|
||||
| FMN: Impresionuese mënyra se si ekonomia shqiptare përballoi krizën botërore |
|
Ish-shefi i misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Tiranë, Gervin Bell, e quajti impresionuese rritjen ekonomike të Shqipërisë në vitin 2009, që, sipas tij, e përballoi mjaft mirë krizën globale. Rritja ekonomike për vitin 2009 në Shqipëri ka qenë 3%, ndërkohë që FMN-ja parashikon se edhe këtë vit ekonomia do të vazhdojë të rritet, ndonëse me ritme më të ulëta. Ish-shefi i misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Tiranë, Gervin Bell, e bëri këtë konstatim në një konferencë të përbashkët për shtyp me kreun e Financave Publike, Ridvan Bode dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani,
duke i sugjeruar qeverisë të ulë borxhin publik që më pas të synojë rritjen ekonomike. Gervin Bell kryeson delegacionin e FMN, që po kryen një vizitë 10-ditore në Shqipëri. Ai theksoi se gjatë kësaj periudhe, FMN-ja ka diskutuar me autoritetet shqiptare për ekonominë në vend, nga ku, sipas tyre, është vlerësuar impresionuese përballimi i krizës ekonomike. Ai tha se besimi në sektorin financiar është rikthyer dhe kjo reflektohet nga rritja e depozitave, si dhe nga dërgesat e emigrantëve. Sipas Bell, pritshmëritë për inflacionin mbeten të ankoruara mirë.
Ekonomia shqiptare Për vitin 2009, Bell tha se FMN evidentoi se pati një rënie të reflektuar te remitancat dhe eksportet në vend. “Është impresionuese se si ekonomia shqiptare ia doli ta përballojë krizën botërore mjaft mirë. Ne vlerësojmë se ekonomia shqiptare është rritur me 3 për qind gjatë 2009, që është një nivel mjaft i lartë”, u shpreh Bell. Ai theksoi se FMN parashikon që për vitin 2010 rritja ekonomike të jetë në shifrat 2-2.5%, ndërsa rritja potenciale e ekonomisë do të marrë vrull vetëm në vitin 2015. Lidhur me aspektin e rritjes ekonomike, Bell bëri disa sugjerime. “Ekonomia shqiptare duhet të kalojë nga huamarrja për konsum në zgjerim të burimeve prodhuese, rritje të eksporteve dhe zëvendësim të importeve me eksporte. Kjo ndihmon në klimën e biznesit dhe mbrojtje për investitorët. Ndonëse menyja e ndërhyrjeve mund të jetë e gjerë, si me ulje shpenzimesh apo rritje të ardhurash, është e domosdoshme që politikat fiskale tani të tërhiqen. Mbështetja buxhetore ka qenë e rëndësishme, por tani koha është për kthesë në buxhet. Deficitit buxhetor brenda vitit duhet ulur në 3 për qind”, thotë Gervin Bell, përfaqësues i FMN për Shqipërinë. Strategjia e qeverisë Në rritjen e vogël ekonomike, sipas FMN, ka ndikuar gjithashtu rënia e të ardhurave dhe rritja e shpenzimeve. Por, sugjerimi konkret nga FMN është të ulet borxhi publik. “Janë sidomos pikat e dobëta ta lidhura me politikat ekonomike dhe sidomos politikat fiskale duhet të tërhiqen për të ruajtur stabilitetin makroekonomik, vijoi Bell. Buxheti e ndihmoi mjaft ekonominë nëpërmjet futjes në punë të stabilizatorëve automatikë, që është një mënyrë e bukur për të thënë që pati një rënie të të ardhurave, por gjithashtu edhe rritje të shpenzimeve, që mbështetën kërkesat e brendshme”. Ish-shefi i misionit të FMN-së në Shqipëri lavdëroi politikat e mira monetare në këtë kohë të vështirë. “Politika monetare nga ana e saj uli normën e interesit dy herë në kohën e duhur dhe siguroi në treg injeksione likuiditeti. Si rezultat i këtyre politikave stimuluese, deficiti i buxhetit nga një nivel rreth 3% që ka qenë në vitin 2007, arriti në një nivel deri në 7% në vitin 2009. Ky ishte një nga faktorët që ndikoi në rritjen e borxhit në nivelin aktual të 60% të GDP-së dhe gjithashtu deficitin e bilancit të pagesave në një nivel prej 15% të GDP-së. Këto zhvillime, nëse ky trend vazhdon rrezikojnë të minimizojnë hapësirën për investime private dhe gjithashtu të ulin qëndrueshmërinë e borxhit publik”, vijoi përfaqësuesi i FMN-së. Deficiti dhe sistemi bankar Bell i sugjeroi qeverisë të sjellë në nivelin 3% të GDP-së deficitin buxhetor. “Për sa i përket buxhetit, ne mendojmë se është momenti i duhur për një kthesë. Kur të bëhet rishikimi i ardhshëm i buxhetit, deficiti buxhetor duhet sjellë në një nivel te 3 % e GDP-së. Nëse nuk do të merreshin masat, deficit buxhetor do të sillet diku te 5.5% e GDP-së”, theksoi Bell. Borxhi rrezikon investimet. Qeveria të rishikojë politikat buxhetore, pasi për vitin 2009, deficiti buxhetor u rrit me 7%. Buxheti ka nevojë të konsolidohet, duhet rregull fiskal i besueshëm”, tha për gazetarët Bell, në prani të ministrit Bode.Sa i përket sistemit bankar, FMN, pasi e ka studiuar këtë sistem shprehet se ka vërtetuar se po rriten sërish dërgesat e emigrantëve. “FMN evidentoi se sistemi bankar gjatë krizës ekonomike hyri me rezerva dhe kapital të mjaftueshëm. Tani i duhet të përballojë e monitorojë situatën, pasi rreziqe gjithmonë ka”. Amnistia fiskale ishte një argument tjetër, rreth të cilit përfaqësuesi i FMN dhe qeveria kanë sjellë qëndrimin e tyre. “Nëse me amnisti fiskale kuptojmë legalizim të pronësisë për të cilën paguhet një taksë, ne jemi dakord. Por, ne nuk mund të pranojmë falje të atyre që nuk kanë paguar taksat. Kjo do të ishte e dëmshme për sistemin fiskal”, tha Gervin Bell, përfaqësues i FMN për Shqipërinë. |



