|
||||
| USAID, vlerëson transparencën dhe planin e reformave në fushën e shëndetësisë |
|
USAID do të vazhdojë të mbështesë reformat në kujdesin shëndetësor parësor, riprodhues si dhe shëndetin e fëmijëve. Ditën e djeshme, me rastin e marrjes së detyrës së re të drejtorit të USAID në Shqipëri dhe në kuadër të eksplorimit të mundësive të bashkëpunimit midis USAID dhe Ministrisë së Shëndetësisë, u organizua një takim pune mes ministrit të shëndetësisë z. Petrit Vasili dhe drejtorit të sapoemëruar të USAID z. Joseph Wiliams dhe përfaqësuesve të tjerë të zyrës së USAID për Shqipërinë. Ndërkohë, z. Wiliams falënderoi ministrin Vasili për takimin dhe vlerësoi transparencën në punën dhe programin e ministrisë, adresimin e çështjeve të shëndetit publik dhe planin e reformave. Nga ana tjetër z.Wiliams shprehu gatishmërinë e USAID për të bashkëpunuar në fushën e reformave shëndetësore. Ai nënvizoi qartë se USAID është tejet i gatshëm t’u përgjigjet dhe të ndihmojë projektet që Ministria e Shëndetësisë i sheh si të dobishme për shëndetin publik në vend. Mbështetja USAID do të vazhdojë të mbështesë, reformat në Kujdesin Shëndetësor Parësor; Shëndetin Riprodhues si dhe Shëndetin e Fëmijëve, Telemedicinën. Ndërkohë që Z. Joseph Wiliams theksoi gatishmërinë e USAID për të angazhuar specialistë të njohur nga SHBA dhe vende të tjera sipas fushave të bashkëpunimit dhe projekteve konkrete. Projektet që do të financohen do të jenë në përputhje me prioritetet e Ministrisë së Shëndetësisë. Nga ana tjetër, ministri Vasili falënderoi dhe përgëzoi për detyrën e re shefin e USAID. Ai mbështeti edhe një herë reformën në Kujdesin Shëndetësor Parësor, rolin e USAID në këtë reformë si dhe për ndihmesën që USAID ka dhënë në vazhdimësi në fushën e shëndetësisë, ndihmë dhe asistencë që është në të njëjtën linjë me vizionin e qeverisë shqiptare për përmirësimin e kujdesit shëndetësor. Ministri i Shëndetësisë vlerësoi kontributin thelbësor të USAID përmes Projektit disavjeçar “ProShëndetit” në reformimin e Kujdesit Shëndetësor Parësor, si një sektor kyc në përmirësimin e shëndetit të popullatës. Një vlerë e shtuar e mbështetjes së USAID në fushën e shëndetësisë ka qenë dhe është qëndrueshmëria e investimit në logjistike, strukturim të sistemit shëndetësor dhe mbi të gjitha në njohuri dhe aftësi të burimeve njerëzore. Përfaqësuesit e USAID vlerësuan angazhimin jo vetëm politik, por edhe teknik të Ministrisë së Shëndetësisë në skicimin e ndërhyrjeve të mëtejshme të pritshme. Ndërkohë, në fundjavë do të zhvillohen takime në nivel ekspertësh për detajimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e shëndetësisë. Vasili: Grosistët, tashmë kanë gati listën e re të barnave
Zgjidhet ngërçi i krijuar mes grosisteve dhe Ministrisë së Shëndetësisë për furnizimin e tregut me medikamente të rimbursueshme. Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili shprehet se grosistet tashmë e kanë gati listën e re të barnave. “Absolutisht kemi një listë të pasuruar me barna të reja. Janë më shumë se 16 alternativa të reja që i shtohen listës së barnave”, u shpreh ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Ministria e Shëndetësisë ka në dispozicion këtë vit rreth 5.3 miliardë lekë për ilaçet e rimbursueshme. Ndërkohë që, këtë vit janë shtuar dhe16 artikuj që sipas ministrit të shëndetësisë janë alternativa për patologji që prekin një numër të madh pacientësh. Pak kohë më parë distributorët që hedhin në treg ilaçe të rimbursueshme kishin kërcënuar se do të linin tregun bosh, për shkak se lista e këtyre medikamenteve nuk ishte miratuar ende dhe se rritja e euros kundrejt lekut po i nxirrte bizneset e tyre me humbje. Lista e re me medikamente të rimbursueshme pritet të miratohet në mbledhjen e radhës të qeverisë. Task-Forca e Shëndetësisë: Luftë korrupsionit në këtë sektor
Marrje e të gjitha masave për të zhdukur çdo shenjë të korrupsionit në sistemin shëndetësor. Kjo ka qenë porosia kryesore që kryeministrit Berisha ka lënë gjatë mbledhjes së radhës të Komitetit të Task Forcës për reformën në shëndetësi. Në këtë takim, ku ishin të pranishëm ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili dhe drejtues të lartë të institucioneve të rëndësishme në shëndetësi, u diskutua mbi gjendjen reale të shëndetësisë në vend, mbi politikat e reja që duhen ndjekur për standardizimin e sistemit shëndetësor, që do të plotësojë të gjitha kërkesat e publikut, për një menaxhim më të mirë të këtij sistemi, për kostimin, për edukimin në vazhdim në fushën e shëndetësisë, për gjetjen e mënyrave efikase promovuese të të gjithë masave të marra që po e zhvillojnë shëndetësinë. Nga ana e tij, kryeministri Berisha kërkoi hartimin e një plan veprimi konkret, në kuadër të kësaj reforme të madhe, plan ky që pasi të diskutohet në masën e gjerë të mjekëve, do t’i përcillet grupit ndërinstitucional. ““Ju keni forcën profesionale e intelektuale për të vendosur standardet më të mira në sistemin shëndetësor. Duhet të gjejmë dhe të vëmë në zbatim të gjitha mënyrat, sesi ta nxjerrim këtë sistem jashtë korrupsionit. Të marrim çdo lloj mase, edhe agresive. T’i rikthejmë dinjitetin këtij misioni të rëndësishëm, misionit të mjekut. Krahas përcaktimit të procedurave anti-korruptive duhet të inkurajojmë dhe rritjen e rrogave në shëndetësi”, u është drejtuar Kryeministri të pranishmëve në këtë Task Force. Pasi theksoi se deri më tani janë bërë përpjekje të mëdha dhe ka pasur progres të pamohueshëm në drejtime të ndryshme në fushën e mjekësisë, Berisha përfundoi se Shqipëria është një vend me mundësi të mëdha për ta sjellë në standardet e duhura sistemin shëndetësor dhe kjo do të arrihet falë reformës që do të jetë përparësi absolute e qeverisë deri në finalizimin e saj. |




