|
||||
| Panariti: Zgjedhjet lokale, objektivat e LSI, reale dhe plotësisht të arritshme |
![]() Kryetari i Komitetit Drejtues Kombëtar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, prof. dr Edmond Panariti, i ka cilësuar real dhe plotësisht të arritshëm objektivat e LSI-së për zgjedhjet lokale. Në një intervistë për gazetën “Integrimi”, Panariti ka komentuar objektivat paraprakë të LSI-së, të shpalosura disa ditë më parë nga kreu Ilir Meta, në një takim të zhvilluar në qytetin e Lezhës. Sipas kreut të KDK-së, këto objektiva do të realizohen të paktën prej tre faktorësh: Përzgjedhja cilësore e kandidaturave, administrimit i mirë i pushtetit vendor në zonat e saj, si dhe nga integriteti dhe luajaliteti i një marrëveshje të suksesshme koalicioni me Partinë Demokratike. Panariti ka komentuar gjithashtu edhe projektligjet e propozuara nga opozita. Sipas tij, këto projektligje nuk i duhen vendit, pasi ato prodhojnë destruktivitet. Prof. Panariti, si i gjykoni projektligjet e paraqitura nga Partia Socialiste dhe a ndikojnë ato në zhbllokimin e situatës së ngërçit politik në vend? Së pari, më lejoni t’ju falënderoj për mundësinë që më krijoni për t’u shprehur me anë të kësaj interviste. Jam njohur nëpërmjet mediave me dy nisma ligjore në trajtën e projektligjeve të hartuara nga Partia Socialiste dhe që lidhen me hetimin e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri. Nëse do t’i shihnim me vëmendje këto dokumente, drafti i parë që mban autorësinë e sekretarit për çështjet ligjore, Fatmir Xhafaj, synon një amendim të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”. Në nenin 17 të tij, PS-ja propozon që për hetimin e zgjedhjeve të përgjithshme ose vendore, shumica e anëtarëve të komisionit hetimor mund të vendosë hapjen e një apo disa kutive të votimit. Kjo, sipas hartuesve, duhet për të këqyrur, hetuar ose publikuar një apo disa nga dokumentet zgjedhore. Po ashtu, sipas këtij dokumenti, parashikohet hapja e kutive për të rinumëruar fletët, për të verifikuar problemet e evidentuara gjatë pasqyrimit të rezultatit në tabelat përkatëse. Shndërrimi i këtij projektligji në ligj do të projektonte padyshim paqëndrueshmëri politike në të ardhmen dhe do të na hapte pafund vorbulla e turbulenca politike me pasoja anarkike. Kjo sepse humbësi i radhës së zgjedhjeve lokale ose parlamentare do t’i referohej këtij ligji, për të na rivënë në diskutim legjitimitetin e zgjedhjeve, paçka se i gjithë procesi sikundër në 28 qershorin e vitit që shkoi, u formalizua ndër të tjera edhe nga firmat e më se 20000 komisionerëve të Partisë Socialiste, si dhe filtroi në të gjitha shkallët e ankimimit të Kolegjit Zgjedhor dhe të gjykatave dhe u ligjërua me pas nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Por një absurd të vërtetë juridik dhe madje kushtetues, paraqet projektligji tjetër i propozuar po nga Partia Socialiste, i cili i referohet vetëm zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Në të, PS propozon ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar prej 15 anëtarësh, me shumicë dhe kryesi të opozitës. Sipas saj, ai do të hetojë mbi dyshimet për shkeljet e ligjeve dhe akteve nënligjore, parregullsitë në numërimin, shpërdorimin e pasurive publike dhe angazhimin e detyruar të punonjësve të administratës publike për fushatat zgjedhore. Hartuesit e këtij drafti bëjnë sikur nuk e dinë se në asnjë rrethanë dhe për asnjë arsye një ligj nuk mund t’i delegojë atribute dhe të drejta që i takojnë shumicës pakicës parlamentare. Kjo do të minonte vetë thelbin e zgjedhjeve dhe të garës politike në një shoqëri pluraliste dhe në fakt do të përbënte një deformim të vullnetit popullor. Ndër të tjera, kjo do të ishte edhe antikushtetuese. Oferta që shumica parlamentare i bëri opozitës për kryesimin e komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet, duhet parë si një shprehje e vullnetit të mirë në emër të kompromisit të kërkuar nga shumë aktorë dhe faktorë. Sidoqoftë, me anë të këtyre nismave ligjore, opozita përfundimisht dëshmoi se nuk është e interesuar për të kontribuar në një jetë normale institucionale demokratike dhe gjithashtu ajo nuk iu përgjigj me luajalitet ofertës për kompromis të shumicës. Në fund të fundit, Shqipërisë nuk i duhen ligje që gjenerojnë destabilizim, por ligje që shtyjnë para zhvillimin dhe integrimin evropian të vendit. A mendoni se lidershipi i PS po tregohet serioz në këtë situatë politike, aq më tepër që Shqipëria gjendet përpara momenteve të rëndësishme, siç është ai i liberalizimit të vizave dhe integrimi evropian i vendit? Serioziteti dhe përgjegjshmëria e një force politike, përcaktohet së pari nga parashikimi i pasojave të aksionit të saj politik. Një parti politike, e cila arrin të bunkerizohet nga drejtuesi i saj për t’u shndërruar në një gjyle topi, dhe për të goditur themelet e demokracisë parlamentare, vë padyshim në rrezik interesat e vendit dhe të qytetarëve të tij. Sigurisht këtu bëhet fjalë edhe për liberalizimin e vizave dhe integrimin evropian të vendit. Sidoqoftë unë jam i mendimit se këto dy procese janë tashmë pjesë e një axhendë, e cila nuk ka më kthim prapa. Si e vlerësoni objektivin e Lëvizjes Socialiste për Integrim të shpallur nëpërmjet kryetarit Ilir Meta, për të fituar në zgjedhjet lokale në 20 bashki dhe në 100 komuna në të gjithë vendin? Në këndvështrimin tim, ky përbën një objektiv të peshuar mirë dhe për këtë duhen mbajtur parasysh disa faktorë. Së pari, zgjedhjet lokale kanë specifikën e tyre krahasuar me ato parlamentare, pasi në to garohet në proporcional për këshillat bashkiakë të bashkive dhe të komunave, por gjithashtu ato përmbajnë edhe një komponent mazhoritar në garën për kryetarë të bashkive. Nisur nga këto veçanti, këto zgjedhje mobilizojnë në garë shumë më tepër aktorë në krahasim me zgjedhjet parlamentare. Në përzgjedhjen e këtyre aktorëve në LSI, po punohet me shumë kujdes dhe përgjegjësi. Këta burra e gra, të rinj e të reja, nën siglën e saj, por edhe falë profilit të tyre njerëzor dhe intelektual, do jenë në gjendje të tërheqin shumë vota. Ju kujtoj se në zgjedhjet lokale të vitit 2007, LSI sakrifikoi ndjeshëm në proporcional duke mbështetur në mazhoritar kandidatët e PS-së për kryetarë bashkie, përfshirë këtu edhe kryetarin aktual të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, duke i mundësuar atij fitoren e mandatit. E megjithëse e dëmtuar nga mungesa e luajalitetit nga ana e PS-së, LSI arriti të marrë në shkallë vendi 10% të votave si subjekt dhe një numër të konsiderueshëm bashkish dhe komunash. Në këto zgjedhje LSI hyn e avantazhuar, së pari nga rezultatet e mira të administrimit të pushtetit vendor në zonat e saj, si dhe nga integriteti dhe luajaliteti i një marrëveshjeje të suksesshme koalicioni me Partinë Demokratike. Për këtë arsye, jam i bindur se kemi të bëjmë me një objektiv realist dhe të arritshëm. |




