|
||||
| BERZH financon me 50 milionë euro programin e rrugëve lokale |
|
Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim (BERZH) do të financojë me një shumë prej 50 milionë eurosh programin “Rrugët dytësore dhe lokale” në Shqipëri. Kredia në fjalë është pjesë e një projekti të koordinuar prej 137 milionë eurosh që do të mbështesin projektin e qeverise Shqiptare, i cili është në zbatim që prej vitit 2008. Projekti do të jetë bashkëfinancim me një tjetër kredi nga Banka Evropiane e Investimeve me 50 milion euro dhe me grante të Bashkimit Evropian nga IPA 2010 e 2011 me shumën prej 33 milion eurosh. Ndërkaq, një grant prej 4 milion eurosh nga “Western Balkan Investment Framework” do të mbulojë kosto të tjera të lidhura me projektin si projektim-supervizion, asistencë teknike etj. Rreth 650 km rrugë dytësore e lokale parashikohet të rindërtohen nga ky projekt gjatë 5 viteve të ardhshme. Projekti “Përmirësimi i Rrugëve Dytësore dhe Lokale” është një bashkëfinancim i Bankës Botërore dhe donatoreve të tjerë e po realizohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me një vlerë të përafërt prej 400 milion USD. Ky projekt synon të përmirësojë infrastrukturën rajonale dhe lokale në vend, si dhe të rrisë aksesin ndaj shërbimeve bazë dhe tregjeve, veçanërisht në zonat rurale nëpërmjet rehabilitimit të rreth 1500 km-ve rrugë. Aktualisht, janë në proces implementimi 210 km rrugë rajonale dhe lokale, ndërkohë që gjatë vitit 2010 parashikohet të jenë rehabilituar apo të jenë nën rikonstruksion 340 km rrugë. Strategjia e bankës Bordi i BERZH-it (Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim), ka krijuar një strategji të re për Shqipërinë, e krijuar për të mbështetur zhvillimin e mëtejshëm të vendit duke paraqitur synimet kryesore për ekonominë shqiptare. Strategjia e re thekson progresin e arritur nga Shqipëria vitet e fundit nëpërmjet reformave politike, të cilat ndihmuan të përmirësonin mjedisin e përgjithshëm të biznesit në vend dhe i dhanë një nxitje procesit të afrimit të vendit në BE. Politikat e rëndësishme ekonomike, investimet e vazhdueshme nga jashtë si edhe ekspozimi i limituar i Shqipërisë në tregjet botërore kanë ndihmuar të zvogëlojnë ndikimet negative të krizës financiare botërore. Sipas strategjisë së re, në vitet në vijim synimet kryesore të Shqipërisë do të jenë konsolidimi i institucioneve shtetërore, vazhdimi i përmirësimit të klimës së investimit në vend, vazhdimi i investimeve të mëtejshme në infrastrukturë dhe sigurimi i zhvillimit të mëtejshëm i sistemit bankar. Nëpërmjet aktiviteteve të saj, BERZH do të mbështesë vendin për arritjen e këtyre synimeve. BERZH do të vazhdojë të mbështesë sektorin bankar në Shqipëri, duke siguruar financim nëpërmjet huave dhe në kapitalin aksioner të kompanive, duke përfshirë linjat e kredisë për huadhënie ndaj bizneseve mikro, të vogla dhe të mesme dhe huatë për efiçencën e energjisë si edhe produktet për ndarjen e riskut për t’i mundësuar bankave të rritin huadhënien në sektorin real të ekonomisë. Banka do të mbështesë investimet e mëtejshme në infrastrukturë, energjetikë dhe projektet bashkiake dhe mjedisore, duke përkrahur qeverinë për të arritur partneritete të mëtejshme publike-private dhe koncesione në mënyrë që të tërheqin kapitalin privat. Që në fillimet e veprimtarisë së saj në Shqipëri, BERZH ka investuar 545 milion € në sektorë të ndryshme të ekonomisë, nga të cilat 55 milion euro janë investuar në vitin 2009. Me një plan projektesh të rëndësishëm përpara, BERZH do të rritë volumin e biznesit të saj në Shqipëri në vitin 2010. |




