- Partia Lëvizja Socialiste për Integrim www.lsi.al -
Wednesday, 10 March 2010 15:37    PDF Print E-mail
Ardian Fullani: Sistemi bankar mbetet i shëndetshëm

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, deklaroi dje se Shqipëria e kaloi mjaft mirë goditjen indirekte të krizës ekonomike dhe financiare globale, duke ruajtur ekuilibrat financiarë. “Sistemi bankar mbetet i shëndetshëm dhe i mirëkapitalizuar dhe inflacioni në vitin 2009 ishte mesatarisht 2-3%”, tha Fullani, sipas të cilit, edhe bilancet e jashtme kanë shfaqur shenja konsolidimi. “Shumë nga faktorët që ndikuan negativisht në ekonominë shqiptare do të vazhdojnë të jenë të pranishëm edhe gjatë këtij viti", vijoi Guvernator i Bankës së Shqipërisë.

Ai vlerësoi se viti 2010 parashikohet të shoqërohet nga një përmirësim gradual, por shumë nga faktorët do të vazhdojnë të jenë të pranishëm edhe gjatë këtij viti. “Politikat fiskale ndihmuan në mbështetjen e aktivitetit ekonomik gjatë vitit 2009, por ekonomia shqiptare nuk mund të mbështetet për shumë kohë në këto stimuj fiskalë", vlerësoi Fullani, duke vënë theksin në ndërmarrjen e një politike fiskale me shtrënguese për vitin 2010.

“Qëndrueshmëria fiskale duhet të garantohet në një rregull fiskal, ndërsa rritja ekonomike duhet të mbështetet në nxitjen e sektorit privat dhe këtu rol kryesor duhet të luajë kreditimi i saj”, u shpreh Fullani. Ai theksoi se lehtësimi i kushteve monetare nga BSH ka mbështetur këtë proces të rëndësishëm, ndërsa vlerësoi se riaktivizimi i aktivitetit kreditues mbetet një objektiv sfidues, por bizneset duhet të paraqesin një plan-biznesi të vlefshëm për financim bankar. “Politika monetare do të vazhdojë të mbetet e kujdesshme, ndërsa inflacioni i mallrave të konsumit do të zbres në 3% gjatë vitit 2010”, tha ai.