|
||||
| Ministri Vasili publikon dy hapa të reja të reformës shëndetësore |
|
Dixhitalizimi e informatizimi të të gjithë sistemit, si dhe hartimi i protokollit të mjekimeve dhe kostifikimin e shërbimeve shëndetësore, këto janë dy rrugët e reja në të cilat do të ecë reforma në shëndetësi. Nën moton “Reforma që ndryshon shëndetësi”, dy proceset e rëndësishme janë bërë publike gjatë një konference për shtyp të ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili.
“Jam përpara jush për t’i komunikuar opinionit publik startimin e dy proceseve shumë të rëndësishme, që kanë të bëjnë me reformën në shëndetësinë shqiptare. Sistemi i dixhitalizimit dhe informatizimit të gjithë sistemit në të gjitha nivelet e tij, që do të shoqërohet nga një informatizim intensiv, që nga qendrat universitare dhe deri te spitalet më të largëta. Dhe së dyti, procesin intensiv të hartimit të protokolleve të mjekimit dhe kostifikimit të shërbimit shëndetësor”, theksoi Vasili. Në këtë mënyrë, përfundimisht shërbimi shëndetësor do të ketë dy linja kryesore: do të jetë i informatizuar, pra mundësia e monitorimit dhe ndjekjes së tij online për të evituar çdolloj keqkuptimi qoftë me shërbimin që ofrohet, furnizimin me barna, shërbimet mjekësore, kartelën klinike. Ndërkohë që, sipas kreut të Shëndetësisë, ky shërbim nuk do të jetë më empirik, por do të kostifikohet. Gjithashtu, çdo gjë do të ketë një çmim dhe do të financohet pikërisht duke u bazuar mbi këto kritere. Proceset Informatizimi i shërbimit dhe përcaktimi i protokolleve shëndetësore, sigurisht që shënojnë dy elemente transformues rrënjësore të sistemit shëndetësor. Këto reforma ndërmerren me nismën profesionale dhe politike të Task-Forcës, ngritur pranë Këshillit të Ministrave nën drejtimin e Kryeministrit, i cili ka përcaktuar si dy linja të reformës në shëndetësinë shqiptare. “Ne do të kemi mundësinë që në muajt dhe në javët në vijim të informojmë gradualisht mbi implementimin e këtyre reformave në të gjithë territorin e republikës mbi gjithë sistemin shëndetësor publik. Për sa i takon sistemit farmaceutik dhe atë privat, kemi dy transformime rrënjësore, që do të ecin në ato drejtime të munguara të reformës në shëndetësi”, përfundoi Vasili. Ndërkohë, dy ditë më parë, Kryeministri i vendit, Sali Berisha, pohoi se reformat e ndërmarra dhe aplikuara në shëndetësi deri tani kanë rezultuar pozitive në luftën kundër korrupsionit në këtë sektor. “Gjatë këtyre muajve ka ndodhur një reformë e thellë, e suksesshme dhe shumë e mirëpritur nga qytetarët, duke vendosur çmimet e referencës për vizitë. Kjo ka sjellë reduktim dramatik të parapagimit. Një Poll paraprak tregon se rënia është rreth 70 për qind, sepse, për fat të keq, parapagimi në shëndetësi ishte një nga praktikat më korruptive dhe kjo tani është asgjësuar”, theksoi Berisha, dy ditë më parë. Sipas tij, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili dhe Task-Forca për reformën në shëndetësi po përpunojnë praktika të reja. Ndërkohë që, siç janë vendosur këto praktika në rendin e vizitave, do të vendosen praktika të reja për procedurat dhe operacionet, në mënyrë që të zhduket parapagimi dhe ryshfeti në sistemin tonë shëndetësor. Task-Forca Nëpërmjet kësaj reforme, synohet marrja e të gjitha masave për të zhdukur çdo shenjë të korrupsionit në sistemin shëndetësor. Reforma e Task-Forcës, cilësohet e suksesshme, duke u bazuar në një sërë pikash mbi sistemin shëndetësor. Nëpërmjet saj, janë arritur të plotësohen të gjitha kërkesat e publikut, për një menaxhim më të mirë të këtij sistemi, për kostimin, për edukimin në vazhdim në fushën e shëndetësisë, për gjetjen e mënyrave efikase promovuese të të gjithë masave të marra, që po e zhvillojnë shëndetësinë, duke vendosur standardet më të mira, dhe duke vënë në zbatim të gjitha mënyrat që luftojnë dhe zhdukin korrupsionin. Reformat në sistemin shëndetësor, gjithnjë e më shumë po japin efekte pozitive dhe krijojnë gjithnjë e më shumë lehtësira, sektori shëndetësor po kalon reformim të plotë, ku mirëqenia shëndetësore e çdo qytetari është në vëmendje. Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë një vëmendje të veçantë për të arritur standarde sa më të mira, i ka kushtuar dhe edukimit të vazhdueshëm të mjekut nëpërmjet akreditimit dhe certifikimit. Në këtë mënyrë, reforma në sistemin e shëndetësisë, sigurisht që do të shërbeje dhe në kualifikimin e më tejshëm dhe përmirësimin e mjekëve në këtë sektor. Megjithatë, reformat në fushën e shëndetësisë po e çojnë gjithnjë e më shumë, drejt hapave pozitivë dhe të suksesshëm këtë sektor. Në këtë mënyrë është luftuar, korrupsioni i bluzave të bardha, dhe qytetarët, pacientët dhe shërbimi ndaj tyre ka qenë gjithmonë në qendër të vëmendjes. Reforma të tjera Sektori shëndetësor po kalon reformim të plotë, ku mirëqenia shëndetësore e çdo qytetari është në vëmendje. Në këtë mënyrë, ashtu siç e ka bërë të ditur dhe kreu i Shëndetësisë, para disa kohësh, një nga pikat e reformës në këtë sektor do të ketë të bëjë me zbatimin në një shkallë më të gjerë të mjekësisë së familjes, kujdesit shëndetësor parësor shoqëruar me elementë të rëndësishëm strukturorë, si përkufizimi i paketës bazë të shërbimeve, apo dhe me ndryshime organizative përfshirë këtu delegimin e përgjegjësive financiare dhe menaxhuese në këtë nivel. Një pikë tjetër ka të bëjë me transformimin e ISKSH-së në një burim të vetëm financimi për kujdesin shëndetësor parësor dhe atë sekondar, si dhe me “përgatitjen e një strategjie rikonfigurimi për shërbimin spitalor për të riorientuar sistemin e ofrimit të shërbimit shëndetësor drejt atij parësor dhe për të rritur eficencën e spitaleve nëpërmjet zhvillimit të standardeve spitalore në bazë të strukturës, procesit dhe rezultateve të tyre”. Ndërkohë që një rëndësi të madhe do t’i kushtohet dhe standardeve të shërbimit. Ofrimi i shërbimeve bazë është i padiskutueshëm. Mungesat e shërbimeve bazë nuk mund të justifikohen prej ekzistencës së shërbimeve elitare dhe Out-sourcing duhet të fuqizohet dhe përfshijë komponentë të tjerë të shërbimeve. Treguesit e funksionimit do të jenë, pastërtia e higjiena (jo vetëm infeksionet nozokomiale); sadisfaksioni i pacientëve (dhe ankesat e tyre); eficenca e proceseve të punës (jo vetëm efektiviteti i tyre). Ndërkohë, ekzistojnë komponentë të rëndësishëm të lidhur me formimin e vazhduar të forcës punëtore të sektorit shëndetësor në Shqipëri, ai i sistemit të strukturuar të formimit, akreditimit nëpërmjet kurseve të formimit të vazhdueshëm të specialistëve të shëndetësisë. Në këtë mënyrë, këto aktivitete trajnimi, do të inkurajojnë dhe specializojnë akoma më shumë personelin shëndetësor. Ministria e Shëndetësisë për zhvillimin e burimeve njerëzore në sistemin shëndetësor, ka ngritur një Sistem të Zhvillimit Profesional që përbëhet nga Qendra Kombëtare për Edukimin e Vazhdueshëm (QKEV) për personelin shëndetësor, sistem akreditimi të programeve të trajnimit dhe sistem certifikimi. Nga ana tjetër, një sistem për akreditimin e programeve të trajnimit dhe kurseve në kuadrin e formimit të vazhduar për personelin shëndetësor është ngritur tashmë. Procesi i akreditimit ka dy objektiva. Së pari, të krijojë një sistem kreditesh që do t’i jepen personelit për ndjekjen e çdo programi trajnimi ose kursi dhe të sigurojë cilësinë e programeve të trajnimit, duke zhvilluar dhe monitoruar standardet e mësimdhënies, si dhe duke mbështetur përmirësimin e këtyre standardeve. Ndërsa, funksioni i certifikimit është i lidhur me njohjen e aktiviteteve të trajnimeve profesionale nëpërmjet një sistemi kreditesh, që mund të fitohet nga personeli shëndetësor për ndjekjen e aktiviteteve trajnuese, ose për kompletimin e një numri të përcaktuar orësh të formimit të vazhdueshëm, me qëllim që të rikualifikohet për t’u rilicencuar, të avancojë në karrierë ose të marrë benefitet. Një sistem certifikimi për personelin shëndetësor është i rëndësishëm që të sigurojë që profesionistët e shëndetësisë mund të përmbushin kriteret e lidhura me zhvillimin e tyre profesional nëpërmjet pjesëmarrjes në kurse të ndryshme ose didaktike. |



