- Partia Lëvizja Socialiste për Integrim www.lsi.al -
Wednesday, 10 March 2010 15:33    PDF Print E-mail
Clinton: Mbështesim integrimin e vendeve të Ballkanit

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, deklaroi dje se integrimi në BE i shteteve të Ballkanit Perëndimor janë të një rëndësie thelbësore për stabilitetin dhe zhvillimin rajonal. “Integrimi i vendeve ballkanike në institucionet euroatlantike është vendimtar për stabilitetin dhe zhvillimin rajonal”, ka thënë Clinton. Deklarata e saj u bë dje, gjatë takimit me Kryeministrin grek, Jorgos Papandreu.

Qëndrimi i SHBA-ve

Deklarata e Sekretares amerikane të Shtetit është një inkurajim i madh që u jepet vendeve të rajonit dhe vendeve të Bashkimit Evropian për zgjerimin e unionit. Clinton, pas takimit me Kryeministrin grek, George Papandreu, përshëndeti dhe rolin ndihmues të Greqisë për të arritur integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian. Duke folur për takimin me Papandreun, Clinton ka theksuar se me Kryeministrin grek ka diskutuar për Ballkanin, ku ka theksuar se “integrimi i vendeve të Ballkanit në institucionet euroatlantike është thelbësore për stabilitetin rajonal dhe zhvillimin”. Ajo ka theksuar se gjithë ky proces do të jetë në mbështetje të reformave dhe kushteve që BE-ja ka vendosur për t’u bërë pjesë e saj. Diplomatja amerikane ka sqaruan dhe qëndrimin e SHBA-ve në lidhje me strategjinë e Greqisë për hyrjen e të gjithë vendeve të rajonit.

Strategjia e SHBA-ve për rajonin

“Administrata Obama është e angazhuar për integrimin e plotë të vendeve të Ballkanit”. Ky është qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe strategjia e Presidentit Barak Obama, në lidhje me zhvillimet në rajonin e Ballkanit. Strategjia e SHBA-ve për Ballkanin është prezantuar nga ndihmëssekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane në kabinetin e qeverisë Obama, Phillip H. Gordon, disa ditë më parë, gjatë një takimi të organizuar nga Programi Kokkalis, në Shkollën e Qeverisjes, “J. F. Kenedi” në Universitetin e Harvardit. Sipas nënsekretarit të Shtetit për çështjet evropiane, administrata e Obamës kërkon një "mënyrë më të mirë" për vendet e Evropës Juglindore. Ai u shpreh se "integrimi politik dhe ekonomik" i Evropës Juglindore në pjesën tjetër të kontinentit është kyçi për stabilitetin rajonal dhe zhvillimin në vitet që vijnë. "Ne kemi një vizion të një Evrope paqësore dhe të qëndrueshme, që do të shtrihet në Turqi dhe Kaukaz. Zgjidhja qëndron në bashkëpunim transnacional dhe institucionet që garantojnë të drejtat e qytetarëve, nxitjen e lirisë ekonomike, sigurojnë realizueshmëri të kufirit, si dhe të sigurojnë një forum të besueshëm për zgjidhjen paqësore të konflikteve”, u shpreh Gordon. “Një nga qëllimet kryesore të programit, është integrimi i Evropës Juglindore në Evropën si një e tërë. Ky është një rajon që është jetik për të ardhmen e Evropës dhe për këtë arsye është në fokus të angazhimit të vazhdueshëm dhe intensiv nga ana e administratës Obama”, ka thënë Gordon, në fillim të fjalës së tij, mbi rëndësinë e Evropës Juglindore. Ai ka theksuar se, dhe pse kjo pjesë e Evropës, nuk është më në rajonet e krizave botërore, vëmendja e SHBA-ve nuk ka munguar. “Unë dua të jetë absolutisht i qartë se administrata politike e ka në fokus të rëndësishëm stabilizimin dhe integrimin në Evropë të zonës nga Adriatiku deri në Detin e Zi. Evropa Juglindore i përshtatet konceptit tonë të gjerë të sigurisë evropiane”, ka thënë ai. Ai ka theksuar se perceptimi ndërkombëtar, se SHBA-të janë tërhequr nga Ballkani, nuk është i vërtetë. “Puna jonë nuk është bërë ende: ne duam që të ecim me këtë vizion për Evropën Juglindore dhe ta integrojmë atë plotësisht në zonën e demokracisë, stabilitetit dhe prosperitetit në kontinent”, ka thënë Gordon.