- Partia Lëvizja Socialiste për Integrim www.lsi.al -
Written by Gazetari    Thursday, 17 June 2010 14:40    PDF Print E-mail
Eliminatoret: Euro 2012 Shqipëria e nis me këmbë të mbarë, barazon 1-1 me Rumaninë

 

Kombëtarja shqiptare ka arritur dje një barazim historik në Rumani, duke barazuar me rezultatin 1-1. Kuqezinjtë e trajnerit Josip Kuzhe kanë arritur të sigurojnë një barazim me shumë vlera, duke e nisur me këmbë të mbarë ndeshjet e grupit eliminator për Evropianin e EURO 2012. Goli i shënuar nga mesfushori Gjergji Muzaka, në minutat e fundit të takimit, i kanë dhënë barazimin skuadrës shqiptare, e cila ka luajtur e barabartë përballë ekipit rumun, që ka kërkuar të kalojë në avantazh për minuta me radhë. Megjithatë, skuadra shqiptare ka rezistuar deri në minutën e 80-të të takimit, duke mos lejuar prekjen e portës së mbrojtur nga Arjan Beqaj. Por, në minutën e 80-të, një pakujdesi e mbrojtjes kuqezi ka bërë që të përfitojnë rumunët, të cilët kanë shënuar golin e avantazhit me anë të Stancu. U duk se pas këtij goli, skuadra shqiptare do ta mbyllte takimin me humbje. Por trajneri Kuzhe nuk është dorëzuar në asnjë moment. Pasi kishte futur pak minuta më parë në lojë sulmuesin Salihi, ai ka bërë edhe dy ndërrime shumë efikase, pikërisht mesfushorin Gilman Lika dhe mesfushorin me tipare sulmuese, Gjergji Muzaka. Ka qenë ky i fundit, i cili në minutën e 87-të të takimit, pas topit të ardhur në zonë nga një goditje dënimi, ka gjuajtur mjeshtërisht me kokë, duke mundur portierin kundërshtar dhe duke barazuar takimin. Në minutat e fundit, kuqezinjtë kanë pasur mundësinë që të shënojnë edhe golin e dytë, por rasti i krijuar nuk është shfrytëzuar. Gjithsesi, barazimi për skuadrën e Kuzhesë mund të cilësohet me mjaft vlera dhe shumë inkurajues për vazhdimësinë e skuadrës Kombëtare në këto eliminatore.

 

 

 

Last Updated ( Saturday, 04 September 2010 12:22 )