të mbetet një vrimë e zezë në Ballkanin Perëndimor, ajo u shpreh se ajo me kolegët e saj do të angazhohet për të gjetur modalitetet që edhe ajo të përfshihet në këtë proces.

Alternativat

Datat kur shqiptarët mund

të lëvizin pa viza në Evropë

Zbulohet skenari i mundshëm i vendimit të Brukselit për lëvizjen pa lirë të shqiptarëve dhe boshnjakëve që disponojnë pasaporta biometrike. Draft-raporti i lexuar së fundi në Komitetin për Çështjet e Brendshme nga raportuesja Tanja Fajon mësohet se do të kalojë për votim më 13 shtator në një tjetër seancë të këtij komiteti. Sakaq, propozimi i Komisionit Evropian do të duhet të kalojë për votim në seancën e Parlamentit Evropian. Nga burime diplomatike mësohet se kjo etapë do të konsumohet në një nga seancat e parashikuara dhe konkretisht 20-23 shtator, 6-7 tetor ose 18-21 tetor 2010. Pasi të konsumohet kjo etapë, ministrat e Brendshëm të vendeve të Bashkimit Evropian do të duhet të miratojnë këtë procedurë përfundimtare në një nga mbledhjet e parashikuara në datat 7/8 tetor ose 8/9 nëntor 2010. Sipas rregullave të Bashkimit Evropian, nga marrja e vendimit deri në hyrjen në fuqi të tij me botimin në Fletoren Zyrtare duhen edhe 20 ditë të tjera. Si rezultat në skenarin e parë lëvizja e lirë pa viza mund të mundësohet në 27/28 tetor dhe sipas skenarit të dytë kjo do të mundësohet në 28/29 nëntor 2010.

Last Updated ( Saturday, 04 September 2010 11:55 )
 
  • «
  •  Start 
  •  Prev 
  •  1 
  •  2 
  •  3 
  •  4 
  •  5 
  •  6 
  •  7 
  •  8 
  •  9 
  •  10 
  •  Next 
  •  End 
  • »


Page 1 of 153