- Partia Lëvizja Socialiste për Integrim www.lsi.al -
Tuesday, 09 March 2010 20:23    PDF Print E-mail
Leterme: Belgjika do të vazhdojë të mbështesë Kosovën

Presidenti Fatmir Sejdiu priti Yves Leterme, Kryeministër i Belgjikës, të cilin e falënderoi për përkrahjen e gjatë që ky vend i ka dhënë Kosovës. Gjatë këtij takimi, Presidenti Sejdiu dhe Kryeministri Leterme diskutuan për marrëdhëniet në mes të dy vendeve, thellimin e bashkëpunimit bilateral, si dhe për perspektivën evropiane të rajonit. “Vizioni i popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës është integrimi sa më i shpejtë në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, tha Presidenti Sejdiu. Ai edhe një herë shfaqi besimin e plotë se Belgjika do të vazhdojë ta përkrahë fuqishëm Kosovën në këtë proces, ashtu siç e ka përkrahur edhe më parë në përpjekjet për liri dhe pavarësi. Më tej, Sejdiu pohoi se Republika e Kosovës angazhohet për integrimin e të gjithë rajonit në strukturat euroatlantike, meqë kjo do të ishte perspektiva më e mirë për të gjithë popujt e kësaj pjese të Evropës Juglindore. Gjithashtu, Sejdiu foli edhe për të arriturat e derisotme të Kosovës, si dhe për sfidat me të cilat po ballafaqohet vendi ynë, me theks të veçantë në çështjet ekonomike. Ndërkaq, Kryeministri Yves Leterme theksoi se Belgjika do të vazhdojë ta mbështesë Republikën e Kosovës dhe aspiratat e popullit të saj për të qenë sa më parë pjesë e integruar e familjes evropiane. “Belgjika do të marrë Presidencën e radhës së Bashkimit Evropian dhe gjatë këtij mandati do të ketë prioritet edhe rajonin tuaj, e ardhmja e të cilit pa dyshim që është në Evropën e Bashkuar”, theksoi Kryeministri Leterme. Gjithashtu, ai premtoi se vendi i tij do ta ndihmojë Kosovën edhe në procesin e liberalizimit të vizave. Dje, pas dite, edhe Kryeministri Hashim Thaçi priti Kryeministrin e Mbretërisë së Belgjikës, Yves Leterme, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin bilateral mes Kosovës dhe Belgjikës. Pas takimit që zhvilluan, Kryeministri Thaçi në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe Kryeministri Leterme në emër të Unionit Ekonomik Belgjikë-Luksemburg nënshkruan Marrëveshjen për mbrojtjen dhe promovimin reciprok të investimeve. Leterme, me këtë rast ka ftuar Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për një vizitë zyrtare në Bruksel, ftesë të cilën Kryeministri Thaçi e pranoi me kënaqësi. Në një konferencë për media, pas takimit Kryeministri Thaçi falënderoi Kryeministrin Leterme për mbështetjen e plotë që Belgjika i ka dhënë Kosovës në vazhdimësi. Thaçi theksoi vizionin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në të gjitha rrafshet. “Perspektiva e Kosovës është perspektivë evropiane. Kosova do të jetë pjesë e NATO dhe e BE-së. Jemi duke ndërruar raporte të shkëlqyeshme me të gjitha vendet e rajonit, kemi vullnet të mirë që të kemi raporte të mira bashkëpunimi me edhe me Serbinë, si dy shtete të pavarura, në shërbim të paqes, stabilitetit, bashkëpunimit rajonal, perspektivës evropiane”, u shpreh Thaçi. Thaçi e ka njoftuar homologun e tij belg edhe për hapat që do të ka ndërmarrë dhe do të ndërmerr Qeveria e Republikës së Kosovës në procesin e zhvillimit ekonomik. “Investitorët nga Belgjika janë të mirëseardhur, në Kosovë është krijuar klime e mirë për investim,e biznesin, por edhe mundësi të reja të gjithanshme”, tha Thaçi duke ritheksuar ftesën për investitorët belgë. Leterme tha se Belgjika është ndër shtetet e para që ka njohur shtetin e Kosovës, si dhe shprehu gatishmërinë e shtetit të tij për të inkurajuar edhe shtetet tjera që ta njohin Kosovën. “E ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian. Edhe pse kjo rrugë sot mund të duket e vështirë dhe me shumë pengesa, Belgjika është e gatshme që ta ndihmojë Kosovën në këtë rrugë. Integrimi i Ballkanit Perëndimor nuk do të kompletohet pa Kosovën”, tha Leterme. Kryeministri Leterme theksoi se raportet bilaterale me Kosovën janë të shkëlqyeshme dhe ato do të thellohen posaçërisht në fushën e ekonomisë. “Kosova ka nevojë për më shumë zhvillim ekonomik, më shumë vendime sikurse janë marrë për energjetikën, për telekomin. Ne do t’ju ndihmojmë dhe ka mundësi të reja që shumë ndërmarrje belge të investojnë në Kosovë”, potencoi Leterme.