- Partia Lëvizja Socialiste për Integrim www.lsi.al -
Wednesday, 10 March 2010 15:31    PDF Print E-mail
Meta: I rëndësishmëm bashkëpunimi i Shqipërisë me Bashkimin për Mesdheun

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, shtroi dje një drekë pune për ambasadorët rezidentë të vendeve anëtare të Bashkimit për Mesdheun (BpM) për të bashkëbiseduar lidhur me angazhimin politik të Shqipërisë dhe projektet konkrete në kuadër të Bashkimit për Mesdheun.

Në fjalën e tij, Meta theksoi rëndësinë që Shqipëria i kushton bashkëpunimit në kuadër të BpM, i cili përbën një dimension relativisht të ri në politikën e jashtme shqiptare, me mundësi të reja dhe të shumta ndërveprimi, shkëmbimi, e bashkëpunimi për çështje të rëndësishme në interes të vendit, të rajonit të Mesdheut e më gjerë. “Bashkëpunimin në kuadër të BpM, ne e shohim si një vlerë të shtuar të politikës sonë të jashtme dhe si pjesë komplementare të procesit tonë të integrimit”, u shpreh kreu i diplomacisë shqiptare, Meta. Ai shprehu besimin se zhvillimet e reja, që kanë të bëjnë me ngritjen e strukturave institucionale, siç është Sekretariati i Përgjithshëm në Barcelonë, do t’i japin një nxitje të re aktivitetit dhe bashkëpunimit në kuadër të BpM, duke e orientuar atë drejt projekteve dhe rezultateve konkrete. Në këtë kuadër, Meta theksoi synimin e Qeverisë për të dinamizuar pjesëmarrjen e Shqipërisë jo vetëm në forumet e dialogut politik, por kryesisht në ato të bashkëpunimit konkret në fushën ekonomike, të kulturës, arsimit etj. “Për këtë qëllim, ne kemi përgatitur një plan konkret pune, ku përfshihet edhe mundësia e organizimit në Shqipëri të ndonjë takimi ministror në fushën e energjisë apo të kulturës”, tha Meta. Ai theksoi gjithashtu edhe rëndësinë e bashkëpunimit me shoqërinë civile dhe organizma të tjerë joqeveritarë të angazhuar në çështje që përfshihen në axhendën e BpM. Më tej, fjalën e mori përfaqësuesi i kryesisë së radhës së BE-së, ambasadori i Mbretërisë së Spanjës, Manuel Montobio, i cili theksoi objektivat prioritare të BpM, që kanë të bëjnë me transformimin e ideve në realitet me qëllim krijimin e një zone paqeje, dialogu ndërkulturor dhe prosperiteti në rajonin e Mesdheut. Këtu, Montobio përshëndeti edhe kontributin e Shqipërisë për të realizuar potencialin e saj të plotë në kuadër të BpM. Gjatë drekës, përshëndetën edhe përfaqësuesit e bashkëpresidencës egjiptiane dhe franceze, ambasadorja e Egjiptit dhe zv.ambasadori francez, të cilët e vlerësuan angazhimin dhe synimin e shprehur nga Meta për të rritur kontributin dhe për të bërë sa më aktive pjesëmarrjen e Shqipërisë në BpM. Në fund, bashkëbiseduesit theksuan se kjo drekë pune përkon me një periudhë të rëndësishme të riorganizimit dhe ridimensionimit të bashkëpunimit në kuadër të BpM, duke u ndalur edhe në objektivat që duhen arritur dhe në sfidat e bashkëpunimit për të ardhmen.