- Partia Lëvizja Socialiste për Integrim www.lsi.al -
Written by Gazetari    Saturday, 03 July 2010 07:34    PDF Print E-mail
Hondurasi, vendi i 70-të që njeh Kosovën

 

Vendimi, një ditë pas vizitës zyrtare të Zv. Kryeministrit dhe ministrit i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, në Honduras

Vendi nga Amerika Qendrore ka shpallur zyrtarisht njohjen e pavarësisë dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës

Vetëm një ditë pas vizitës zyrtare të Zv. Kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, Republika e Hondurasit ka shpallur zyrtarisht njohjen e pavarësisë dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës.

Hondurasi është vendi i 70-të dhe i pari pas Opinionit Këshillimor të GJND-së që njeh shtetin e ri të Kosovës. Ky vendim vjen menjëherë pas vizitës zyrtare që z. Meta zhvilloi në Honduras, ku ai mori garanci për ndërmarrjen e këtij hapi të rëndësishëm nga Presidenti i Republikës, z. Porfirio Lobo Sosa dhe nga ministri i Punëve të Jashtme, z. Mario Canahuati.

Premtimi i Presidentit Lobo

Gjatë bisedimeve, z. Meta e njohu Presidentin Lobo me zhvillimet e fundit në rajon, në veçanti me realitetin e ri pas Opinionit të GJND-së. Nga ana e tij. Presidenti Lobo e siguroi Zv. Kryeministrin Meta se Hondurasi është duke e qartësuar qëndrimin e tij lidhur me këtë çështje, duke shtuar se rasti i Kosovës është një rast unik dhe se vendi i tij e ka ndjekur këtë çështje me kujdes të veçantë.

Vendimi për njohjen e Kosovës i është komunikuar dje gjatë një bisede telefonike ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, z. Skënder Hyseni nga ministri i Jashtëm i Republikës së Hondurasit, z. Mario Canahuati. Dy homologët ranë dakord për të filluar procedurat për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.

Zv. Kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, e përshëndeti nga kryeqyteti i Hondurasit zyrtarizimin e këtij vendimi duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm për mbarëvajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit, si dhe shprehu mirënjohjen e Shqipërisë ndaj autoriteteve të Hondurasit për marrjen e këtij vendimi.

Diskutimet diplomatike

Përveç çështjes së Kosovës, gjatë takimeve u diskutua për zgjerimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Hondurasit në nivel dypalësh dhe atë të organizatave ndërkombëtare. Palët ranë dakord që gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork të nënshkruhet Protokolli i Bashkëpunimit mes dy Ministrive të Punëve të Jashtme, i cili do të shërbejë si një bazë e rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit, mbajtjen periodike të konsultimeve diplomatike, mbështetjen reciproke të kandidaturave në kuadër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, nënshkrimin së afërmi të marrëveshjeve me karakter ekonomik dhe tregtar, si dhe caktimin e konsujve të nderit në vendet respektive. Gjatë takimeve u vlerësua se Shqipëria dhe Hondurasi janë dy vende drejt hapjes së tyre të mëtejshme, dhe se vizita e Zv. Kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme, si e para e një zyrtari të lartë shqiptar në këtë vend dhe rajon, i kontribuon më së miri frymës së bashkëpunimit mes shteteve dhe paqes në botë. Z. Meta i njohu bashkëbiseduesit me zhvillimet më të fundit në vend dhe rajon, rolin e ri të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare pas anëtarësimit në NATO dhe proceset integruese të vendit.

Last Updated ( Saturday, 04 September 2010 11:48 )