- Partia Lëvizja Socialiste për Integrim www.lsi.al -
Written by Gazeta Integrimi    Friday, 05 February 2010 15:12    PDF Print E-mail
Dritan Prifti: Bankat të mbështesin projektet koncesionare për HEC-et

Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Dritan Prifti ka kërkuar dje nga bankat që të kreditojnë kompanitë koncensionare në fushën e energjisë së rinovueshme. Zoti Prifti e bëri këtë deklaratë gjatë një takimi që bëri me përfaqësues të bankave në Shqipëri, ku ai paraqitur gjendjen e koncesioneve në vend dhe problemet që hasin kompanitë me mungesën e financimit nëpërmjet kredive. “Falënderoj të gjithë pjesëmarrësit për vëmendjen që kanë treguar për këtë aktivitet dhe për prezencën e tyre. Është një takim që ne si ministri e ekonomisë e menduam që ta kishim si një tavolinë pune, për t’iu dhënë infomacion për zhvillimet e koncensioneve në vend dhe pastaj për të marrë dhe për të shkëmbyer mendime me njëri-tjetrin për mundësitë e financimit nga sistemi bankar apo nga institucionet financiare ndërkombëtare të koncensioneve në vend”, tha në fillim Ministri i METE-s.

Apeli për bankat

Zoti Prifti i bëri një apel direkt bankave që të mbështesin investimet në koncesionet e hidrocentraleve, sepse kuadri ligjor është përmirësuar dhe suksesi është i garantuar, pasi ka shumë resurse. “Mendoj që ligjërisht të gjitha garancitë ose le të themi garancitë kryesore janë për bankat apo për institucionet ndërkombëtare financiare për të kredituar koncesionet në fushën e energjetikës. Akoma mund të kenë mbetur disa probleme pa u zgjidhur, mbase problemet e pronësisë në ndonjë rast ose ndonjë problem tjetër. Por mendoj se frika e sistemit bankar për të mos u përfshirë në investime e financime të sistemit energjetik dhe sidomos në hidrocentrale është e pajustifikueshme, thekoi ministri Prifti. Kjo lloj stepjeje dhe kjo lloj sjellje unë mendoj se është e pajustifikueshme pasi kuadri ligjor ekziston dhe garancitë ekzistojnë. Unë do ju ftoja ta shikoni më me precedencë investimet e këtij lloji. Është energji e rinovueshme. Ne jemi duke ecur në anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian. Ata që janë përfaqësues të BE-së e dinë shumë mirë që në BE kanë direktiva shumë të qarta për stimulimin e energjisë së rinovueshme. Është një shans i madh të investosh në këtë fushë në Shqipëri. Projektet dhe shanset për të investuar në këtë lloj projektesh në Evropë janë të pakta, sepse janë ezauruar burimet. Ndaj dhe Shqipëria ofron mundës të jashtëzakonshme që në Evropë janë të ezauruara. Këto janë mundësi që duhet të mbështeten nga sistemi bankar në Shqipëri por edhe nga institucione ndërkombëtare. Ka projekte të vogla që janë mbështetur nga BERZH-i apo banka të tjera të huaja. Por unë dëshiroja që ky takim të jetë një nxitje më shumë për të financuar në këtë sektor”, vazhdoi fjalën e tij ministri.

Investimet në energjetikë


Në të gjitha koncesionet parashikohet një investim deri në 1.9 miliard euro, sipas ministrit. Të gjitha këto që janë dhënë, përfshirë edhe koncesionet më të mëdha si ai i Devollit, nga të cilat 10 % e kësaj shume janë investuar deri më sot. Rreth 190 milionë euro janë investuar deri tani në koncesionet në energjetikë. I gjithë kapaciteti i të gjitha lejeve koncesionare që janë dhënë për hidrocentrale është 820 megavat. “Pavarësisht se janë 263 HEC-e të dhëna me koncesion, shumica janë të vogla, 820 megavat është i gjithë kapaciteti i instaluar dhe nga kjo përfiton sistemimi ynë energjetik. Përafërsisht llogaritet 3 miliard kv/h në vit më shumë pritet të hidhet më shumë në treg. Gjatë procesit të intervistimit të gjithë koncensionarëve ka dalë një problematikë dhe duke qenë se problematika kryesore që doli nga ky proces ishte mungesa e financimit të këtyre veprave nga sistemi bankar në vend, unë mendova që diskutimin në radhë të parë me ju dhe më pas me institucionet e tjera financiare ndërkombëtare, mund të jetë çelësi i suksesit tonë në të ardhmen”, shtoi Prifti

Kuadri ligjor

Ministri i METE-s e vuri theksin te ndryshimet e bëra në kuadrin ligjor. “Janë bërë goxha përmirësime në kuadrin ligjor për koncesionet. Në qoftë se një vit më parë në një tryezë pothuajse si kjo e organizuar po nga ministria e ekonomisë, nxori dy probleme, mungesën e asaj që quhet “step in right” për bankat kur financojnë koncesionet, kjo sot është kthyer në ligj. Janë bërë ndryshimet në ligjin për koncesionit, kur bankat e kanë të drejtën për ta marrë këtë koncesion dhe për ta menaxhuar vetë ose për ta kaluar dikujt tjetër në menaxhim nëse bllokohet financimi. Kjo ishte një nga çështjet që është ngritur në tryezën e viti të kaluar dhe ne e kemi realizuar këtë nëpërmjet ligjit”, tha Prifti. “Një shqetësim tjetër para një viti ishte tarifa afatgjatë e garantuar për koncesionarët. Pra të ketë një tarifë të ditur për 10-15 vjet, ku edhe kredituesi të ketë garanci për investimin e vet. Edhe kjo është pothuajse është realizuar për hidrocentralet deri në 15 megavat. Enti Rregullator i Energjisë sot ka të drejtën të ofrojë kontrata dhe të japë garanci për vlerën e energjisë deri në 15 vjet. Kurse për hidrocentralet që janë mbi 15 megavat praktika që është ndjekur nga qeveria, të paktën për ato që janë të mëdha, koncesioni ka kaluar në parlament dhe parlamenti ka fiksuar një çmim afatgjatë për koncesionarin. Pra edhe ky shqetësim është zgjidhur. Ne në fakt kemi përfunduar draftin përfundimtar të ligjit të ri për energji të rinovueshme. Për pak ditë ky draft, që sigurisht është bërë me konsulencë ndërkombëtare dhe e kemi dërguar në sekretariatin e energjisë në Vjenë për të marrë mendime, kemi marrë mendime pozitive, vijoi kreu i energjetikës. Së shpejti do ta qarkullojmë për mendim dhe në aktorë dhe faktorë të tjerë, në grupe të tjera të interesit dhe ministrisë e tjera të linjës dhe pastaj do ta dërgojmë në qeveri. Në këtë ligj, ato që sot janë të garantuar nëpërmjet akteve të tjera nënligjore, do të fiksohet periudha e kësaj tarife të subvencionuar dhe të garantuar për 15 vjet do të jetë e fiksuar në këtë ligj dhe besoj do të jetë një garanci më shumë për financuesit e këtyre projekteve”, përfundoi ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti.