|
||||
| Presidenti Topi mesazh vendeve të OKB: Mos përkrahni rezolutën serbe |
|
Në krah të Kosovës, Shqipëria lobon në vendet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të votuar kundër projektrezolutës serbe, e cila do të paraqitet në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të OKB, më 9 shtator. Presidenti shqiptar, Bamir Topi, u ka dërguar dje një mesazh të gjithë Kryetarëve të Shteteve, anëtare të OKB-së, ku nënvizon mospërkrahjen e rezolutës së Beogradit. Në mesazhin e kreut të lartë të shtetit shqiptar, rezoluta cilësohet “si e njëanshme, një përçapje që cenon mandatin e GJND-së dhe autoritetin e OKB-së, si edhe ndikon negativisht mbi paqen e stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe në të ardhmen evropiane të vetë Serbisë”, thuhet në njoftimin për shtyp të publikuar nga zyra e shtypit e presidencës shqiptare. Ndër të tjera, Presidenti Topi nënvizon në mesazh “rëndësinë e përkrahjes së pavarësisë së Kosovës dhe domosdoshmërinë e njohjes së saj nga vende të tjera, si vendimi i duhur pas mendimit këshillimor, qartësisht të nënvizuar, të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, më 22 korrik 2010, mbi pavarësinë e Kosovës, që e cilësoi Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës si të ligjshme e në mbështetje të së Drejtës Ndërkombëtare”. Kosova nuk ka të drejtën që të jetë e përfaqësuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, pasi nuk është bërë anëtare e saj. Shqipëria do të jetë një nga shtetet që do të kundërshtojë fuqishëm rezolutën serbe të paraqitur në OKB. Kundër kësaj rezolute janë SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania të cilat kanë ndërmarrë një presion diplomatik ndaj Serbisë që kjo e fundit të tërheqë projektrezolutën. Nga 192 vendet anëtare të OKB-së, Kosova njihet si shtet i pavarur nga 70 shtete. Këto ditë mediat e huaja shkruajnë se SHBA-ja, Franca, Britania e Madhe dhe Arabia Saudite kanë marrë premtimin e 65 vendeve se do të votojnë kundër kësaj rezolute. Ndërsa, Serbia ka arritur të marrë mbështetjen e 50 shteteve, të cilat kanë premtuar se do ta votojnë rezolutën serbe. Nga ana tjetër, një numër i madh vendesh kanë bërë të ditur se nuk do ta votojnë rezolutën, por as nuk do të jenë kundër.
Dy krerët e qeverive u takuan dje në Tiranë, pak ditë para mbledhjes së Asamblesë së Kombeve të Bashkuara
Pavarësia në OKB, Shqipëria e Kosova koordinojnë diplomacinë
Kryeministri shqiptar Sali Berisha dhe ai kosovar, Hashim Thaçi, bashkërendim diplomatik për njohjet e reja
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka garantuar homologun Hashim Thaçi, se Kosova do ketë mbështetjen e autoriteteve shqiptare në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara dhe të vendeve të tjera, ku diplomacia e Tiranës zyrtare ka lobuar, dhe se pritet një kurs i gjerë vendesh për njohjen e shtetit të ri në Ballkan. Deklarata erdhi gjatë takimit që Kryeministri i Shqipërisë dhe ai i Kosovës zhvilluan dje, në mesditë, në Tiranë, në prag të mbledhjes së Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ku Kosova duhet të mbrojë legjitimitetin e pavarësisë së saj dhe të bindë vendet e tjera për njohjen. Gjatë një konference për shtyp në ambientet e Kryeministrisë, kreu i qeverisë Berisha deklaroi se pavarësia e Kosovës do të gjejë mbështetje edhe në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara. Berisha theksoi se vendimi i Gjykatës së Hagës për çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës e ka shndërruar në çështjen e zbatimit të ligjit ndërkombëtar. “Është një çështje shumë herë me e madhe se mes Shqipërisë e Kosovës. Siguroj se Shqipëria po bën të gjitha përpjekjet për të shtuar njohjet e Kosovës”, tha Kryeministri Berisha. Nga ana tjetër, Kryeministri Thaçi tha se bisedimet midis dy vendeve u përqendruan për perspektivën e përbashkët euroatlantike, për rrugën e integrimit drejt BE-së, për implementimin e standardeve euroatlantike, kritereve demokratike, të domosdoshme për integrim. Ai gjithashtu theksoi se përvoja e mirë e Shqipërisë mund të jetë e shfrytëzueshme, në kuptimin më pozitiv dhe më të mirë të mundshëm, edhe në shtetin e Kosovës. “Pjesa më e rëndësishme e bisedës ishte ajo për përgatitjet për Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku ne do të kemi mbështetjen e plotë të Shqipërisë dhe të gjitha vendeve në të cilat ka lobuar diplomacia e Tiranës”, u shpreh Thaçi. Sipas tij, orientimi i përbashkët që ka Shqipëria me Kosovën, për paqen dhe stabilitetin, për bashkëpunimin rajonal, për një konsultim të nevojshëm dhe të domosdoshëm me të gjithë miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë, do të sjellin frymë të re, do të sjellin angazhime shtesë, progresiste për Kosovën, dhe rajonin. Axhenda e përbashkët Kryeministri Berisha deklaroi se lidershipi politik i Kosovës është në krye të përpjekjeve për të siguruar njohje të reja. “Sigurisht që udhëheqja politike e Kosovës, Presidenti, Kryeministri, ministri i Jashtëm janë në krye të përpjekjeve, për të promovuar më tej, njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kësaj radhe në këtë sesion, në këtë samit të OKB-së, situata është tërësisht tjetër, sepse ligji ndërkombëtar, e drejta ndërkombëtare është ‘de jure’ dhe ‘de fakto’, në anën e Republikës së Kosovës, qytetarëve të Kosovës, të pavarësisë së Kosovës”. Berisha tha se udhëheqja politike në Shqipëri do të shfrytëzojë Samitin. “Zv. Kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, është në udhëtime konstante në vende mike, në vende të tjera, për të promovuar njohjen e pavarësisë së Kosovës”, u shpreh Berisha. Ai theksoi se edhe vendet anëtare të OKB-së kanë nevojë për kohën e tyre për të vendosur nëse do ta njohin apo jo Kosovën. “Samiti është një rast shumë i veçantë, ku ka mundësi takimesh më të shumta dhe mendoj se kjo është një klimë realisht pozitive, qartësisht pozitive. Natyrisht që edhe vendet anëtare të OKB-së kanë nevojë për kohën e tyre. Nuk jemi këtu në një ndeshje sporti që bëhet ‘Gol’ dhe pastaj ‘Urra’”. Nuk duhet ta konceptojmë në këtë mënyrë. Ky është një proces politik që kërkon shqyrtimin e duhur, miratimin, e të tjera me radhë, por në tërësi thelbi nuk mund të jetë tjetër, përveçse qartësisht pozitiv”, theksoi Kryeministri i Shqipërisë. Nga ana e tij, Thaçi deklaroi se Kosova është duke u përgatitur maksimalisht edhe për të sjellë një meritë, OKB-së, Asamblesë së Përgjithshme, pas suksesit historik që u shënua në prezantimin e opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare për Republikën e Kosovës. “Asambleja e përgjithshme do të shënojë një kapitull të ri , të një suksesi të ri, atë të konsolidimit dhe forcimit të shtetit të Kosovës dhe hapjes së perspektivës për njohje të reja. Në këtë drejtim, jemi duke zhvilluar angazhime të shumanshme me të gjithë miqtë dhe partnerët tanë, prandaj kemi një ekip parapërgatitor në Nju-Jork. Së shpejti, në ditët e ardhshme do të jemi së bashku në Nju-Jork, Presidenti, Kryeministri, ministri i Jashtëm gjithashtu, në mënyrë që të prezantojmë Kosovën në të gjitha takimet e mundshme, prandaj ky proces do të shënojë vetëm ecje përpara në drejtim të forcimit, konsolidimit dhe njohjes së shtetit të Kosovës, nga më shumë shtete të botës”, deklaroi Hashim Thaçi. Përpjekjet e Beogradit Sa i përket pozicionit të Serbisë për rezolutën në OKB, Berisha tha se të gjitha përpjekjet që tenton të bëjë Beogradi për t’u përshtatur me realitetin e ri janë të mirëpritura. “Edhe përpjekja e qeverisë spanjolle për të ndihmuar që Beogradi të përshtatet me realitetin e ri ka vetëm vlerësim. Të gjitha format e dialogut, bashkëpunimit, përveçse statusi i pavarësisë dhe integriteti rajonal, të tjerat janë çështje që diskutohen, duhet të diskutohen”, deklaroi Kryeministri shqiptar. Ndërsa, Kryeministri i Kosovës, Thaçi, deklaroi: “Zgjidhja më e mirë do të ishte sikur Serbia ta tërhiqte këtë rezolutë, por në të njëjtën kohë jemi në kontakt të vazhdueshëm edhe me Brukselin dhe kjo çështje do të diskutohet edhe më tutje edhe në Bruksel në veçanti, por edhe në kryeqytete të tjera. Ajo që është me rëndësi edhe për Kosovën është uniteti i të gjitha vendeve të BE, për Kosovën, edhe për rajonin. Prandaj unë pres një frymë afirmative, në kuptimin më të mirë të mundshëm që të konsolidohet ky proces i suksesit të ri të Republikës së Kosovës. Nuk do të ketë në asnjë rrethanë, kthim pas, por me rëndësi është të hapet një perspektivë e bashkëpunimit mes dy shteteve të pavarura, pra Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, përfundoi Thaçi. |
| Last Updated ( Saturday, 04 September 2010 11:54 ) |



