|
||||
| Shqipëria dhe Kosova, bashkërendim diplomatik për njohjet e reja |
|
Kryeministri Berisha garantoni homologun Thaçi se Kosova do ketë mbështetjen e autoriteteve shqiptare në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara dhe të vendeve të tjera ku diplomacia e Tiranës zyrtare ka lobuar, dhe se pritet një kurs i gjerë vendesh për njohjen e shtetit të ri në Ballkan. Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha dhe ai i Kosovës Hashim Thaçi zhvilluan dje në mesditë një takim në Tiranë, në prag të mbledhjes së Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ku Kosova duhet të mbrojë legjitimitetin e pavarësisë së saj dhe të bindë vendet e tjera për njohjen. Gjatë një konference për shtyp në ambientet e Kryeministrisë, kreu i qeverisë Berisha deklaroi se pavarësia e Kosovës do të gjejë mbështetje edhe në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara. Berisha theksoi se vendimi i Gjykatës së Hagës për çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës e ka shndërruar në çështjen e zbatimit të ligjit ndërkombëtar. “Është një çështje shumë herë me e madhe se mes Shqipërisë e Kosovës. Siguroj se Shqipëria po bën të gjitha përpjekjet për të shtuar njohjet e Kosovës”- tha kryeministri Berisha. Nga ana tjetër, kryeministri Thaçi tha se bisedimet midis dy vendeve u përqendruan për perspektivën e përbashkët euroatlantike, për rrugën e integrimit drejt BE-së, për implementimin e standardeve euroatlantike, kritereve demokratike, të domosdoshme për integrim. Ai gjithashtu theksoi se përvoja e mirë e Shqipërisë mund të jetë e shfrytëzueshme, në kuptimin më pozitiv dhe më të mirë të mundshëm, edhe në shtetin e Kosovës. “Pjesa më e rëndësishme e bisedës ishte ajo për përgatitjet për Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku ne do të kemi mbështetjen e plotë të Shqipërisë dhe të gjitha vendeve në të cilat ka lobuar diplomacia e Tiranës” u shpreh Thaçi. Sipas tij, orientimi i përbashkët që ka Shqipëria me Kosovën, për paqen dhe stabilitetin, për bashkëpunimin rajonal, për një konsultim të nevojshëm dhe të domosdoshëm me të gjithë miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë, do të sjellin frymë të re, do të sjellin angazhime shtesë, progresiste për Kosovën, dhe rajonin. Axhenda e përbashkët Shqipëri-Kosovë për Asamblenë e përgjithshme të OKB-së Kryeministri Berisha: Sigurisht që udhëheqja politike e Kosovës, Presidenti, Kryeministri, Ministri i Jashtëm janë në krye të përpjekjeve, për të promovuar më tej, njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kësaj radhe në këtë sesion , në këtë samit të OKB-së, situata është tërësisht tjetër, sepse ligji ndërkombëtar, e drejta ndërkombëtare është “de jure” dhe “de fakto”, në anën e Republikës së Kosovës, qytetarëve të Kosovës, të pavarësisë së Kosovës. Berisha tha se udhëheqja politike në Shqipëri do të shfrytëzojë Samitin. “Ministri i Jashtëm dhe Zëvendëskryeministri Meta është në udhëtime konstante në vende mike, në vende të tjera, për të promovuar njohjen e pavarësisë së Kosovës” u shpreh Berisha. Ai theksoi se edhe vendet anëtare të OKB-së kanë nevojë për kohën e tyre për të vendosur nëse do ta njohin apo jo Kosovën. Nga ana e tij, Thaçi deklaroi, “Kosova është duke u përgatitur maksimalisht edhe për të sjellë një meritë, OKB-së, Asamblesë së Përgjithshme, pas suksesit historik që kemi shënuar në prezantimin e opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare për Republikën e Kosovës”. Berisha, përpjekjet e Beogradit, të mirëpritura Sa i përket pozicionit të Serbisë për rezolutën në OKB, Berisha tha se të gjitha përpjekjet që tenton të bëjë Beogradi për t’u përshtatur me realitetin e ri janë të mirëpritura. “Edhe përpjekja e qeverisë spanjolle për të ndihmuar që Beogradi të përshtatet me realitetin e ri ka vetëm vlerësim. Të gjitha format e dialogut, bashkëpunimit, përveçse statusi i pavarësisë dhe integriteti territorial, janë të diskutueshme”- deklaroi kryeministri shqiptar. Duke iu kthyer situatës politike në Shqipëri, kryeministri Berisha tha se PD dhe PS po vijojnë negociatat, të cilat janë të parashikuara të shkojnë edhe më tej. “Procesi i negociatave mes të mandatuarve të Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste për zgjidhjen e situatës politike është serioz dhe do të shkojë më tutje. Nuk dua të zbuloj asgjë. Është një proces serioz që shpresoj të ecë pozitivisht”- tha kryeministri. Lidhur me HEC-in e Zhurit, kreu i qeverisë tha se po realizohen bisedime në nivel ekspertësh. “Zgjidhja më e mirë do të jetë ajo në interesin kombëtar”- tha Berisha. Nga ana tjetër, të njëjtin qëndrim shprehu edhe kryeministri Thaçi.
|
| Last Updated ( Saturday, 04 September 2010 12:25 ) |



