|
||||
| Edi Rama, opozitari i opozitës |
|
Nga ELIO LAZE Pasi i përçau me sukses degët e PS-së në Shqipëri, Edi Rama me enciklikën e tij humoristike po e realizon këtë edhe me emigrantët. Lajmi më i fundit, ose përçarja e fundit, është ajo e degës së PS-së në Greqi. Nuk mjafton vetëm ndarja LSI-PS. Kryetarit i duhet edhe copëtimi i emigrantëve me bindje të majta brenda partisë së tij. E ka hobi. Kush nuk është me mua le të qëndrojë në PS, por pa mua! Kjo moto përçarëse e Edi Ramës, po ndihmon shumë që edhe në zgjedhjet e ardhshme lokale, PS-ja të ketë një rezultat “fitues” si më 28 qershor. Pastaj dihet, ai do të akuzojë kryetarët e degëve që iu bindën për t’u larguar. Provat i ka dhënë. 20 mijë komisionerët e zgjedhjeve të kaluara i quajti të korruptuar, të shitur dhe tradhtarë të ëndrrës së tij për t’u bërë një çikë kryeministër!Kur erdhi në krye të PS-së, kritikoi paraardhësin e tij Nano, se përçarja nuk të sjell në pushtet. Dhe kishte të drejtë. Sapo ata që e besuan dhe votuan kryetar edhe për këtë slogan, menjëherë iu kthye një pjese të tyre. Me të vërtetë, ju besoni se përçarja nuk të sjell në pushtet? E keni gabim! Mua përçarja më mban në krye të tij. Pastaj radhiti emra armiqsh si Blushi, Malaj, Harasani, Islami dhe Bello. Duke u marrë me ata, elektorati i PS-së beson se jo enciklika humoristike e kryetarit i bëri të humbnin zgjedhjet, por këta që duan bashkimin e të majtës, partinë e tyre dhe zgjedhësit që i votojnë. E dëgjon poshtë e lart në lokale, rrugë dhe media që paguan kryetari, me shpresën se një ditë do t’ua shpërblejë mbështetjen. Kush e ka parë ndonjëherë Edi Ramën si kryetar i PS-së të vizitojë selitë e degëve të partisë në rrethe? Askush. Nëse përfaqësuesi i kësaj force në atë rreth është kundërshtar i kryetarit të madh, nuk ka shansin ta presë në zyrë Edi Ramën. Madje, do të bëjë mirë që atë ditë të largohet nga qyteti. Politika e re e këtij njeriu i ka futur dridhmat të gjithëve. Jo anëtarëve të PD-së dhe LSI-së. Sepse tashmë ata e dinë se çfarë është në gjendje të bëjë enciklika Rama. Por simpatizantëve të PS-së. Fryma e re e kryetarit Rama, ishte humbja e suksesshme, bojkoti i dështuar, sfida e ligjit dhe institucioneve dhe përjashtimi i njerëzve me kontribute. Vetëm ditët e fundit, ai u hakmor ndaj atyre që nuk i quan të vetët. Në gjithë komisionet parlamentare nuk figuron asnjë kundërshtar i Ramës. Madje, edhe disa që e kanë mbështetur. Edhe ata kanë një njollë në biografi. Janë njerëzit që kanë punuar me Fatos Nanon. Këta, Edi ka tmerr! Piano-piano, edhe këta kryetari do t’i largojë. Shan e mallkon Ilir Metën, vetëm e vetëm se partia e tij iu gjend Shqipërisë në një moment tepër delikat dhe të rëndësishëm. Në prag të integrimit. Duke qenë se LSI-ja në logon e saj ka integrimin e vendit, kryetari dinjitoz, fjalëpakë dhe punëtor Ilir Meta, bashkoi votat për ëndrrat e shqiptarëve. Tani me pseudonime boton në gazetat që e mbështesin se, Ilir Meta është tradhtari. Nëse është tradhtari i aventurës së tij, ndoshta është e vërtetë. Por më mirë kështu. Të mos bashkohesh me aventurën dhe t’i prijësh integrimit të vendit, është madhështore. Shpërblimin do ta shohim në zgjedhjet e pushtetit lokal. Armiq gjeti Edi edhe te Petro Koçi dhe partia e tij. Armiq në radhët e veta sot. Armiq tek emigrantët, armik Fatos Nanon! Armik edhe LSI-ja. Tani i lutem lexuesit të këtij shkrimi të më thotë: A mund të vish në pushtet duke sharë 20 mijë komisionërët e tu, mijëra votues të LSI-së, qindra simpatizantë të PSV 91 dhe dhjetëra fanatikë të përhershëm të Fatos Nanos, Blushit, Malajt, Islamit, Bellos e Harasanit? Çfarë politikani është Edi Rama?! Zgjedhjet e ardhshme lokale do të shtojnë listën e armiqve të kryetarit. Jo të tjerët ndaj tij, por ai kundra atyre. Arsyet janë të thjeshta. Prej jush nuk fituam aq bashki dhe komuna. Na e kaloi LSI-ja, nuk keni punuar si duhet, jeni të mbaruar dhe të shitur! Pastaj emra të tjerë, që i kujtojnë Fatos Nanon, do të bëhen kurban. Sa do të vazhdojë kjo? Derisa ëndrra e Edit të bëhet realitet: Kryeministër i Shqipërisë! Ai e di mirë se të gjitha betejat i ka humbur dhe do t’i humbasë me sukses. Por, ai ka një shpresë që nuk ia tregon askujt. Pret që Berisha të lodhet e të velet nga pushteti. Do të largohet vetë dhe pastaj Edi Rama hipën në karrigen e ëndërruar. Nuk janë vetëm frutat e pjekura që bien. Edhe karriget. Përsëri m’u kujtua një fabul e ujkut që shkon pas… atyre të dashit! Deri atëherë votuesit e PS-së le të presin. Por ka një problem të vogël. Nëse është e vërtetë ajo që ka thënë Berisha se, do të qëndroj në politikë edhe 35 vite të tjera, zgjedhësit e majtë do u lënë trashëgim fëmijë të tyre amanetin që, të votojnë përsëri për Edi Ramën, atëherë 70 vjeç. Nëse do të ketë mbetur ndonjëri ende në radhët e PS-së së sotme. Kështu si e ka nisur kryetari, jo vetëm njerëzit e kryesisë dhe asamblesë së Fatos Nanos do t’i largojë, por edhe anëtarët e thjeshtë do i freskojë. Sepse ai kërkon një parti me ushtarë të bindur dhe zbatues urdhrash. Rasti i kryetarit të PS-së së Shkodrës dhe më i fundit, ai i Athinës, të bindin se ç’do të bëjë Edi Rama me PS-në. E kur të ketë mbaruar punë me të brendshmit, do të rifreskojë Internacionalen Socialiste. Jorgos Papandreu do i duket si Fatos Nano, ndërsa Hanes Svoboda si Ben Blushi. Është rast unik që shumë analistë kritikojnë drejtuesin e PS-së më shumë se vetë cilësinë e qeverisjes. Pikërisht këtë e ka merak edhe vetë Edi Rama. Bile u është vërsulur disa herë atyre, duke ironizuar se bëjnë opozitë me opozitën dhe jo me pushtetin. Kjo e ka një përgjigje fare të thjeshtë. Njerëzit me mend në kokë kërkojnë cilësinë e alternativës. Cilësia e saj, për fat të keq, është shumë e dobët, e përçarë dhe e verbuar nga interesa të ngushta klanore. Në këto kushte është më e rëndësishme të kërkosh një mjek tjetër, sesa të ulërasësh se mjeku që kemi është i paaftë! Po të pyesësh Edi Ramën, e ka gati përgjigjen: Mjek i aftë jam unë! Ja ku kam sëpatën e përjashtimeve, çomagën e taksave dhe shiringën e përçarjes. Për çudi, këto mjete nuk po bindin analistët që vështrimin ta kthejnë nga cilësia e qeverisjes. Nuk e di si mund ta kritikoj qeverisjen kur ajo, mua si shtetas po më realizon ëndrrën e brezave për lëvizje të lirë dhe integrim, ndërsa Edi Rama thotë se 70 mijë karta janë të falsifikuara! Asnjë kritikues i drejtë nuk mund të bashkohet me një opozitar gënjeshtar. Ai është kryetari kundra opozitës. Gjithë zërat kundër tij kanë vetëm një ëndërr: Opozitë e fortë, e bashkuar, cilësore, që të drejtojë vendin suksesshëm. Kur këtë e pengon kryetari, njerëzit me dy para mend në kokë, janë kundra tij. Ndërsa ai thotë që opozitarët po bëjnë opozitë me mua! Nëse një ditë Edi Rama do të largohet nga politika, do të dëgjoni se humbjet e tij do t’ia faturojë edhe kritikuesve të vet. Ai nuk do të dijë që logjika e thjeshtë arsyeton kështu: kryetar opozitar, më bind se ekonomia ime nesër do të jetë më e mirë se e kundërshtarit tënd. Më bind se ti nuk e përçan më shumë të majtën, por e bashkon. Më bind se taksat do t’i kem më të ulëta se kundërshtari yt. Për sa kohë nuk ke bërë këtë, por të kundërtën, si kryeministër i Tiranës me taksa të larta, asnjë ndershmëri e majtë nuk mund të bashkohet me ëndrrën tënde të padrejtë! Duke përjashtuar opozitarët, ëndrra për karrigen e kryeministrit do të mbetet vetëm ëndërr. Si vëzhgues i politikës, jam në pritje dhe kureshtar se kur do ta pësojë Majko, Dokle, Ruçi, Dade, Meksi etj., sepse arsyen e dinë vetë ata. Ka një ditë që për Edi Ramën gjithkush del tepër. Sidomos këta. I kujtojnë Nanon dhe i bëjnë pak hije autoritetit të tij. Deti nxjerr mbeturinat në breg. Ndërsa Edi Rama flak vlerat.
|



