|
||||
| Besjan Pesha: LSI, plan lokal për turizmin në Gjirokastër |
|
Zv/sekretari i Përgjithshëm i LSI, Besian Pesha, i ka kërkuar kryetarit të Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime, të mos e betonizojnë qytetin e gurtë, pasi kjo forcë politike është gati të ofroj falas dy kompanisë serioze për të hartuar një master-plan për turizmin. Duke folur dje për mediat nga Gjirokastra, Pesha bëri të ditur se me angazhimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, ky qytet do të mund të përfitonte shumë projekte zhvilluese, veçanërisht në fushën e turizmit kulturor, që është edhe pika më e fortë. “Me angazhimin e LSI, garantoj se Gjirokastra do të jetë përfituese e mjaft projekteve zhvilluese, sidomos në fushën e turizmit kulturor, ku është karakteristike për qytetin”, tha zv/sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, duke shtuar se me këtë master-plan qytetit pritet t’i rikthehet krenaria e dikurshme. Projekti Sipas tij, gjatë hartimit të projektit, që mendohet të startojë në fillim të muaj tetor, është parashikuar pjesëmarrja e komunitetit për të reflektuar në master-plani e ri të turizmit. “Lëvizja Socialiste për Integrim do të marrë mendimet e grupeve të interesit dhe shoqërisë civile për t’u reflektuar në qeverisjen e ardhshme”, pohoi më tej Besian Pesha dje në Gjirokastër. Ndërkaq, zyrtari i LSI-së u shpreh se Bashkia e Gjirokastrës e ka privatizuar vendimmarrjen, duke përjashtuar kështu çdo projekt të taksapaguesve të saj. “Bashkia e Gjirokastrës pothuajse e ka privatizuar vendimmarrjen, duke përjashtuar në çdo projekt taksapaguesit, shtoi Pesha. Kryebashkiaku i Gjirokastrës e ka drejtuar këtë institucion në mënyrë kaotike, në bazë të interesave klienteliste dhe familjare", deklaroi në një prononcim për shtyp në Gjirokastër, zv/sekretari i Përgjithshëm i LSI-së. Problemet e bashkisë Ai shtoi më tej se LSI-ja nuk mund të lejojë më, që nën drejtimin e bashkisë nga Flamur Bime, çdo familje gjirokastrite ka pasur një dëm prej 3 mijë eurosh, vetëm se bashkia nuk është e aftë të thithë fonde investimesh. “LSI ka hartuar një strategji të re për rimëkëmbjen e Gjirokastrës, e cila në themel të saj do të ketë komunikimin me çdo qytetar gjirokastrit, tha Pesha. LSI-ja nuk mund të lejojë më që nën drejtimin e bashkisë nga Flamur Bime çdo familje gjirokastrite ka pasur një dëm prej 3 mijë eurosh, vetëm se Bashkia nuk është e aftë të thithë fonde investimesh”. Gjatë fjalës së tij, Pesha tha se Bime, sipas tij, thith parat e taksapaguesve me anë të betonimit, që është duke i bërë çdo ditë qytetit të Gjirokastrës, çka rrezikon që ky qytet, nga më të veçantët në llojin e tij në Evropë, shumë shpejt të dalë edhe nga lista e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Në fund të deklaratës së tij, zv/sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Besian Pesha, nuk ka harruar të përqendrohet edhe te projektet e punësimit dhe kjo, sipas tij, do të realizohet falë projekteve konkrete, të cilat kanë qenë në programin elektoral të LSI, të njohur ndryshe si “Plani për Veprim”, çka është dhe pika më dominante. Që pas përfshirjes në koalicionin qeverisës, LSI-ja ka mundur të vërë në jetë disa pika të rëndësishme të programit elektoral, sidomos në aspektin social. Kjo forcë politike ka treguar se di të mbajë premtimet, siç bëri pas zgjedhjeve të fundit të 28 qershorit, duke vënë në zbatim shumë prej tyre. |
| Last Updated ( Monday, 30 August 2010 08:43 ) |



