- Partia Lëvizja Socialiste për Integrim www.lsi.al -
Wednesday, 10 March 2010 15:23    PDF Print E-mail
KE: Do mënjanojmë çdo pengesë për heqjen e vizave

Përfaqësuesja e Komisionit Evropian, Sesila Malmstrom, ka deklaruar dje, në mbledhjen e Parlamentit Evropian, se ky institucion do të mënjanojë çdo pengesë të panevojshme në lëvizjen e lirë. Parlamenti Evropian ka diskutuar dje në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën.

Debatet janë përqendruar në shpejtimin e këtij procesi. Eurodeputetja Tania Fajon është shprehur se Komisioni Evropian duhet të përmbushë premtimin e dhënë për liberalizimin e vizave gjatë këtij viti.
Diskutimi për heqjen e vizave për Shqipërinë
Parlamenti Evropian në Strasburg ka diskuar dje lidhur me heqjen e regjimit të vizave për vendet e zonës Shengen për qytetarët e Shqipërisë dhe të Bosnje-Hercegovinës. Debati mes eurodeputetëve kishte në qendër diskutimin dhe ndryshimet në rregulloren për Konventën e zbatimit të Marrëveshjes Shengen. Eurokomisionerja për çështjet e brendshme, Sesilia Malmstrom ka rënë dakord me vërejtjet e paraqitura nga europarlamentarja Fajon për të mënjanuar çdo pengesë të panevojshme në lëvizjen e lirë.
Vërejtjet e europarlamentares Fajon, për mënjanimin e çdo pengese, në lidhje me liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën, kanë marrë mbështetjen e eurokomisioneres për çështjet e brendshme, Sesilia Malmstrom.
Qëndrimi
Eurodeputetja sllovene, Tania Fajon, ka kërkuar nga Parlamenti Evropian edhe më parë që të shpejtojë procedurat për liberalizimin e vizave me Shqipërinë dhe me Bosnjën. Ajo ka theksuar se qytetarëve të këtyre vendeve duhet t’u jepet një mesazh i qartë në lidhje me integrimin në Bashkimin Evropian. Ndërkohë që, ngritja e çështjes së liberalizimit të vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën në PE synon të japë një impuls të ri në zhvillimet e Komisionit Evropian. KE-ja duhet të jap mendimin në lidhje me përmbushjen e standardeve për vizat nga ana e Shqipërisë. Më pas kërkohet dhe miratimi formal i Parlamentit Evropian dhe në fund janë ministrat e vendeve të Bashkimit Evropian dhe Komisioni Evropian, ata që do të vendosin afatet konkrete në lidhje me heqjen e vizave. Shpejtimi i procedurave të kërkuar nga Tania Fajon synon që Bashkimi Evropian të mundësojë liberalizimin e vizave në afatin e caktuar për gjysmën e parë të këtij viti.