- Partia Lëvizja Socialiste për Integrim www.lsi.al -
Written by Gazetari    Friday, 18 June 2010 18:39    PDF Print E-mail
BSH: Ekonomia shënon rritje, inflacioni bie në 3.4%,

Ekonomia shqiptare ka shënuar rritje graduale, treguesit e besueshmërisë janë në rritje, ndërsa inflacioni në rënie. Kjo deklaratë u bë nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë në fund të mbledhjes së Këshillit të Mbikëqyrjes, i cili miratoi politikën monetare mujore. Guvernatori deklaroi se inflacioni ka ardhur në rënie gjatë 2010-ës. Fullani pohoi se në mungesë së goditjeve nga ana e ofertës, norma e inflacionit është pranë objektivit 3% për periudhën afatmesme. Ndërkohë, norma bazë e interesit do të ngelet e pandryshuar në vlerën 5%. Në mbledhjen e ditës së djeshme, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Mujor të Politikës Monetare. Të dhënat nga ekonomia botërore konfirmojnë rimëkëmbjen progresive të aktivitetit ekonomik. Politikat monetare e fiskale stimuluese kanë ndikuar në rritjen e kërkesës për mallra e shërbime, si dhe në zgjerimin e aktivitetit tregtar. Rezultatet e vrojtimeve dhe parashikimet për të ardhmen sugjerojnë një përmirësim të mëtejshëm të treguesve ekonomikë, duke sinjalizuar se ekonomia botërore do të vazhdojë të fuqizohet. Presionet inflacioniste në nivel botëror mbeten të kontrolluara dhe normat e interesit të bankave qendrore vazhdojnë të jenë në nivelet më të ulëta historike. Tregjet financiare janë karakterizuar nga një luhatshmëri e lartë e normave të interesit, e çmimeve të produkteve financiare dhe e vëllimeve të tregtimit.

Kjo luhatshmëri ka reflektuar nga njëra anë sinjalet pozitive që vijnë nga ekonomia reale dhe rezultatet inkurajuese të stres-testeve të bankave të mëdha, dhe nga ana tjetër pasigurinë e rrjedhur prej niveleve në rritje të borxhit publik. Në nivel politik, debati që karakterizon autoritetet ekonomike private dhe publike, është përcaktimi i masës dhe kohëzgjatjes së duhur të stimulit makroekonomik. Përgjigjja që do të marrë dilema e mbështetjes së ekonomisë, pa cenuar primet e rrezikut dhe ekuilibrat afatgjatë të saj, do të kushtëzojë ndjeshëm ecurinë e ekonomisë botërore dhe perspektivat e rritjes afatshkurtër e afatmesme të Shqipërisë.

Treguesit

Sipas Fullanit, ekonomia shqiptare ka vijuar të karakterizohet nga përmirësimi gradual i treguesve ekonomikë, duke konfirmuar një aktivitet në rritje - por relativisht të ngadaltë - të saj. Statistikat zyrtare flasin për norma pozitive rritjeje në tremujorin e parë të vitit, ndërkohë që rezultatet e vrojtimeve të besimit dhe të dhëna të tjera të tërthorta sugjerojnë për vazhdimësinë e këtyre ritmeve edhe në tremujorin e dytë. Aktiviteti ekonomik në Shqipëri është mbështetur nga rritja e kërkesës së jashtme dhe e eksporteve shqiptare, ndërsa kërkesa e brendshme ka pasur një rritje më të ngadaltë. Kjo ecuri është reflektuar në një rritje më të shpejtë të sektorit të industrisë dhe të shërbimeve, ndërkohë që sektori i ndërtimit dhe ai i bujqësisë kanë pasur një kontribut të ulët në rritjen ekonomike. Ajo është shoqëruar gjithashtu me krijimin e kapaciteteve të pashfrytëzuara në ekonominë shqiptare dhe presione të ulëta inflacioniste nga kërkesa e brendshme. Stimuli monetar ka qenë i përshtatshëm për të akomoduar një aktivitet ekonomik në rritje, por pa krijuar zgjerim të tepërt të likuiditetit.

Inflacioni

Në përfundim të analizës, Këshilli i Mbikëqyrjes vëren se në prani edhe të pritjeve të ankoruara inflacioniste, ky ambient ekonomik ka ndikuar në absorbimin e goditjeve mbi inflacion të ardhura nga faktorë të ofertës. Për rrjedhojë dhe në përputhje me pritjet tona, inflacioni ka ardhur në rënie gjatë vitit 2010. Inflacioni vjetor i çmimeve të konsumit rezultoi 3.4 për qind në muajin korrik. Kjo normë inflacioni është shkaktuar kryesisht nga rritja e çmimeve të administruara, e çmimeve bazë në tregjet ndërkombëtare dhe nënçmimi i monedhës vendase. Këta faktorë të ofertës pritet të kenë ndikim kalimtar në ecurinë e inflacionit, duke mos u përkthyer në presione të qëndrueshme inflacioniste. Kjo dinamikë ka kushtëzuar dhe do të vazhdojë të kushtëzojë ecurinë e inflacionit edhe në periudhën e ardhshme. Konsumi privat vlerësohet të ketë dhënë kontribut pozitiv në aktivitetin ekonomik në tremujorin e dytë.

Kjo ecuri dëshmohet nga forcimi i ritmit të rritjes së të ardhurave tatimore, të cilat kanë në bazë të tyre nivelin e konsumit në ekonomi, nga rritja e importit të mallrave të konsumit, si dhe konfirmohet nga treguesit e përmirësuar të besimit të konsumatorit. Bilancet përgjithësisht të shëndosha financiare të familjeve shqiptare bëjnë të mundur një reagim të shpejtë të tyre ndaj përmirësimit të klimës aktuale dhe perspektivës makroekonomike, rritjes së të ardhurave të disponueshme, dhe rënies së pasigurisë.

Investimet private po i kthehen gradualisht ritmeve rritëse, por në nivele dukshëm më të ulëta se ato të mëparshmet.

Treguesit e besimit

Sipas Fullanit, klima më pozitive e besimit të bizneseve; mbështetja në rritje me kredi bankare; rritja e shfrytëzimit të kapaciteteve në ekonomi dhe rritja e importit të mallrave kapitale dhe atyre të ndërmjetëm, sugjerojnë se niveli i investimeve private është rritur gjatë muajve të fundit. Tregues të besimit evidentojnë pritje pozitive edhe për tremujorin e tretë të vitit, duke mbështetur vlerësimet tona për një nxitje të kërkesës agregate nga sektori privat. Sektori publik ka shënuar frenim të ekspansionit fiskal, që prej fillimit të tremujorit të dytë. Deficiti buxhetor në fund të muajit korrik rezultoi 23.1 miliardë lekë, nivel ky i cili është rreth 42% më i ulët se një vit më parë. Të ardhurat buxhetore janë rritur me 3.7 për qind në terma vjetorë, ndërkohë që shpenzimet janë tkurrur me 5.1 për qind. Eksportet neto kanë vazhduar të rrisin kontributin e tyre në kërkesën agregate edhe në tremujorin e dytë të vitit. Kjo ecuri është diktuar nga rritja vjetore prej 86 për qind e eksporteve kundrejt rritjes prej vetëm 6 për qind të importeve gjatë kësaj periudhe. Këto zhvillime janë materializuar në ngushtimin e mëtejshëm të deficitit tregtar, i cili është tkurrur me rreth 14 për qind në terma vjetorë. Ngushtimi i deficitit tregtar është shoqëruar me presione më të ulëta në tregun valutor dhe një ecuri më të qëndrueshme të kursit të këmbimit.

Politika monetare

Politika monetare e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka qenë e kujdesshme. Duke pasur në vëmendje respektimin e objektivit për inflacionin, Banka e Shqipërisë uli me 0.25 pikë përqindjeje normën bazë të interesit në muajin korrik.

Ky lehtësim i kushteve monetare synoi t’i japë një stimul të mëtejshëm aktivitetit ekonomik, duke kontrolluar në të njëjtën kohë presionet inflacioniste dhe ekuilibrat e jashtëm të ekonomisë. Ajo është përcjellë në tregun financiar në segmentin afatshkurtër të tij, duke sjellë uljen e kostos së huamarrjes të bankave, si dhe norma më të ulëta interesi në tregun ndërbankar dhe në tregun primar të letrave me vlerë të qeverisë. Në muajt në vijim, lëvizja e politikës monetare duhet të transmetohet dhe në uljen e kostos së huamarrjes së sektorit privat.

Last Updated ( Wednesday, 01 September 2010 07:17 )